Përparësi projektligjet që ndërlidhen me Raportin e Progresit

Përshpejtimi i punëve rreth shqyrtimit e aprovimit të projektligjeve që ndërlidhen me Raportin e Progresit ka qenë temë themelore në mbledhjen e kryetarëve të komisioneve të Kuvendit të Kosovës.
Këtë takim me kryetarët e komisioneve e kryesoi nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, kurse në të cilën mori pjesë edhe Sabri Hamiti në cilësinë e nënkryetarit të Kuvendit.
Gjatë mbledhjes është vlerësuar se komisionet dhe mbarë deputetët e Kuvendit të Kosovës i presin detyra të ngutshme sa i përket shqyrtimit e aprovimit të projektligjeve, që dalin si obligime edhe nga Raporti i Progresit.
“Para deputetëve presin për t’u aprovuar 13 projektligje, që tashmë kanë kaluar leximin e parë, ndërsa dy sosh presin të dalin në shqyrtim të parë. Ndërkohë, nga Qeveria e Kosovës kanë ardhur edhe 8 projektligje për shqyrtim në lexim të parë, nga të cilat 6, ndërlidhen gjithashtu me Raportin e Progresit”, bëri të ditur Zyra për informim e Kuvendit.
Më tutje, thuhet se të gjithë pjesëmarrësit ishin të një mendimi se Kuvendin e presin detyra të mëdha, duke shprehur zotimin se deputetët nuk do të kursehen në angazhimet e tyre që të aprovohen projektligjet, ashtu si është parashikuar me plan.
“Në këtë vështrim, u mor zotimi që deri në fillim të shtatorit së paku të aprovohen 13 projektligjet që dalin në Kuvend për shqyrtim të dytë”.
Mbledhja e sotme, po ashtu kishte për qëllim që njëkohësisht të shihen edhe nevojat që kanë komisionet, sidomos sa i përket angazhimit të ekspertëve për të kryer sa më shpejt amendamentimin e projektligjeve.