E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përparim Hetemaj, debutim në Ligën e Kampionëve

Përparim Hetemaj është futbollisti i katërt shqiptar, i cili ka arritur të aktivizohet në garën më prestigjioze evropiane të futbollit, Ligën e Kampionëve. Pas Bledar Kolës, Besnik Hasit e Lorik Canës i ka ardhur radha edhe Hetemajt që aktivizohet me skuadrën greke AEK të Athinës për të shijuar Ligën e Kampionëve.
Sulmuesi kosovar i Kombëtares finlandeze të Shpresave (U-21) ka zhvilluar ndeshjen e tij të parë në Ligën e Kampionëve me AEK-un, skuadrën tek e cila është transferuar në verë të këtij viti nga HJK Helsinki. Hetemaj ka zhvilluar 70 minuta në përballjen e skuadrës së tij me ish-skuadrën e Besnik Hasit, Anderlecht. Ndeshja është mbyllur me barazimin 1:1, ndërsa 19-vjecari Hetemaj ka qenë ndër protagonistët e skuadrës së tij, pasi ka qenë pikërisht ai asistuesi i golit të barazimit për skuadrën e tij. Hetemaj ka gjuajtur nga largësia dhe topi ka arritur te braziliani Julio Cesar, i cili ka barazuar rezultatin për AEK-un, vetëm tre minuta pasi skuadra greke e kishte parë veten në disavantazh. Në minutën e 70-të të ndeshjes trajneri i AEK-ut ,Lorenzo Serra Ferrer, ka zëvendësuar Hetemajn me sulmuesin serb Andrija Delibashic.
Shqiptari tjetër i AEK-ut të Athinës, Gjergji Kone, nuk ka qenë as në bankën e rezervistëve për këtë ndeshje. E njëjta gjë vlen edhe për sulmuesin e Hamburgut, Besart Berisha, skuadra e të cilit është mposhtur me rezultatin 1:0 nga CSKA e Moskës.

Liridon Iberdemaj

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›