E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Shumica në komisionin hetimor na kthen në Kuvend

 

Aristir Lumezi

Kryetari i PS-së, Edi Rama, tha dje se “nëse maxhoranca parlamentare na jep shumicën e anëtarëve të komisionit hetimor, ne hyjmë që nesër në Parlament”. Këtë deklaratë kreu socialist e bëri mbrëmë në emisionin “Top Story” në Top Channel me gazetarin Sokol Balla. Sipas tij, rezultati që pritet të nxjerrë komisioni hetimor do të bëjë të mundur mospërsëritjen e masakrës zgjedhore që ndodhi në 28 qershor. Kryetari i PS-së deklaroi dje se me bashkimin me PD-në, LSI-ja ka humbur elektoratin e saj që ka votuar kundër Berishës. Sipas tij, kjo pjesë e elektoratit tashmë është më pranë një bashkimi me PS-në. “LSI nuk është Ilir Meta dhe as grupi i krushqve të uritur që ai mori në dasmën e tij me Saliun. LSI-ja është vota, dinjiteti, besimi, përkatësia e dhjetëra mijëra burrave dhe grave që besuan se oferta e Metës ishte oferta radikale që ndante përfundimisht Shqipërinë nga Berisha dhe se vota e tyre për LSI-në ishte mënyrë e tyre më e sigurt për ta investuar besimin te dikush, që në asnjë mënyrë nuk do bënte pazar me Berishën, ndërkohë që të tjerë, PS-ja dhe unë, ishim në fakt mbulesa e një pazari me Berishën. Nëse deri para 28 qershorit ne duhet të bashkoheshim me LSI-në e Ilir Metës, dhe unë duhet të bëja hapin e bashkimit, refuzova ta bëja këtë, pasi e dija që kishte një pazar mes Ilir Metës dhe Sali Berishës. Isha i bindur para zgjedhjeve se Ilir Meta kishte pakt me Sali Berishën dhe kjo u vërtetua”, është shprehur Rama dje në emisionin “Top Story”. “Këta dhjetëra mijëra njerëz nuk janë më me Metën dhe nuk janë pjesë e një projekti që vdiq. Këta njerëz sot janë shumë më pranë shtëpisë së madhe të së majtës që është PS-ja dhe janë shumë më pranë bashkimit përfundimtar me këtë parti që i ndau historia e një pazari tjetër, atij mes Berishës së Nanos”, theksoi Rama. “Shqipërisë nuk i duhet një ndryshim thjesht mes disa ministrave, por një ndryshim radikal, që u pengua përmes fuqisë abuzive të shtetit të vënë nga pushteti dhe përmes një pushteti të lidhur ngushtë me shtetin”, shtoi Rama. Kreu socialist e krahasoi atë që ka ndodhur, sipas tij, në zgjedhjet e 28 qershorit, me një krim të tipit mafioz. “Fakti që zgjedhjet e 28 qershorit ndryshuan tërësisht në formë nga zgjedhjet e 26 majit 1996, flet vetëm për sofistikimin e kryerjes së krimit. Krimet mafioze nuk kanë prova dhe dëshmitarë. Ne duam t’i japim fund krimeve zgjedhore”, tha Rama. I pyetur nëse PS-ja pas rizgjedhjes së tij do të rrisë frymën demokratike apo atë të përjashtimeve, Rama tha se “bashkë me anëtarësinë e PS-së do të shkojmë në organizimin e një trupe të përsosur, ku do të ketë vend për të gjithë, të cilës nuk do t’i vidhet më fitorja”. Kreu socialist është pyetur gjatë emisionit edhe për largimin e deputetit socialist Shpëtim Idrizi nga grupi parlamentar i PS-së për të formuar një parti të re brenda parlamentit shqiptar. Sipas Ramës, moskomentimi i këtij fakti është lidhur me fokusimin e tij në çështjen e zbardhjes së votimit të 28 qershorit. “Nuk është një ngjarje që të komentohet si pozitive. Në këtë periudhë jam fokusuar te çështja themelore dhe për këtë çështje kam shfrytëzuar komunikimin me publikun dhe kam dashur të mos shfokusohem nga asnjë ngjarje apo individ, që natyrisht ka peshën e vet”, u shpreh Rama. Edhe dje, kryetari socialist i pyetur rreth zërave kundër tij dhe mendimit ndryshe në PS, u shpreh se “nuk shoh grupe reale, shoh një PS të gatshme për të vazhduar një betejë politike, që e ka detyrim ta zhvillojë opozita dhe është detyrim ndaj qytetarëve”.

Vangjel Dule: “Duhet të dalim nga impasi”
Është një shqetësim politik, është një shqetësim shoqëror, i cili shpresojmë që të na çoj në ato lëvizjet e duhura që do krijojnë premisat për daljen nga impasi politik në të cilin ndodhet vendi. Nuk është momenti për veshë të shurdhra, është momenti i cili kërkon kompromise të guximshme, historike, të cilat do kenë në fokusin e tyre interesat strategjike të vendit, jo interesat mikro partiake të momentit. PBDNJ është që në momentet e para të zgjedhjeve të 28 qershorit, që ka shprehur shqetësime shumë jetike në lidhje me mënyrën e  zhvillimit të procesit zgjedhor të 28 qershorit, dhe natyrisht që është pjesë e këtij shqetësimi.

Spartak Ngjela: “Duam garanci për bojkotin”
Nuk është folur ende për tribuna, është folur për koordinim aksionesh, ose veprimesh dhe çështja kryesore është që ne kërkuam garanci nga grupi parlamentar i PS, i cili është i vetmi grup që bojkoton, të vijoj me konsistencë bojkotin, dhe pastaj protesta nuk ka vetëm një ditë, do jetë vazhdimisht deri sa të bjerë kjo qeveri. Në momentin që do kërkohet dorëheqja e qeverisë do marrim pjesë dhe ne në protesta pavarësisht nga ngjyra. Nuk ka një marrëveshje midis të majtëve dhe të djathtëve në raport me programet, por ka një marrëveshje për rikthimin institucional të demokracisë liberale në Shqipëri.

Ndre Legisi:“Fund vjedhjes së votave”
Ne po bëjmë marrëveshje për të ndryshuar gjithçka që është e gabuar në këtë vend, gjithçka që ka dëmtuar demokracinë në Shqipëri. E askush nuk ka të drejtë të paragjykojë mundësinë për të ndryshuar të cilitdo, që është penalizuar, siç është penalizuar në rastin konkret nga vjedhja e votave, PS. Duhet të ketë një fund edhe kjo gjë, e unë mendoj që ka ardhur koha që t’i vijë fundi edhe momentit të vjedhjes së votave të shqiptarëve, e numërimit të votave ashtu siç e do populli qeverisjen, e jo të marrin vota nga e majta e të qeverisin nga e djathta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›