E Diel, 1 Nëntor 2026

Përplasen 3 makina në Unazë, një tjetër “fluturon” në Lanë

 

TIRANE - Katër automjete janë bërë objekt i dy aksidenteve gjatë paradites së djeshme në kryeqytet. Tre autovetura, tip “Benz”, “Audi” dhe një “Fiat” janë përplasur njëra pas tjetrës në unazë, përballë Katedrales “Shën Pali”, në drejtim të kryqëzimit të rrugës së Elbasanit. Sipas policisë, shkak i kësaj përplasje ka qenë shpejtësia tej normave të lejuara në kryqëzim. Drejtuesi i mjetit tip “Benz”, nuk ka mundur t’i shmangej një makine që lëvizte nga rruga pas Piramidës, për të dalë në Unazë dhe si pasojë ka frenuar, duke bërë që pas saj të përplasej fillimisht “Audi” dhe menjëherë pas tij edhe “Fiati”. Fatmirësisht nga kjo përplasje, edhe pse e fortë, ka pasur vetëm dëme materiale dhe asnjë të lënduar. Po kështu policia rrugore, që ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, pasi ka marrë deklarimet e 3 drejtuesve të automjeteve, nuk ka shoqëruar asnjërin prej tyre, përveç gjobitjes së drejtuesit të “Benzit”, për tejkalim të normave të shpejtësisë. Ndërkohë një tjetër aksident vetëm një orë pas përplasjes së parë ka ndodhur pranë “Pallatit me Shigjeta”, vetëm disa metra larg urës Teknologjike, ku kryqëzohet me rrugën e Kavajës. Një autoveturë ka përfunduar në Lanë si rezultat i shpejtësisë tej normave të lejuara. Por edhe ky aksident fatmirësisht ka qenë pa pasoja për drejtuesin dhe pasagjerin e mjetit. Ata kanë mundur të dalin vetë nga automjeti dhe kishin pësuar vetëm disa plagë të lehta. Ndërkoha makina është nxjerrë nga lumi dhe është konstatuar se kishte pësuar dëme të mëdha materiale. Sipas shefit të Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranës, Artan Osmani, të dy aksidentet kanë ardhur si rezultat i shpejtësisë me të cilën udhëtonin drejtuesit e automjeteve. “Kanë qenë dy përplasje që kanë ardhur vetëm për faj të drejtuesve, të cilët nuk respektojnë limitin e shpejtësisë që është përcaktuar për të lëvizur brenda për brenda qytetit. Fatmirësisht nuk është plagosur askush dhe ka pasur vetëm dëme materiale”, është shprehur Osmani. Sipas tij, në dy korsitë e unazës së brendshme të Tiranës, shpesh herë kanë ndodhur përplasje të tilla, të cilat vijnë vetëm si rezultat i mosrespektimit të sinjalistikës rrugore dhe shpejtësisë.  e.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›