E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serbia hap hetim kundër Fatmir Limajt, reagon Kosova

 

Prokuroria e Serbisë për krime lufte ka nisur hetime intensive kundër ministrit kosovar, Fatmir Limajt, ish-komandant i UÇK-së, për krimet kundër civilëve serbë në rajonin e Drenicës, duke provokuar edhe një herë qeverinë e Kosovës. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Gjykatës serbe për krime lufte, Bruno Vekariç. Sipas tij, kjo gjykatë ka dëshmi, të cilat e ngarkojnë Fatmir Limajn për krime të kryera në lokalitete të ndryshme në Kosovë, të cilat nuk kanë qenë të përfshira në aktakuzën e Gjykatës së Hagës kundër tij. Prokuroria serbe beson se ngjarjet lidhen me 10 majin e vitit 1998, kur UÇK ‘sulmoi’ Belaçevacin, duke rrëmbyer dhjetë minatorë serbë dhe të paktën 30 civilë serbë në rajonin e Drenicës. Veç Limajt janë nën hetim, Sahit Jashari, Sulejman Selimi, (tani në Forcat e Sigurisë së Kosovës) dhe Sami Lushtaku. Lidhur me njoftimet e mediave të Beogradit se prokuroria serbe po zhvillon hetime kundër Fatmir Limajt, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Memli Krasniqi, ka deklaruar se prokuroria e Serbisë ka filluar një farsë me motive politike dhe se do të ishte më mirë sikur të përqendrohej në arrestimin e kriminelëve të vet. Krasniqi ka deklaruar se prokuroria serbe nuk duhej të niste këtë hetim qesharak dhe të pabazë ndaj liderëve të Kosovës, por të përqendrohet në arrestimin e kriminelëve të vet. “Kjo është edhe një farsë e institucioneve të Serbisë, të cilat po përpiqen që përmes manipulimeve të ndikojnë para së gjithash në opinionin e vet të brendshëm, por edhe të provojnë të ndikojnë në opinionin e jashtëm, në ç’drejtim nuk kanë pasur sukses”, ka thënë zëdhënësi Memli Krasniqi. Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës këto komente i ka bërë duke reaguar ndaj paralajmërimeve të prokurorisë serbe për krime lufte se po bën hetim intensiv ndaj ish-komandantit të UÇK-së, Fatmir Limaj, sot ministër i Transportit dhe Post-Telekomunikacionit të Kosovës, për “dyshime për krime lufte ndaj civilëve serbë në rajonin e Drenicës. Gjykata Ndërkombëtare e Hagës e ka shpallur të pafajshëm ish-komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fatmir Limaj, për të gjitha pikat e aktakuzës për krime lufte ndaj civilëve serbë e shqiptarë në rajonin e Drenicës gjatë vitit 1988.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›