E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbardhet trafiku i 40 kileve heroinë

 

Trazhgim Sokolaj

Ngarkesa me 40 kilogramë heroinë, e cila u bllokua mbrëmjen e së shtunës në Kakavijë, është shitur për 500 mijë euro te tre shtetasit gjermanë të arrestuar gjatë aksionit “Kështjella”. Destinacioni i parë i drogës mësohet se ka qenë Greqia, ku dy korrierët gjermanë tentuan të kalojnë ngarkesën kur u ndaluan nga policia shqiptare. Pas kalimit në Greqi, mësohet se një pjesë e drogës do të trafikohej në drejtim të Gjermanisë, ndërsa Prokuroria nuk përjashton mundësinë e ndarjes së lëndës narkotike në disa pjesë dhe transportimin e mëvonshëm në destinacione të ndryshme. Pjesa më e madhe do të nisej për në Itali, me qëllim kalimin drejt Gjermanisë, ndërsa ka të dhëna se një pjesë e ngarkesës mund të mbahej në Greqi. Nga hetimet e Prokurorisë mësohet se dy korrierët gjermanë, që u kapen duke trafikuar drogën, kanë hyrë në Shqipëri të enjten. “Franz Kiacsek, 66 vjeç, dhe Regina Kiacsek, 63 vjeçe, të dy me shtetësi gjermane ranë në pranga gjatë lëvizjes në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës. Ata kishin ardhur në Shqipëri dy ditë para arrestimit dhe kishin marrë masat për automjetin me targa gjermane me të cilin do të bëhej lëvizja e lëndës narkotike në drejtim të Greqisë”, thanë burimet nga hetimi. Sipas tyre, dy korrierët gjermanë kanë ardhur në Shqipëri pothuajse në të njëjtën kohë me gjermanin e tretë të arrestuar, Daniel Anglert, 48 vjeç. Hetuesit konfirmojnë se ky i fundit ka qenë personi që ka bërë pagesën për lëndën narkotike, e cila më pas u është dorëzuar dy korrierëve të sjellë prej tij nga Gjermania. Korrierët mësohet se kanë hyrë në vendin tonë nëpërmjet portit të Durrësit. Gjatë qëndrimit në Shqipëri ata kanë pasur kontakte me blerësin e drogës Daniel Anglert, i cili u arrestua në Rinas mbrëmjen e të shtunës duke ikur nga Shqipëria. Sipas hetimeve, blerësi gjerman i drogës kishte vendosur të largohej pasi kishte bërë pagesën për lëndën narkotike dhe ua kishte dorëzuar atë korrierëve të tij, të cilët me një makinë me targa të huaja ishin nisur në drejtim të Greqisë përmes pikës kufitare të Kakavijës.
Pjesa shqiptare
Transaksioni i sasisë më të madhe të drogës të kapur ndonjëherë në vendin tonë, megjithatë kishte edhe protagonistët shqiptarë. Albert Pellumbaj, 40 vjeç dhe Zaim Tafa, 45 vjeç, të dy lindur dhe banues në Fier, ranë në prangat e policisë gjatë të njëjtit aksion që arrestoi shtetasit gjermanë. Sipas të dhënave nga policia mësohet se biznesmeni Zaim Tafa, i njohur në zonën e Fierit si pronari i kompleksit “Kështjella”, si dhe i arrestuari tjetër Albert Pellumbaj, janë implikuar në trafikimin dhe transportimin e 40 kileve heroinë nga Maqedonia në Shqipëri. Sipas të dhënave hetimore, mësohet se ngarkesa me vlerë 500 mijë euro kishte ardhur në Maqedoni nga Turqia. Në këtë kohë, dy personat e arrestuar në Fier kanë hyrë në kontakt me shtetasin gjerman Daniel Anglert që bleu drogën. Pasi kanë konfirmuar transaksionin mësohet se dy të arrestuarit nga Fieri kanë realizuar marrjen e drogës në dorëzim nga Maqedonia dhe mbajtjen e saj në Shqipëri derisa ajo u është dorëzuar dy korrierëve gjermanë që ishin “pajtuar” nga blerësi kryesor Daniel Anlgert për transportimin e heroinës. 

Të arrestuar

Franz Kiacsek,         66 vjeç
Regina Kiacsek,         63 vjeçe
Daniel Anglert,         48 vjeç   

Albert Pellumbaj,         40 vjeç
Zaim Tafa,             45 vjeç

Sekuestruar
40 kg heroinë e pastër
Një automjet “Peugeot”

Bashkëshortët gjermanë korrierë të drogës të maskuar si turistë
TIRANE – Transporti i lëndës narkotike, që u bllokua në Kakavijë, po bëhej nga dy shtetasit gjermanë, Franz Kiacsek, 66 vjeç dhe Regina Kiacsek, 63 vjeçe, bashkëshortë mes tyre. Ata mësohet se kanë deklaruar në pikën kufitare se ishin një çift gjermanë, që do të shkonin për pushime në Greqi. Me këtë argument duket se korrierët e ngarkesës me drogë kanë tentuar të “mashtrojnë” autoritetet e policisë, megjithatë një hetim i nisur javë më parë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, paraprakisht kishte siguruar të dhëna për lëndën që fshihej në automjetin e çiftit gjerman. Për këtë shkak justifikimi se ishin pushues që do të shkonin në Greqi, por as mosha e thyer e dy personave, nuk i kanë ndihmuar ata të shmangin kontrollin e policisë në automjetin me targa gjermane. Gjatë kontrollit në makinë, policia gjeti 80 qese plastike të fshehura ndërsa në secilën prej tyre kishte nga 500 gramë heroinë të pastër. Sipas burimeve nga hetimi, mësohet se çifti i bashkëshortëve gjermanë do të kryente transportimin e drogës për në Greqi kundrejt pagesës ndërsa ata do të synonin më pas kalimin me Itali me anë të trageteve të transportit në rrugë detare.                  tr.so

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›