E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përplasen dy automjete, humbin jetën 4 vetë

AKSIDENTET/ Një furgon i cili lëvizte me shpejtësi ka marrë me vete një autoveturë duke përfunduar në kanal


LEZHË - Katër vetë kanë humbur jetën pas një aksidenti automobilistik që ndodhi mesditën e së premtes në superstradën Lezhë - Laç, në vendin e quajtur Kryqëzimi i Shënkollit.


Një furgon me targa të Tiranës është përplasur me një automjet tip "BMV", duke dalë nga rrugë dhe duke rënë nga ura në një kanal, ku si pasojë kanë gjetur vdekjen të katër personat që ndodheshin në autoveturë.


Banorë të zonës kanë nxjerrë nga uji tre të plagosur, të cilët janë dërguar menjëherë për në spitalin ushtarak të Tiranës, njëri prej të cilëve ka gjetur vdekjen gjatë transportimit, ndërsa tre viktimat janë dërguar për në morgun e qytetit të Lezhës.

Viktimat janë dy shtetas shqiptarë dhe dy shtetas italianë, bashkëpronarë në firmën e prodhimit të këpucëve në qytetin e Shkodrës, të cilët ishin drejtuar për aeroportin e Rinasit.


Antonio Kacato, 46 vjeç, Ipacio Manjo, 40 vjeç, që të dy nga Leçe e Italisë, Edmir Vorfa, 31 vjeç, dhe Enver Hallvadori, 60 vjeç, që të dy nga Shkodra janë viktimat të cilët udhëtonin në mjetin tip "BMV", ndërsa drejtuesi i furgonit është shtetasi Sokol Mema, i cili sipas policisë së Lezhës, mendohet të jetë nga Kavaja ose Durrësi dhe ndodhet në gjendje të rëndë për jetën. Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes vetëm pak minuta pas përplasjes së mjeteve, duke angazhuar forca të shumta për të normalizuar situatën dhe trafikun tepër të rënduar.


Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, aksidenti i rëndë ka ndodhur rreth orës 12:25 dhe gjithçka ka ndodhur vetëm në pak sekonda.


Kështu, dëshmohet se automjeti tip furgon me targa TR 9943 R ka qenë duke dalë nga rruga e plazhit të Tales për në superstradë me një shpejtësi të madhe, ndërsa automjeti tip "BMV" me targa SH 5270 E ka qenë duke kaluar me shpejtësi të ulët pikërisht përballë këtij aksi dytësor, që vjen nga zona turistike e Tales duke udhëtuar drejt Rinasit.


Drejtuesi i furgonit nuk ka mundur të kontrollojë mjetin e tij për shkak të shpejtësisë, çka ka bërë që të përplaset me veturën,duke e marrë para atë dhe të dy automjetet kanë rënë në kanalin që ndodhej përkrah rrugës.


Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, njëri nga të plagosurit ka mundur të dalë nga furgoni duke kërkuar ndihmë dhe për shkak të plagëve të shumta ai është dërguar fillimisht në spitalin rajonal të Lezhës dhe më pas është transportuar për ndërhyrje të specializuar në Spitalin Ushtarak të Tiranës.


Teksa kanë nxjerrë të plagosurit, banorët e zonës kanë tentuar të nxjerrin edhe tre trupat e pajetë të personave të tjerë që ndodheshin brenda në veturë. Por teksa dy janë dërguar për në morgun e spitalit të Lezhës, një i tretë kishte mbetur i bllokuar në makinë dhe është dashur ndërhyrja e mjeteve të rënda për të nxjerrë kufomën.


Përplasja e mjeteve ka qenë tepër e fortë, duke bërë që automjetet të pësojnë dëmtime të rënda, që sollën më pas edhe bilancin tragjik të këtij aksidenti me katër të vdekur. Viktimat i përkasin që të gjithë autoveturës tip "BMV" me targa të Shkodrës, ndërsa ende nuk bëhet e ditur lidhja në mes të 2 viktimave italiane dhe dy qytetarëve nga Shkodra.


Për dy orë me radhë superstrada në afërsi të Kryqëzimit të Shënkollit ka krijuar një trafik të rënduar, kjo pasi ekspertë të policisë po kërkonin të zbardhnin shkaqet e këtij aksidenti tragjik, ndërsa dhjetëra banorë dhe kalimtarë të rastësishëm janë bërë protagonistë të një aksidenti tragjik, që rëndon bilancin e viktimave në rrugët e qarkut të Lezhës.


Motoçikletat, dy viktima në Shkodër


Përplasjet me motoçikletë kanë shkaktuar dy viktima dje në Shkodër. Në aksidentin e parë që ka ndodhur rreth orës 07:00 të së premtes ka ndërruar jetë 33-vjeçari Alfred Lazri nga fshati Mali i Jushit në Shkodër.


Përplasja ndodhi në vendin e quajtur "Rrugica Litaj", në Bushat. Mësohet se Lazri ka qenë duke lëvizur me një motoçikletë tip "Lonçin", pa targa, kur ka humbur kontrollin e drejtim të mjetit dhe ka dalë nga rruga. Si pasojë e përplasjes ai ka marrë plagë të rënda dhe ndonëse është dërguar me shpejtësi në spitalin e Shkodrës, rreth orës 11:20 ka ndërruar jetë.


Viktima e dytë e aksidenteve automobilistike në ditën e premte në Shkodër është shënuar rreth orës 18:50. 19-vjeçari Edmond Hila nga fshati Rragam i komunës Gur i Zi, teksa udhëtonte me një motoçikletë, është përplasur me një biçikletë.


Ai është dërguar në spitalin e Shkodrës ku megjithë mjekimin e marrë nuk ka mundur të mbijetojë dhe në 20:30 ka vdekur. Mësohet se adoleshenti ka humbur ekuilibrin nga devijimi i mjetit për të shmangur përplasjen me biçikletën dhe ka rënë në përrua, pasi është përplasur më parë në një mur anësor.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›