E Diel, 1 Nëntor 2026

Partneriteti strategjik me Italinë, një rezultat historik i kursit diplomatik të kryeminsitrit Berisha

Vizita në Itali dhe takimi me Berluskonin cilësohen si zhvillime historike, që sollën në rezultatin e paprecedentë të firmosjes së një partneriteti strategjik. Konfirmimi i parë; mbështetja e vizionit të kryeministrit për Shqipërinë si një superfuqi energjetike

Në vijim të fjalës para deputetëve demokratë, kryeministri Sali Berisha iu referua edhe vizitës në Itali dhe takimin e zhvilluar atje me homologun e tij, Silvio Berluskoni.
Berisha tha se ka marrë garanci të plota për inkurajimin në Shqipëri, të investimeve italiane.
“Kryeministri italian u angazhua të inkurajojë investitorët italianë në vendin tonë. Ai inkurajoi agjencitë turistike për të organizuar ture drejt vendeve të mrekullueshme në Shqipëri”, u shpreh ai. Sipas tij, investitorët e huaj, e në veçanti ata italianë, kanë më shumë besim të investojnë në vendin tonë.
Kryeministri e cilësoi vizitën e tij në Itali si historike, sepse aty firmosi një dokument për Partneritetin Strategjik, i cili ngre në një nivel të pa qenë më parë marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy kombeve dhe dy vendeve.
“Vizita ime në Italinë mike kulmoi me takimin që zhvillova me Kryeministrin e Republikës së Italisë, Silvio Berluskoni, takim i cili e bëri vizitën historike, ndonëse e theksoj se unë, e fundit që me shkon në mend është të punoj për historinë. Në këtë vizitë ne firmosëm një dokumenti historik, dokumentin e Partneritetit Strategjik ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Italisë. Ky dokument është produkt i një bashkëpunimi të gjatë, miqësor, i një solidariteti të jashtëzakonshëm që kombi mik italian dhe qeveria italiane kanë zhvilluar në dy dekadat e fundit me kombin dhe qeverinë shqiptare. Dokumenti i Partneritetit Strategjik institucionalizon marrëdhëniet e shkëlqyera të derisotme. Pra, qeveritë angazhohen për mbledhje të përbashkëta vjetore dhe për të shqyrtuar seriozitet zhvillimet në marrëdhëniet bilaterale”, tha kryeministri.
Kreu i qeverisë cilësoi se Italia angazhohet të mbështesë fuqishëm projektin evropian të kombit shqiptar: heqjen e vizave, statusin e kandidatit dhe procesin e integrimit. Dimensione të reja do të fitojë lufta kundër kriminalitetit dhe bashkëpunimi i agjencive të zbatimit të ligjit me njëra-tjetrën.
“Pra, marrëveshja përbën një akt historik në marrëdhëniet e shkëlqyera dhe miqësore mes dy vendeve tona”, u shpreh Berisha.
Shefi i ekzekutivit shqiptar vuri në dukje se kryeministri Berluskoni dhe qeveria italiane mbështesin plotësisht vizionin e qeverisë shqiptare për shndërrimin e Shqipërisë në një superfuqi energjetike rajonale.
“Mediave italiane në Verona, atyre të pranishme në konferencë, por edhe gjatë drekës, i thashë Kryeministrit Berluskoni se një nga shtyllat kryesore të këtij vizioni qëndron në faktin se Italia është një nga tregjet më të mëdha energjetike në Evropë dhe kjo përbën për Shqipërinë një nga mundësitë më të mëdha për të eksportuar energji drejt vendit tuaj. Tregu është treg dhe është i përcaktuar. Ne ramë dakord të shqyrtojmë mundësinë e bashkëpunimit të gjithanshëm në fushën energjisë, të ndërtimit të hidrocentraleve, të termocentraleve, me burime të ndryshme, të kabllove nënujore. Pra, mendoj se nga ky takim, vizioni energjetik i qeverisë shqiptare ka dalë shumë më i fuqishëm dhe ka marrë një mbështetje të madhe për t’u shndërruar në realitet”, deklaroi kryeministri.
Gjithashtu, pjesë e bisedimeve mes dy kryeministrave, ishte edhe Korridori 8-të, si një korridor i madh tregu, i cili i shërben Italisë për tregjet ballkanike, por edhe Ballkanit për tregun italian drejt tregjeve perëndimore.
“Kërkova mbështetjen e Kryeministrit Berluskoni në Bruksel për këtë Korridor dhe mora mbështetje të plotë. Në pranverë do të organizohet një konferencë për transportin me ministrat e Transporteve të vendeve të rajonit, ku unë ftova dhe ministrin italian të Transporteve Altero Matteoli që të jetë i pranishëm në këtë konferencë në Tiranë”, tha më tej Berisha.
Kreu i qeverisë sqaroi në mbledhjen e grupit të PD, edhe deklaratën e keqinterpretuar të homologut italian.
Berisha tha se Berluskoni bëri një kompliment ndaj tre gazetareve shqiptare, e cila ngjalli keqkuptim.
“Komplimenti padrejtësisht ngjalli një keqkuptim. Nëse Berluskoni bëri një kompliment në drejtim të treja gazetareve që ishin shumë të pashme, nuk duhet te keqkuptohet. Kjo ishte një shaka e tij”, u shpreh kryeministri Berisha.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›