“Opozita të bëhet pjesë e dialogut në tryezë dhe të heqë dorë nga sjelljet e saj jo logjike”

Deklaron Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Ilir Meta
Zëvendëskryeministri dhe njëherazi ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta shprehet se opozita duhet të respektojë afatet kushtetuese për thyerjen e bojkotit, pasi në të kundërt do të zbatohet ligji për mandatet, çka do të thotë zëvendësim të deputetëve aktualë të PS.
Meta bëri këtë deklaratë përmes një konference për shtyp, menjëherë pas kthimit nga Sllovenia, ku zhvilloi një vizitë zyrtare disa ditore. Ministri i Jashtëm tha se mbështet tryezën e Presidentit për vendosjen e një dialogu mazhorancë-opozitë, por hodhi poshtë mundësinë e hapjes së kutive të votimit. Numri dy i qeverisë u shpreh optimist për zgjidhjen e ngërçit politik, që sikundër tha ai, nuk duhet të jetë aspak në shkelje të dispozitave kushtetuese dhe vendimeve të gjyqësorit.
Ai komentoi edhe tryezën e një dite më parë të Partisë Socialiste me aleatët e saj, duke e quajtur vendimin për vazhdimin e protestave si një presion ndaj dialogut që po zhvillohet me ndërmjetësimin e Presidentit.
Ju jeni shprehur mjaft optimist për sa i përket zgjidhjes së ngërçit politik në vend. Ku e shikoni dhe ku e gjeni ju gjithë këtë optimizëm duke pasur parasysh edhe rezultatet e para të tryezës së dialogut?
është detyra jonë të jemi optimistë, njëkohësisht dhe të punojmë për zgjidhje pozitive dhe konstruktive. Unë dua të përshëndes qëndrimin shumë konstruktiv të Kryeministrit Berisha, të mbajtur në tryezën e organizuar nga Presidenti Topi me kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama, gatishmërinë e tij për të vlerësuar dhe për të mirëpritur të gjitha shqetësimet qoftë dhe në mënyrë të listuar nga ana e lidershipit të Partisë Socialiste dhe vullnetin për t`i gjetur zgjidhje të gjitha pretendimeve të përfaqësuesve të opozitës për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me raportet midis opozitës dhe maxhorancës. Njëkohësisht, dua të vlerësoj edhe nismën e Presidentit Topi, gjithashtu edhe të inkurajoj Presidentin, në mënyrë që ashtu si palët, ka rënë dakord të bëjë përpjekjet e tij për të eksploruar të gjitha pikat e takimit të cilat bëjnë të mundur përfundimin e kësaj situate absurde dhe njëkohësisht funksionimin normal të opozitës në Parlament, të Parlamentit dhe gjithë institucioneve të tjera në funksion të axhendës integruese që ka vendi.
Ditën e shtunë u zhvillua një tryezë. A ndiheni ndopak i përjashtuar nga kjo tryezë dhe a do të ishit dakord nëse do të kishte një vendim mes dy palëve?
Unë jam në mbështetje të çdo zgjidhjeje konstruktive, të logjikshme parimore dhe natyrisht kushtetuese që ndihmon në rikthimin e Opozitës në Parlament, për një funksionim më aktiv dhe më të plotë të Parlamentit dhe në këtë drejtim Lëvizja Socialiste për Integrim është shprehur qartë në mbështetje të çdo zgjidhjeje konstruktive dhe çdo veprimi konstruktiv që shkon në këtë drejtim. Ndërsa për sa i takon pyetjes suaj më konkrete, për hapje të plotë apo të pjesshme të kutive, mendoj se nuk kemi të bëjmë me çështje kutish, por kemi të bëjmë me një çështje që lidhet me zbatimin e Kushtetutës dhe parimeve të saj dhe të respektimit të vendimeve që Gjykata Kushtetuese ka dhënë në të kaluarën për sa i takon objektit të komisioneve hetimore parlamentare. Edhe Kryeministri Berisha u shpreh shumë qartë që është i gatshëm të pranojë gjithçka që ka të bëjë me raportet e opozitës me mazhorancën, por natyrisht çështjet të cilat janë gjykuar nga gjykatat mund të ndiqen vetëm në rrugë të mëtejshme gjyqësore. çdo futje e politikës do të ishte një hap prapa për demokracinë dhe për shtetin ligjor në vendin tonë. Për çështje të tilla unë mendoj se kanë një rrugë e cila është rruga gjyqësore, megjithatë unë do të dëshiroja dhe një herë tjetër që të ecet në mënyrë konstruktive drejt një zgjidhjeje politike që respekton kuadrin kushtetues të vendit.
Si e shikoni rolin e Presidentit në këtë tryezë, nisur dhe nga ajo që thatë, a mendoni që meqë tryeza nuk solli rezultate konkrete do ishte më mirë që negociatat të zhvilloheshin në një nivel më të gjerë dhe me një përfaqësi më të lartë të tipit ndërkombëtar?
Unë besoj se Presidenti do të bëjë përpjekjet e tij, si deri tani, konstruktive, për të ndihmuar që të gjithë të orientohen në një mënyrë sa më pozitive për një zgjidhje e cila duhet të tregojë një pjekuri të klasës politike në vend dhe një ndjeshmëri ndaj axhendës së Integrimin Evropian që ka vendi ynë. Natyrisht, nuk mendoj që çdo gjë varet vetëm nga Presidenti. Duhet pjekuri nga të gjithë, aq më tepër kur vihet re që ka tendenca për të bërë presione të panevojshme dhe jashtë etikës ndaj Presidentit, të cilat nuk munguan as në ditën e Shën Valentinit.
Sa të mundshme e shikoni ju rikthimin e opozitës në Parlament dhe e dyta, një nga pretendimet e opozitës që tashmë është e pa negociueshme sipas z. Rama është edhe hapja e kutive të votimit, në një situatë të tillë a mund të themi që rinisja e dialogut të bisedimeve me kreun e shtetit është e dështuar?
Duke iu referuar përpjekjeve konstruktive dhe pozitive, kam parasysh që të dy palët bëjnë përpjekje për të gjetur një zgjidhje sa më të pranueshme. Në rast se flitet për ultimatume, atëherë s`kemi më dialog por kemi të bëjmë me humbjen e logjikës dhe me përpjekje të qëllimshme për të krijuar një situatë krejtësisht të panatyrshme politike dhe institucionale. Pavarësisht nga këto lloj deklarimesh, kam bindjen se mazhoranca do t’ia gjejë zgjidhjen me përgjegjësi dhe me konstruktivitet pasi kjo është detyra e mazhorancës.
Ditët po kalojnë dhe po vjen 6 marsi, konsideruar si afati kushtetues për mbarimin e mandateve të Partisë Socialiste. Ju çfarë prisni, cila është pritshmëria juaj nga kriza tek Presidenti dhe e dyta, datën 6 mars z. Montobio e ka deklaruar si datë e rëndësishme për Shqipërinë në marrëdhënie edhe me Bashkimin Evropian, pasi pak më vonë në datën 11, ka një këshill që do të përgatisë mbledhjen tuaj të ardhshme në Bruksel në maj, e cila është një datë tjetër ë rëndësishme dhe siç thotë Montobio kjo ndodh vetëm një herë në vit. Si do të shkojë Shqipëria në këto tryeza në këto bisedime me Bashkimin Evropian, çfarë parashikoni?
Unë shpresoj se kjo do të kontribuojë për një zgjidhje politike duke respektuar kuadrin kushtetues të vendit para datë 6 mars. Jam i bindur që maxhoranca ka këtë vullnet dhe këtë preokupim dhe uroj që të gjithë aktorët e tjerë të sillen njëkohësisht më këtë përgjegjësi sepse Shqipëria ka një axhendë të rëndësishme integruese përpara e cila nuk duhet të cenohet nga axhenda personale e cilitdo qoftë.
Do të ndalem një moment tek folja “kontribuoj”. Si do të kontribuoni, a keni marrë ndonjë kontakt me liderin e opozitës për të bërë një lloj negocimi me të, dhe nga qëndrimi i djeshëm duket sikur kundërshtari më i madh i Edi Ramës jeni ju?
Unë nuk dua të merrem me deklarata inatçore, nuk jam këtu për të zbrazur mllefe, unë jam këtu për t’u bërë një apel gjithë palëve dhe sidomos përfaqësuesve të opozitës që të kuptojnë që nga ana e mazhorancës, duke përfshirë dhe LSI-në si pjesë e kësaj maxhorance, ekziston gjithë vullneti për të arritur një zgjidhje politike brenda kuadrit kushtetues të vendit. Për pretendimet e tyre, e theksoj dhe njëherë, kanë të bëjnë me çështjet e gjykatave. Ato s`janë çështje që kanë të bëjnë thjesht me kutitë por janë çështje që kanë të bëjnë me gjykatat, sepse janë gjykatat ato që kanë marrë vendime për pretendimet lidhur me problemet e numërimit apo rinumërimit, pra problemet e kutive. Për problemet e gjykatave ata janë të lirë t`i drejtohen gjithë gjykatave në vend, përfshirë dhe Gjykatën Kushtetuese, siç i janë drejtuar edhe për raste të tjera. Ndërsa përpjekja e tyre për të implikuar mazhorancën apo qeverinë apo edhe parlamentin në çështje që kanë të bëjnë me pavarësinë e gjykatave, mendoj se janë koncepte të vjetra politike. Shqipëria ka një kushtetutë e cila ka një parim shumë të rëndësishëm, ka një parim themelor atë të ndarjes së pushteteve dhe pushteti gjyqësor është një pushet i pavarur nga politika dhe nga qeveria.
A mund të bëni një parashikim për vijueshmërinë e negociatave?
Unë nuk dua të parashikoj se çfarë do të ndodhë dhe çfarë nuk do të ndodhë. Në çdo rast jam i bindur që kushtetuta do të zbatohet. Por do të ishte e rëndësishme dhe do të ishte një tregues pjekurie që të gjendej një zgjidhje politike brenda kuadrit kushtetues të vendit.
Konkretisht si politikan me eksperiencë çfarë mund të propozojë Ilir Meta për situatën aktuale?
Jam shumë dakord me propozimin që ka bërë Berisha. Opozita të listojë gjithë pretendimet e saj. Dhe për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me raportet mes opozitës dhe mazhorancës, të diskutohet dhe t’i jepet zgjidhje me vullnetin më të mirë. çështja e gjykatave nuk është dhe nuk mund të jetë çështje e mazhorancës dhe e opozitës. çështjet e gjykatave janë çështje të gjykatave, ka nivele të tjera të gjykatave të cilave mund t`u drejtohet kushdo që ka probleme ose mund ti drejtohet dhe Prokurorisë në rast se ka fakte për manipulime apo për cenime të procesit zgjedhor.
çfarë mund të hetohet nga komisioni parlamentar hetimor?
Të gjitha këto janë çështje të cilat mund ti hetojë komisioni parlamentar hetimor. Ky është një vullnet i shprehur prej kohësh, normalisht që janë ftuar të kenë edhe shumicën.
çfarë do të thotë zgjidhje politike?
Zgjidhje politike do të thotë që të ketë një kompromis, një marrëveshje që opozita të marrë vendet që i takojnë përpara afatit që është lajmëruar si afati i fundit kushtetues.