“Inkurajues nisja e dialogut, presim me urgjencë rezultate pozitive”
Komisioneri i ri i BE, për Zgjerimin, Stefan Fule
Bashkimi Europian po e ndjek me mjaft interes zhvillimet politike në Shqipëri duke e konsideruar nisjen e dialogut mes kryeministrit Berisha dhe kryesocialistit Rama si një shans i mirë për zgjidhjen e ngërçit politik. Pas deklaratave të shumta të ndërkombëtarëve, mbi këtë situatë, Zyra e Komisionerit të ri europian për zgjerimin Stefan Fule në një komunikatë për shtyp, vlerëson nisjen e bisedimeve mes dy partive më të mëdha në vend.
E pyetur mbi tryezën e dialogut pozitë-opozitë, Angela Filote zëdhënësja e komisionerit për zgjerimin Stefan Fule, tha se Brukseli shpreson që dialogu do të sjellë një rezultat pozitiv.
“Komisioneri Stefan Fule po ndjek shumë afër situatën në Shqipëri. Ne urojmë dhe duam shumë që të shohim progres”, u shpreh ajo.
Deklaratat më të fundit të ardhura nga Bashkimi Europian dhe Këshilli u Europës kanë inkurajuar dialogun mes mazhorancës dhe opozitës dhe i kanë bërë thirrje Partisë Socialiste në veçanti t’i japë fund bojkotit e të kthehet në parlament.
Në të gjitha deklaratat e Presidentit të KE-së Jerzi Buzek, Zëvendëspresidentit Libor Roucek dhe eurodeputetëve, vihet theksi tek rezoluta e Parlamentit Europian, që i ka bërë thirrje opozitës shqiptare t’i japë fund bojkotit të parlamentit dhe i kërkon asaj të kryejë detyrën kryesore që është përfaqësimi i votuesve të saj në legjislativ.