E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Në tryezë vetëm për çështjet politike, vendimet e gjykatave, jo pjesë e bisedimeve”

Kryeministri Sali Berisha sqaron edhe njëherë pozicionin e mazhorancës

Kreu i qeverisë Sali Berisha deklaron qëndrimin e palëkundur të mazhorancës ndaj kërkesave të opozitës, duke argumentuar se ato janë probleme të Partisë Socialiste me gjykatat.
Berisha ritheksoi se hapja e kutive nuk është çështje e mazhorancës dhe as e politikës në tërësi, por vetëm e gjykatave, të cilat janë shprehur me një vendim të formës së prerë kohë më parë. Në kuadër të tryezës së dialogut, të iniciuar nga Presidenti Topi, shefi i mazhorancës rikonfirmoi se është i hapur për çdo kompromis, por që kurrsesi nuk do të ketë asnjë vendim që shkon në kundërshtim me ligjet.
Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD, Berisha theksoi se shumica është gati të ngrejë komision hetimor parlamentar që këtë të enjte, por, shtoi kryeministri, nuk mund të dilet dhe as të shkelin vendimet e gjykatave.
“Unë kam vullnet të ulem me opozitën dhe që mazhoranca të japë kontribut madhor në zgjidhjen e krizës. Gjykatat kanë vendosur dhe do të vendosin sa herë që palët t’i drejtohen asaj, por vendimi i tyre sapo jepet nuk është më problem ndërpalësh, por është problem vetëm me gjykatën. Unë nuk i kam kërkuar asnjëherë, askujt, të trajtojë problemet tona me gjykatën. Ju e keni dëgjuar opozitën të citojë 17 vendime kundër qeverisë dhe ne si kemi kërkuar asnjëherë opozitës të bëjmë diçka kundër këtyre vendimeve, sepse ato janë vendime të gjykatave, nuk ka përgjegjësi opozita. Opozita edhe kur na ka paditur ne nuk mban përgjegjësi. Nuk mundem, në asnjë mënyre, që problemet që opozita ka me gjykatën t’i bëjë probleme midis qeverisë dhe opozitës. Kjo nuk mund të ndodhë. Për vendimet e gjykatave opozita i ka problemet me gjykatat. Ka qenë dhe do të jetë kështu, derisa gjykatat janë të pavarura dhe të mos i bëjmë vegël të ekzekutivit, që s’mund të bëhen kurrë. Po marrim këto zgjedhje, të cilat kanë pasur standardet më absolute të transparencës në botë dhe që kanë rekordin botëror të transparencës, numërimin e votave me filmim, me fotografim, me transmetim, me numërim. Gjykatat nuk mund t’i bëjmë degë të ekzekutivit”, u shpreh kreu i qeverisë, Sali Berisha
Kryeministri i ka dhënë të gjitha garancitë kreut të shtetit për të gjetur zgjidhjen e situatës politike.
“Tryeza përfundoi duke i kërkuar Presidentit të vazhdojë më tej të eksplorojë mundësitë e konvergjencave midis palëve. Unë dua t’ju them ju dhe mbarë shqiptarëve se shpreha vullnetin tim të ndershëm dhe të sinqertë që të ulem me opozitën dhe të trajtoj një për një të gjithë listën e problemeve që opozita ka me qeverinë, për qeverinë apo për Partinë Demokratike, në frymën më të hapur dhe më konstruktive. Unë nuk dua të bëj nxjerr detaje, meqenëse ato kishin një konfidencialitet, por ajo që kam deklaruar edhe jashtë takimit është se i kam kërkuar Ramaës të listojë të gjitha problemet që ai konsideron se shumica duhet t’i përgjigjet opozitës dhe unë jam plotësisht i gatshëm ti trajtoj me seriozitetin më të madh dhe mënyrën më konstruktive”, deklaroi kryeministri.
Ai dhe një herë u shpreh se si ka kërkuar, kryetarit të PS-së listimin e të gjitha problemeve që gjykon se kanë të bëjnë me mazhorancën, por sipas Berishës, mazhoranca nuk mund të zgjidhë problemet e opozitës me gjykatat.
“Sikundër propozova se opozita, duke shprehur se jemi totalisht dakord me rezolutën e Këshillit të Evropës, të marrë dhe të hartojë amendamentin për të gjitha rekomandimet e Këshillit të Evropës dhe raportit të OSBE/ODIHR-it, i cili është edhe raporti bazë, sepse nëse rezoluta ka 3-4 rekomandime, ndërsa ai ka 13 rekomandime. Opozita t’i marrë, t’i konvertojë në amendamente dhe t’i instalojë në Kodin Zgjedhor. E garantova se jemi gati që nesër të ngremë komisionin hetimor parlamentare dhe opozita të ketë shumicën, për të hetuar të gjitha problemet që do listohen. Por ama të nderuar deputetë, ky vend ka një histori 19 vjeçare zhvillimi, dhe kjo histori jashtëzakonisht e rëndësishme të mbahet parasysh duke i garantuar opozitës se jam i hapur të shqyrtojë çdo kërkesë midis nesh. Kurrë ndonjë herë nuk e kam konsideruar dhe nuk do e konsideroj çështje bilaterale, çështjen e vendimeve të gjyqësorit”, theksoi Berisha.
Duke e garantuar opozitën se mazhoranca është e gatshme të shqyrtojë çdo kërkesë që është midis PS dhe PD, por, shtoi Berisha, nuk mund të konsiderohen çështje bilaterale, vendimet e gjyqësorit.
Lidhur me pretendimet për ndryshim rezultati, Berisha kujtoi mandatin e Fierit, i cili iu mor Partisë Demokratike duke zhvlerësuar 512 vota të komunës së Ruzhdies.
“Gjykata i zhvlerësoi se ato ishin me një vulë dhe vulën tjetër e kish marrë komisionari socialist, i cili u zhduk gjithë ditën. Ne dhe Rama kishim shkruar në ligj se fleta e votimit për të qenë e vlefshme duhet të mbajë vula dhe jo vulën. Edhe gjykatësit thanë se ne do të zbatojmë germën dhe jo frymën. Kjo është puna e tyre, por ama as kam thënë dhe as do të them ndonjëherë se mandatin ma grabiti Partia Socialiste. Jo, mandatin ne na e mori gjykata”, shtoi Berisha, duke përmendur një rast konkret të heqjes së mandatit, thjesht me vendim të gjykatës.
Për më tej, Berisha u kthye prapa në kohë teksa kujtoi përplasjet e Partisë Demokratike me Gjykatën Kushtetuese në vitin 2000. Berisha tha se në atë kohë PD ka pasur 10 mandate. Pas një shqyrtimi të zonës së Arta Dades, Fehmi Abdiu vendosi të miratojë rezultatin me vetëm një kuti të hapur, ndërkohë që numërimi i kutisë së dytë do të përmbyste rezultatin.
“U hap kutia e parë, ndërkohë ishin për t’u hapur të tëra, dhe ajo kuti nxori fituese zonjën Dade. Gjykatësi që po zbatonte, e kuptoni vetë se çfarë, tha s’ka nevojë për më tutje, sepse kutia tjetër e përmbyste rezultatin. Ne për këtë rezultat nuk thamë se është çështje e Partisë Socialiste. Ne këtë rezultat ia quajtëm gjykatës. U bënë raporte ndërkombëtare dhe ne e denoncuam gjykatën në këto raporte”, deklaroi më tej, kryeministri Berisha.
Kreu i mazhorancës mbylli fjalën e tij, duke shprehur gatishmëri të plotë për të vijuar dialogun dhe gjetjen e një zgjidhjeje të mundshme.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›