Pavarësisht krizës globale, të ardhurat u rritën 30 përqind më shumë se në 2006

Ministri i Financave Ridvan Bode, prezanton analizën e buxhetit të konsoliduar të 2009-ës
Ministri i Financave Ridvan Bode bëri prezantoi dje analizën e të ardhurave vjetore në buxhet, për vitin 2009.
Bode u shpreh se ka një realizim të parashikimit të të ardhurave, pavarësisht efekteve të krizës financiare globale. Ai theksoi se krahasuar me vitin 2008, ka një rritje të të ardhurave në buxhet me rreth 2.4 për qind, ndërsa krahasuar me vitin 2006, ka një rritje prej më shumë se 30 për qind.
“Të ardhurat në buxhetin e konsoliduar për vitin 2009 janë 298.3 miliardë lekë ose 21.6 miliardë më shumë se parashikimi për këtë periudhë.
Krahasuar me vitin 2008, ka një rritje të të ardhurave totale me rreth 2.4 për qind dhe një rritje prej 30 për qind krahasuar me vitin 2006. Të ardhurat tatimore u realizuan në masën 270,6 miliard lek, dhe me një rritje prej 2.3 për qind krahasuar me vitin 2008 dhe 31.7 për qind krahasuar me vitin 2006”, u shpreh Bode.
Ai vuri në dukje se të gjithë sektorët e administrimit ekonomik në vend, ka korrur sukses në vjeljen e taksave dhe detyrimeve.
“Të ardhurat nga tatimet dhe doganat janë 208.6 miliardë lekë, 10.7 miliardë më pak se parashikimi dhe 1.6 për qind me shumë se në vitin 2008 dhe 31.4 për qind më shumë se në vitin 2006; të ardhurat nga taksat vendore janë 12.1 miliardë, 6.2 miliardë më pak se parashikimi dhe 7.4 për qind më të larta se një vit më parë; të ardhurat në buxhetet e pavarura janë 49.8 miliardë, 391 milion më pak se parashikimi dhe 4.1 për qind me shumë se në vitin 2008; të ardhurat jo tatimore arritën në 24.5 miliardë, me një mosrealizim prej 900 milion lek ndaj një viti më parë prej 3 për qind më pak; të ardhurat nga ndihmat janë 3 miliardë lekë, 3.2 miliardë më pak se parashikimi dhe 27 për qind më pak se një vit më parë”, nënvizoi ministri i Financave.