“Do investojmë gjithçka për Shqipërinë si superfuqi energjetike, në shfrytëzim të gjitha potencialet”
Delegacion i KE nga Departamenti i Politikave të Energjisë dhe Transportit, vlerëson si vizionare projektet e qeverisë për prodhimin e energjisë
Kryeministri Sali Berisha zhvilloi dje një takim me një delegacion të Komisionit Evropian, nga Departamenti i Politikave të Energjisë dhe Transportit, të kryesuar nga z. Samuele Furfari.
Furfari i shprehu kryeministrit Berisha kënaqësinë e tij dhe të Departamentit që ai përfaqëson, në lidhje me politikat dhe strategjitë e qeverisë shqiptare në sektorin e energjisë. Ai theksoi se Komisioni Evropian ka në qendër të politikave të tij rritjen dhe diversifikimin e burimeve të prodhimit të energjisë, si dhe të eficencës së saj. Përdorimi i burimeve të rinovueshme të energjisë është një nga prioritetet e ditëve të sotme, por theksoi ai, nuk duhen lënë pas dore edhe burimet e tjera të prodhimit të energjisë, nga djegia e fosileve, mbetjeve urbane, biomasës, etj., sipas teknologjive moderne që garantojnë pastërti maksimale ambienti. Kjo, për faktin se kërkesat për energji rriten shumë më shpejt se burimet e prodhimit të saj. Kombinimi i energjive të prodhuara nga uji, era, dielli, djegia e fosileve, bërthamore etj. është domosdoshmëri dhe prioritet i Evropës, për të shkuar drejt rritjes së eficencës së përdorimit e prodhimit të energjisë, si dhe pavarësisë së Evropës nga burime e tregje jo të qëndrueshëm.
Krahas energjisë elektrike, edhe promovimi i përdorimit të energjisë së gazit përbën një faktor të rëndësishëm të zhvillimit me ritme të shpejta të Evropës.
Ai e vlerësoi si vizionare dhe të efektshme jo vetëm për Shqipërinë, por mbarë rajonin dhe Evropën, strategjinë dhe politikat e qeverisë shqiptare në këtë drejtim. Shtimi i projekteve private në këtë fushë dëshmon për suksesin e direktivave të Komisionit Evropian, mbajtur parasysh nga qeveria shqiptare.
Kryeministri Berisha, pasi e falënderoi Furfanin për prezantimin e situatës energjetike në Evropë dhe në botë, theksoi se vizioni i qeverisë së tij është: Shqipëria, edhe pse një vend i vogël – superfuqi energjetike. Ky vizion bazohet në faktin që nëse ka një treg pothuajse të përjetshëm, është tregu i energjisë. Kërkesa për të po rritet pafundësisht dhe domosdoshmëria e ndjekjes së saj përbën çelësin e suksesit të strategjive dhe reformave të qeverisë sime, u shpreh Kryeministri Berisha.
Kryeministri i prezantoi delegacionit projektet në zhvillim për shfrytëzimin e të gjitha potencialeve të prodhimit të energjisë në Shqipëri. Qeveria shqiptare, theksoi Kryeministri Berisha, po ecën me hapa të shpejtë edhe në realizimin e një projekti investimi bërthamor në rang rajoni.
Kryeministri i siguroi ata se të gjitha direktivat edhe politikat e KE-së dhe të BE-së janë pika reference të programeve te qeverisë së tij dhe se e vlerëson pa masë bashkëpunimin në suksesin e objektivave ambicioze të tij për kthimin e Shqipërisë në një vend të fuqishëm eksportues të energjisë, si dhe qendër të sistemit të transportit të gazit.