Përplaset automjeti, aksidentohet Astrit Patozi
I shpëton mrekullisht një përplasjeje fatale, e cila do kishte ndodhur për shkak të shpejtësisë tejet normave të lejuara me të cilën po udhëtonte automjeti tjetër. Bëhet fjalë për aksidentin e ndodhur paraditen e djeshme, kur një automjet ka përplasur te “Zogu i Zi” makinën me të cilën ka qenë duke udhëtuar deputeti dhe njëkohësisht nënkryetari i PD-së, Astrit Patozi. Menjëherë në vendngjarje ka mbërritur policia rrugore, e cila ka bërë të mundur ndalimin e shtetasit që aksidentoi z.Patozi, i cili fatmirësisht nuk ka pësuar lëndime nga përplasja. Aksidenti ka ndodhur në orët e paradites në rrethrrotullimin e “Zogut të Zi”. Sipas burimeve policore, shkak për këtë aksident ka qenë automjeti që përplasi makinën e z.Patozi, i cili ka qenë duke lëvizur me shpejtësi tejet normave të lejuara. Policia ka ndaluar drejtuesin e automjetit, i cili do të hetohet në gjendje të lirë për veprën penale “shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor”.