E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë; Kërkoheshin për tentativë vrasjeje, arrestohen në Rinas dy shtetas

Kërkoheshin për “Vrasje të mbetur në tentativë”, arrestohen në Rinas dy shtetas, konkretisht Xhemajl Matoshi, vjeç 49, lindur në Tropojë e banues në Tiranë dhe Ardin Ahmataj, vjeç 21, lindur dhe banues në Tiranë. Sipas burimeve policore, Matoshi po udhëtonte nga Greqia si pasagjer i zakonshëm me linjë ajrore, ndërkohë në kabinat e hyrjes gjatë verifikimit të tij nga efektivët e policisë, rezultoi se me vendim të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë Nr 340 / 469 datë 29.04.1998 është dënuar me 10 vjet burg për veprën penale të “Vrasjes së mbetur në tentativë”. Po ashtu, është bërë kapja e Ahmatajt, i cili po udhëtonte nga Italia me linjë ajrore si pasagjer i zakonshëm. Nga verifikimet e kryera nga strukturat e policisë ka rezultuar se me vendim të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë Nr 258 datë 27.02.2008 është dhënë ndaj tij masa e sigurisë “Arrest me burg” për veprën penale të “Vrasjes së mbetur në tentativë”. Të dy këta shtetas i janë dorëzuar për veprime të mëtejshme Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë.

Rinas

Vrau 11 vite më parë, ekstradohet Lena Gjoni

E akuzuar për një vrasje të 11 viteve më parë, arrestohet në Itali dhe më pas ekstradohet nga Interpol për llogari të drejtësisë shqiptare. Nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana u krye ekstradimi i shtetases Lena Dedë Gjoni, vjeç 51, nga Lezha, e cila akuzohet për veprën penale të “Vrasjes me paramendim”. Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Shtetit, ekstradimi i kësaj shtetaseje është bërë dy ditë më parë nga Milanoja, Itali. Ndaj shtetases Lena Gjoni Gjykata e Rrethit Lezhë me vendimin numër 64, të datës 07.08.2007, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprën penale të “Vrasjes me paramendim”. Ngjarja, për të cilën akuzohet kjo shtetase, ka ndodhur në Lezhë, ku më 11 qershor 1997, në shtratin e lumit Mat në fshatin Shënkoll është gjetur kufoma e shtetasit Marash Gjoni, i cili ishte qëlluar me armë zjarri. Pasi është bërë dokumentimi ligjor i ngjarjes nga policia, ka rezultuar që autore e dyshuar e këtij krimi është shtetasja Lena Gjoni. Falë bashkëpunimit ndërmjet Interpol Tiranës dhe autoriteteve policore italiane, është bërë i mundur arrestimi i kësaj shtetaseje në Itali në muajin prill të vitit 2008. Në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas kjo shtetase u është dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›