Velipoja, plazh i pasigurt për pushuesit
Plazhi më i madh në veri të Shqipërisë, Velipoja, edhe këtë sezon turistik ka mbetur në mëshirë të fatit, pa roje bregdetare. Kjo situatë ka bërë që pushuesit realisht të ndihen të frikësuar përballë detit, që jo pak herë ka marrë jetë njerëzish. Gjatë këtij sezoni turistik, në plazhin e Velipojës kanë humbur jetën si pasojë e mbytjes në det tre persona. Nëse gjatë bregdetit do të kishte pasur roje apo vëzhgues, mbase numri i viktimave do të ishte më i vogël. Në Velipojë pushojnë çdo ditë rreth 200 mijë veta, kryesisht banorë të rretheve të veriut të vendit dhe nga Kosova. I shtrirë në një gjatësi prej 15 kilometrash, plazhi i Velipojës është një nga zonat turistike që e ka të domosdoshme praninë e rojeve bregdetare. Për të mos mjaftuar mungesa e rojeve, një tjetër problem në këtë plazh është edhe fenomeni i baticës dhe zbaticës në det që ndodh dy herë gjatë 24 orëve. Ky fenomen është thuajse i panjohur nga pushuesit, të cilët rrezikojnë të mbyten nëse i zë batica në det, pasi thellësia e ujit rritet me gati një metër. Dy vite më parë, në plazh kanë qenë të vendosura disa pika vrojtimi, në të cilat qëndronin gjatë gjithë ditës rojet bregdetare që ngrinin flamujt nëse hyrja në det ishte e rrezikshme nga dallgët apo kur ishte koha e baticave detare. Por ato pika vrojtimi që ishin të ndërtuara nga elemente hekuri janë hequr nga persona të papërgjegjshëm, që i kanë shitur për skrap. Që nga ajo kohë plazhi i Velipojës ka mbetur pa pika vrojtimi dhe roje bregdetare. Për pushuesit situata është kthyer në një makth, pasi u duhet të ruajnë fëmijët dhe të afërmit në kohën që hyjnë në ujë për t‘u freskuar. Një pushues nga Kosova, Mit‘hat Ukshini, duke folur për gazetën thotë: "Kemi disa vite që kalojmë pushimet në plazhin e Velipojës. Kur kishte roje bregdetare zinim vend afër tyre te pika e vrojtimit, sepse i kishim fëmijët nën kontroll. Tani na duhet ta bëjmë vetë rojen. Të them të drejtën, kemi ardhur për të pushuar, por mendjen e kemi te fëmijët, pasi uji është i rrezikshëm, sidomos kur ka baticë. Ky është një plazh madhështor, i pastër dhe me gjithçka tjetër, por mungesa e rojeve e hedh poshtë gjithçka. Shpresojmë që kur të vijmë vitin tjetër të gjejmë rojet". Drejtues të Komunës Velipojë pohuan për gazetën se mungesa e rojeve në plazh është fenomen shqetësues dhe pavarësisht se pikat e vrojtimit janë vjedhur për t‘u shitur për hekur, serish komuna do të vendosë pika të reja vrojtimi, si edhe roje bregdetare, por kjo periudhë është lënë pa roje, për shkak të kushteve financiare. Në gjithë plazhin e Velipojës, vetëm në një territor privat ka pikë vrojtimi e roje dhe në këtë territor numri i pushuesve është më i lartë se në pjesët e tjera të plazhit, pasi pushuesit ndihen të sigurt. Krejtësisht ndryshe është situata në plazhet fqinje, në Mal të Zi, të cilat e kanë të detyrueshme prezencën e rojeve bregdetare, madje çdo ditë ngrihen flamujt në bregdet sipas ngjyrave që përcaktojnë edhe rrezikun e hyrjes në det.