E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përplasja me Berishën dhe dosjet përvëluese

Prokurorja e Përgjithshme
e Shqipërisë, Ina Rama,
shpreson që përplasja
institucionale me qeverinë,
e drejtuar nga Berisha, të
tejkalohet me angazhimin e të
gjitha palëve. Ajo e konsideron një
qëndrim politik dhe jo pretendim
ligjor kërkesën e mazhorancës për
ngritjen e një komisioni parlamentar
për hetimin e veprimtarisë
së prokurorisë në trajtimin e
çështjes ‘Fazliç‘.
Rama tha, gjatë një interviste
të gjatë për BBC-në, se hetimet
e Prokurorisë së Tiranës për këtë
çështje janë në fazën fillestare dhe
se veprimet e ndërmarra deri tani
kanë qenë konform ligjit.
Vizita e saj në Londër ishte
me ftesë të drejtorit të Shërbimit
të Prokurorisë Mbretërore në
Londër, Sir Ken McDonald dhe
synon vendosjen e kontakteve
të drejtpërdrejta me homologët
britanikë.
A trajtuat ndonjë rast konkret
gjatë qëndrimit tuaj në Londër?
Patëm edhe diskutime në nivel
teknik për çështje të veçanta, që
janë në proces, si nga homologët
britanikë, ashtu edhe nga ne, për
të cilat gjithashtu ne po tentojmë
të kemi një bashkëpunim.
A u trajtua çështja e Ilir Kumbaros?
Jo, kjo nuk ishte një nga çështjet
që u trajtua. U trajtuan çështje të
tjera, që janë në proces e sipër,
për të cilat ne kemi nevojë të
shpejtojmë dhe të facilitojmë
procedurat.
Një nga çështjet më të mprehta
të kohëve të fundit për prokurorinë
shqiptare ka qenë edhe
çështja ‘Fazliç‘. A u trajtua ajo
gjatë vizitës suaj në Britani, pasi
ai është edhe shtetas britanik?
Jo, nuk ishte nga çështjet që ne
trajtuam me kolegët britanikë.
Dhe ku qëndron, momentalisht,
si status, çështja ‘Fazliç‘?
Jo hollësi për hetimin, po ku ka
mbetur?
Ajo ka mbetur në fillimet e saj,
siç besoj se shtypi e di. Eshtë një
çështje, e cila është regjistruar si e
tillë, pra kemi një procedim penal
të regjistruar në Prokurorinë e
Tiranës. Zoti Fazliç ka në këtë procedim
cilësinë e personit, ndaj të
cilit zhvillohen hetimet dhe besoj
që Prokuroria e Tiranës është duke
kryer veprimet hetimore që mund
të konsiderohen fillestare, sepse
me të vërtetë që jemi në fillim të
një procedimi penal. Mund t‘ju
kujtoj që procedimet penale në
shumë raste të tjera zgjasin për
mjaft kohë dhe ne, edhe pasi kemi
bërë hetime të vazhdueshme,
përsëri do të rezervohemi për të
dhënë konkluzione të mirëfillta.
Aq më tepër për këtë procedim,
që është në fazat e tij fillestare,
nuk mund të themi asgjë. Mund
të themi që po bëhen veprime
hetimore për të parë nëse ekzistojnë
apo jo dyshimet që organi
i akuzës ka pasur, se kemi vepra
penale të kryera.
A pati një tentativë për t‘i
paraqitur atij një kërkesë për t‘u
paraqitur në prokurori?
Nuk pati një tentativë, por
prokuroria paraqiti një kërkesë,
ose më mirë, në terma proceduralë,
është një ftesë për ta pyetur
zotin Fazliç ditën që ai ndodhej
në Shqipëri, një ftesë që për shkak
të rrethanave, për shkak se si u
zhvilluan rrethanat, nuk arriti
dot të ekzekutohej. Ishte një ftesë
për ta pyetur atë. Unë përfitoj nga
rasti këtu për të sqaruar opinionin
publik, sepse me të vërtetë e kam
ndjekur mediatikisht qëndrimin
që është mbajtur, që ishte një
urdhër-ndalimi apo një urdhërarresti.
Këto janë spekulime.
Ka qenë një ftesë për ta pyetur.
Eshtë një e drejtë procedurale e
prokurorëve që zhvillojnë hetime.
Sigurisht, që zoti Fazliç ka pasur
edhe në momentin që mund t‘i
komunikohej ftesa të gjitha të
drejtat për të mos iu përgjigjur,
për të kërkuar një avokat, për të
kërkuar kohë, të drejta procedurale
që i ka çdo shtetas, ndaj të cilit
zhvillohen hetime në Republikën
e Shqipërisë.
Megjithatë, ai nuk e mori këtë
ftesë për këto arsye. A ia keni
paraqitur ju zyrtarisht atij këtë
ftesë, pas këtij incidenti?
Po. Di t‘ju them se ai nuk e
mori, nuk di t‘ju them nëse më tej
janë bërë tentativa të mëtejshme
për ta rithirrur, për ta marrë për
të dhënë shpjegime, ose për t‘u
pyetur. Sigurisht që kjo është një
procedurë që do ta vlerësojnë
prokurorët e çështjes dhe do ta
vlerësojnë ata se kur do të jetë
momenti dhe si do të zhvillohen
procedurat.
A ka pasur ndonjë shkelje
procedurale nga prokurorët që u
morën me këtë çështje, në ndonjë
moment?
Nuk më rezulton që prokurorët
të kenë vepruar në shkelje të ligjit
në veprimet hetimore që janë
kryer për çështjen ‘Fazliç‘. Nga
dijenia që kam, ata kanë vepruar
duke zbatuar normat e procedurës
penale në të gjitha veprimet
hetimore e kryera deri tani.
Si e konsideroni atëherë përpjekjen
e mazhorancës për krijimin
e një komisioni parlamentar
për hetimin e veprimtarisë së
prokurorëve që u morën me këtë
çështje?
Mendoj se ky është një qëndrim
politik. Nuk është një pretendim
ligjor, si të themi. Eshtë një
mënyrë e të parit të çështjes nga
një pikëvështrim i ndryshëm, por
e gjithë kjo nuk luhat pozicionin
tim, që e shpreha pak më parë.
Unë mendoj se prokurorët kanë
vepruar konform ligjit në të gjitha
ato hallka, në të gjitha ato veprime
që kanë ndërmarrë.
Megjithatë, po t‘i shtojmë kësaj
edhe deklaratën e Kryeministrit
për një hetim ndërkombëtar,
a nuk tregon kjo që marrëdhëniet
e institucionit tuaj me ekzekutivin
janë, le të themi, në një ngërç
për momentin?
Në të vërtetë, paraprakisht,
doja t‘ju thosha që ne nuk kemi
modele hetimesh ndërkombëtare
në Shqipëri dhe, që ky vullnet të
merret e të konsiderohet seriozisht,
duhet të vishet me petkun
e një norme ligjore. Kemi deri
më sot modele asistencash të
prokurorëve të huaj në hetime
të veçanta në Shqipëri, por që,
sigurisht, këto kanë pasur një
procedurë të caktuar ligjore për
t‘u bërë. Por, asnjëherë këta prokurorë,
që kanë marrë pjesë në
hetimin e çështjeve shqiptare,
nuk kanë pasur të drejtë të marrin
vendime rreth hetimit. Ata kanë
asistuar, kanë koordinuar punët
dhe vetëm kaq. Unë mendoj se
prokuroria shqiptare nuk ka përse
t‘i trembet një asistence të huaj,
por, gjithsesi, nuk mund të lë pa
përmendur faktin që e gjithë kjo
dëmton imazhin e institucionit
të akuzës, sepse ul kredibilitetin
e tij në publik.
Dhe a janë marrëdhëniet institucionale
të Prokurorisë së
Përgjithshme me ekzekutivin në
një ngërç?
Duhet thënë që ne kaluam
një moment të vështirë në këto
raporte. Patëm një përplasje institucionale.
Mendoj se është shumë
e rëndësishme që ky moment të
kapërcehet, për shkak se edhe
dua të fokusohem fort në këtë
moment. Duhet që të gjithë institucionet
t‘i bashkërendojnë punët
për të pasur një rezultat të mirë. As
prokuroria, e vetme, nuk mund të
realizojë funksionet e saj, as institucionet
e tjera, po ashtu, sidomos
në aspektin e ushtrimit të ndjekjes
penale. Shpresoj fort që do të ketë
një vullnet të përbashkët që kjo
përplasje të kapërcehet. Eshtë në
të mirën e ne të gjithëve.
Sa j u k o m p ro m e t o n
mbështetja e flaktë e opozitës
për ju, për Prokuroren e Përgjithshme
të Republikës në këtë
moment, e bërë qoftë për arsye
parimore, qoftë për arsye pragmatike
nga ana e opozitës?
Së pari, nuk më duket se është
e flaktë. Nuk konstatoj ndonjë gjë
të tillë. Sigurisht, mendoj se opozita
është duke bërë pjesën e saj
politike në këtë situatë. Mendoj
se e rëndësishme është që puna,
imja ose e organit që drejtoj, të
jetë e mbështetur në ligj. Në rast
se ne do të veprojmë duke zbatuar
ligjin, pak rëndësi ka pastaj se
kush të mbron dhe kush të godet.
E rëndësishme është që gjithë
aktiviteti që organi i prokurorisë
kryen, veçanërisht në raste specifike
që janë sensitive për publikun,
të jetë në mënyrë ekstreme i
mbështetur në ligj.
Megjithatë është shumë e
rëndësishme kur ju mbron ambasadori
amerikan në Tiranë me
deklarata që mund të lexohen
shumë lehtë, si ‘mos e prekni Prokuroren
e Përgjithshme‘...!
Jo, unë nuk do ta lexoja kështu.
Mund ta lexonim ndryshe. Mund
ta lexonim që ‘lërini ata që zbatojnë
ligjin ta zbatojnë ligjin‘!
Ndoshta konstatimi që, jo vetëm
ambasada amerikane, por unë
do të them se edhe ambasadorët
e Bashkimit Evropian kanë bërë
në mbështetje të institucionit të
prokurorisë për këtë rast, lidhet
me faktin që ata duhet të kenë
konstatuar që ne kemi vepruar
drejt, se prokuroria ka zbatuar ligjin
në të gjitha hallkat, në të gjitha
veprimet që ka ndërmarrë në këtë
çështje, në këtë situatë.
Zonja Rama, nga kush duan
t‘ju mbrojnë ndërkombëtarët?
Mendoj se ndërkombëtarët po
mbështesin prokurorinë, që ajo
të vazhdojë të bëjë punën e saj,
të vazhdojë të jetë e pavarur në
vendimmarrjen e saj.
Ju jeni e re në moshë, e re në
detyrë. Keni të paktën tri çështje
hetimore, ku janë të përfshirë
emrat e ministrave, ish-ministrave,
pjesëtarëve të afërt të Kryeministrit.
Sa ndikon gjithë kjo
trysni në aktivitetin tuaj dhe të
institucionit që drejtoni?
Të gjitha këto çështje kanë
peshën e tyre në mënyrën se si
zhvillohen punët, si ecin punët në
sistemin e akuzës. Vetëm fakti që
çdo vendimmarrje, çdo hap, çdo
veprim hetimor që ndërmerret
në këto çështje, është një veprim
që monitorohet në të gjitha
drejtimet, në të gjitha aspektet,
të vendos në një farë trysnie. Do
të preferoja që puna jonë të ishte
në kushte më komode, sigurisht.
Do të preferoja që ne të bënim
punën tonë pa qenë e nevojshme
që në çdo hap që hedhim të kemi
komente nga njëri krah, apo nga
krahu tjetër. Do të preferoja që
prokurorët ta ndjenin veten të lirë
dhe të qetë në gjithë aktivitetin e
tyre, sepse kjo lloj trysnie, edhe
kur është pozitive, edhe kur është
në mbështetje të fortë të prokurorisë,
ndoshta-ndoshta prish
ekuilibrin e një pune normale.
Do të preferoja që puna e prokurorisë
të ishte e saj, të mos ishte
kaq publike, të mos merreshin
të gjithë me të. Por, në fund fare,
kjo është një situatë që nuk varet
prej nesh, nuk varet prej meje, ne
nuk mund ta kontrollojmë dot.
Kështu që, ajo që na bie si detyrë,
është që ne të operojmë sikur nuk
dëgjojmë asgjë, sikur nuk kemi
asnjë lloj trysnie, sikur askush nuk
na bezdis në punën tone dhe jemi
të përqendruar vetëm te faktet që
ne mbledhim nga hetimi. Eshtë
një ndërmarrje e vështirë, po kjo
është sfida jonë.
Dhe një sfidë tjetër është hetimi
për tragjedinë e Gërdecit,
si dhe hetimi për tregtinë e paligjshme
të municionit drejt
Afganistanit. Në ç‘fazë ndodhen
hetimet për këto dy çështje?
Grupi hetimor, me sa kam dijeni,
ka kryer pjesën më të madhe
të hetimeve që mund të kryheshin
prej grupit hetimor në Shqipëri
dhe jemi në pritje të letër-porosive,
që u kemi dërguar homologëve
tanë në SHBA, në Qipro e në Zvicër.
Presim përgjigjet e tyre dhe
mendoj që, pas marrjes së këtyre
përgjigjeve, ndoshta do të kemi
nevojë të bëjmë veprime të tjera
hetimore. Gjithsesi, nuk mund të
parashikojmë gjë, për sa kohë që
përgjigjen nuk e kemi në dorë dhe
nuk dimë çfarë të dhënash do të
na vijnë nga homologët tanë.
Jeni e kënaqur me ritmet e
hetimeve gjatë këtyre më shumë
se shtatë muajve që kanë kaluar
nga tragjedia?
Mendoj që puna është bërë në
kohë reale. Eshtë një çështje shumë
komplekse, shumë voluminoze,
shumë e ngarkuar. Ndoshta
mund të kishte edhe ritme më të
mira, por, gjithsesi, mund të them
se po bëhet një punë e mirë.
Si e shihni ju rolin e medias?
Ajo shpesh publikon skandale të
ndryshme korrupsioni, trafiku,
krimesh. A iu ndihmon ajo me
këto botime, apo thjesht ngrihet
një tymnajë që e pengon më pas
punën tuaj, apo në raste të veçanta
edhe e dekonspiron hetimin që
mund të ketë filluar?
Në fakt, për të folur për rolin
e medias në punën që bëjmë ne
ndoshta do të na duhej një emision
i veçantë. Ndoshta një ditë
të bukur mund të vendosim të
ulemi e të flasim shtruar, sepse
është me të vërtetë një pikë delikate
dhe e rëndësishme për t‘u
trajtuar. Sigurisht që informacionet
reale që media hedh në shtyp
për publikun, kur ato përbëjnë
njoftime për vepra penale, janë të
vlefshme për ne. Patjetër. Prokuroria
duhet t‘i vlerësojë seriozisht.
E rëndësishme është të dallohet
ajo që është skup mediatik dhe ai
që është vërtet lajm dhe për cilin
nga këto duhet të vlerësojë dhe
duhet të vihet në lëvizje organi i
akuzës. Mendoj se media shumë
herë ndihmon, sigurisht me informacionet
që jep, por edhe shumë
herë devijon punën e organit të
akuzës, qoftë duke nxjerrë në shtyp
informacione të panevojshme
dhe që dëmtojnë hetimin, qoftë
duke shprehur njëlloj kurioziteti,
ndoshta të tepruar për natyrën
që ka hetimi, që ka procedimi
penal.
Si vepron prokuroria, institucionalisht,
në raste kur media
dekonspiron ndonjë hetim?
Në fakt, ajo që dekonspiron
hetimin ndoshta në këtë rast
është personi që përcjell lajmin te
media dhe, në zbatim të normave
ligjore, duhet të nisë një procedim
ndaj këtyre individëve. Problemi
është që kemi një situatë jo shumë
të normuar ligjërisht për rrjetin e
personave që marrin një informacion
të caktuar në çështje dhe
bëhet shumë i vështirë përcaktimi
i rrjetit të personave që kanë pasur
dijeni për informacionin, për
lajmin. Eshtë një proces që, minimalisht,
mendoj se duhet zgjidhur
në aspektin disiplinor, në rast se
do të kemi konstatime dhe pastaj
për të kaluar edhe në aspektin e
përgjegjësisë penale. Por i gjithë
përcaktimi i rrethit të individëve,
duke qenë se është i gjerë, është i
pacaktuar, ndoshta e fut organin
e akuzës nëpër tymnaja të tjera,
nëpër punëra që nuk do të arrijë
dot t‘i përfundojë, do ta shkëpusë
nga vëmendja e hetimit thelbësor,
që është primar.
Dhe kur jemi te ligji, kuadri
ligjor i sistemit të drejtësisë po
ndryshon, po reformohet, ka disa
drafte, të cilat kanë ngjallë edhe
shumë debat. Si e konsideroni
draftin për prokurorinë?
Drafti për prokurorinë pësoi
disa ndryshime në vazhdim të
punës që bëri grupi i punës i ngritur
nga ministri i Drejtësisë bashkë
me një urdhër të përbashkët, që e
kam nënshkruar edhe unë. Mendoj
se drafti pati avancime shumë
pozitive. Di që ne jemi ndarë në
disa pika me ministrin e Drejtësisë
dhe në variantin pothuajse
përfundimtar që kemi hartuar.
Sigurisht që, mendoj se secila nga
palët e interesit do të mbrojë qëndrimin
e saj dhe, pastaj do të jetë
vullneti politik i Parlamentit që do
të vendosë se cili do të jetë opsioni
që do të marrë formën ligjore.
Nëse do të ishit deputete, do
ta kishit votuar këtë draft, siç
është?
Me variantin që propozon prokuroria
do ta kisha votuar.
Paraardhësi juaj në këtë detyrë,
zoti Theodhori Sollaku, u
akuzua nga mazhoranca e tanishme
se flinte mbi dosjet e
korrupsionit dhe krimit. A keni
gjetur ju dosje të fjetura, kur e
morët këtë post?
Mendoj se ky është term mediatik.
Në prokurori ka dosje të
pezulluara. Eshtë një koncept
procedural, një status procedural.
Prokuroria i vë këto dosje në
lëvizje kur merr një informacion
nga Policia e Shtetit, e cila ka të
dhëna të reja, për të cilat
duhet të prishen vendimet
e pezullimit dhe duhet të
rivihen në lëvizje dosjet. Kjo
është situata për çështjet e pezulluara
që janë të fjetura, që janë të
heshtura. Unë di t‘ju them se për
çdo material kallëzues, që vjen sot
në prokurori, e gjithë fryma që kam
përcjellë në organin e akuzës, është
që ai të vlerësohet maksimalisht
dhe askush të mos shpëtojë nga
ndjekja penale. Ky term i përdorur,
ndoshta do të ishte më i frytshëm
po të ishte konkret. Cilat janë
këto dosje të fjetura konkretisht?
Kush është gabimi i prokurorisë?
Cili është veprimi që prokuroria
duhej të bënte dhe nuk e ka bërë?
E lançuar në këtë formë më duket
se tenton të dëmtojë imazhin e
institucionit të akuzës, por pa hyrë
në detaje. Përgjegjësitë janë individuale
dhe janë konkrete.
Megjithatë ka kritikë që thonë
se p.sh., në rastet që përmendëm
më sipër, përmenden emrat e
ministrave dhe ish-ministrave të
kësaj qeverie të lidhur me afera
korruptive, ndërkohë që nuk ka
asnjë rast të ndonjë ish-zyrtari
të lartë të administratës të dikurshme,
të paktën publikisht, në
ndonjë proces hetimor.
Do t‘ju them që në aspektin
procedural, prokuroria ka të drejtë
të nisë hetime kryesisht dhe në
pjesën më të madhe të marrë kallëzime
nga institucione shtetërore
dhe nga shtetasit. Në rast se zërat
që thonë se prokuroria nuk po
heton për ish-zyrtarë të opozitës,
janë në gjendje të paraqesin fakte
konkrete para organit të akuzës,
për të cilat duhen investiguar këta
persona, atëherë ky është një diskutim
tjetër. Unë mund t‘ju them
që aktualisht nuk ka kallëzime të
bëra rreth këtyre, nuk ka fakte
konkrete të prezantuara pikërisht
nga këta që thonë se këta persona
nuk po investigohen. Ka një Polici
Shteti, e cila mbledh informacione
dhe referon veprat penale, njoftimet
për veprat penale në organin
e akuzës, e që më pas nis hetimin.
Ose ka fakte të publikuara në media,
siç ishte rasti i çështjes ‘Fazliç‘,
që të detyrojnë të nisësh një
investigim, një procedim penal.
D.m.th., prokuroria e ka rolin e vet
proaktiv, por kryesisht vepron mbi
bazën e informacioneve që vijnë.
Me ç‘argumente konkretë do
të më bindnit se vërtet dëshironi
t‘u shkoni deri në fund çështjeve
që kanë mbetur pezull, pavarësisht
nga kostoja politike?
Do t‘ju thosha që ju duhet të
prisni që ne të marrim vendimet
e duhura. E rëndësishme është që
të jenë të duhura e të bazuara në
ligj. Pastaj, nëse ju do t‘i çmoni në
drejta apo jo, sepse mënyra se si e
vlerëson një qytetar, një politikan
një vendimmarrje të organit të
akuzës është e ndryshme nga
mënyra se si vlerëson vetë një
prokuror. Prokurori duhet të vendosë
mbi faktet që ka mbledhur
nga hetimi dhe jo mbi akuzat
publike apo diskutimet mediatike
që bëhen. Ka një dallim shumë të
madh. Në rast se ne do të marrim
vendime të bazuara në ato që
kemi mundur të mbledhim nga
investigimi, ne rast se do të arrijmë
t‘i mbështesim këto vendime
në gjithë provat e mbledhura,
gjykimi pastaj është një vlerësim
subjektiv dhe nuk mund të rendim
gjithë kohës pas tij.
Cili është ai aspekt me të cilin
do të mburreni në këta muaj që
keni qenë në krye të Prokurorisë
së Përgjithshme dhe a ka diçka
me të cilën ju vërtet do të dëshironit
të krenoheshit në përfundim
të mandatit tuaj në këtë detyrë?
Të mburresha sot do të ishte
shumë shpejt. Nuk do të doja të
nxitohesha. Ka një aspekt, me të
cilin unë do të krenohesha në rast
se do të arrija ta realizoja në fund
të mandatit tim. Në rast se nëpërmjet
punës që organi i akuzës do
të bënte gjatë këtij mandati do të
arrinte të rriste besimin e publikut
tek institucioni i akuzës, kjo do të
ishte një gjë për të cilën unë do të
isha shumë krenare, sadopak që
unë të kisha influencuar në këtë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›