10 kërkesat e opozitës për dorëheqje
Që pas ardhjes në pushtet të qeverisë së drejtuar nga Kryeministri Sali Berisha, opozita i ka kërkuar dorëheqjen për 10 çështje. Kërkesa e parë ka mbërritur në muajin gusht 2006 dhe kishte për objekt pasurinë e vajzës së Kryeministrit, Argita Berishën. Socialistët akuzuan se nuk është bërë deklarimi i saktë i pasurisë dhe pretenduan për fshehje pasurie. Gjithashtu, u pretendua se kreu i ekzekutivit kishte sakaq probleme me apartamentin e tij të ri. Çështja e dytë ishte çka u cilësua "Skandali Albatros" dhe që përfshiu ndjeshëm politikën. Partitë e opozitës konstatuan ushtrimin e një presioni politik ndaj Presidentit Alfred Moisiu që synonte shkarkimin prej tij të Kryeprokurorit Theodhori Sollaku. Siç u shfaq publikisht dhe siç u pretendua, drejtori i Përgjithshëm i Aviacionit Civil pati një komunikim me një të afërm të kreut të shtetit, duke e shantazhuar për biznesin e tij, nëse Moisiu nuk vendoste. Kaq mjaftoi që të majtët të mos reshtnin duke kërkuar dorëheqjen e Kryeministrit Sali Berisha, personi që, sipas tyre, qëndronte pas kësaj skeme. Moment tjetër ishte pranimi publik i thyerjes së embargos së naftës me ish-Jugosllavinë në mandatin e parë të qeverisjes së demokratëve. Kur kjo u pranua nga Berisha, në nëntor, socialistët nuk kursyen kërkesën për dorëheqje. Situata e prag-zgjedhjeve për pushtetin lokal dhe acarimi sa i takon shtyrjes së zgjedhjeve dhe standardeve të cenuara, bënë që të majtët sërish në dhjetor 2006 të kërkonin dorëheqjen. Më pas, ishte paralajmërimi publik i selisë rozë që, nëse Shqipëria nuk merrte ftesën për anëtarësim në NATO, Berisha do të duhej të jepte dorëheqjen. Më bombastikja si kërkesë, nisur nga rrethanat, ishte ajo fill pas tragjedisë së Gërdecit, ku humbën jetën plot 26 persona dhe u plagosën mbi 300 të tjerë. Njëri pas tjetrit, liderët e së majtës thanë se largimi i Berishës do t‘i hapte rrugë hetimit të imtësishëm për këtë çështje dhe vërtetimit gjithashtu të rolit që kishte Berisha në këtë që ndodhi. Në maj 2008, erdhi një tjetër apel për dorëheqje nisur nga çështja "Sefgjini". Drejtori aktual i Tatimeve, person nën hetim, u akuzua nga opozita se kishte gisht në zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha. Socialistët aluduan se ekzekutimi ishte kryer me porosi të Kryeministrit Sali Berisha dhe ish-kreut të SHIK-ut, Bashkim Gazidede. Pas këtij rasti vijnë edhe të tjera kërkesa, si ajo pas analizës së punës së qeverisë "Berisha" në gusht 2008, vdekjes së dëshmitarit kyç të trafikut të armëve, Kosta Trebicka, apo rasti i fundit i kritikave masive të ndërkombëtarëve për përplasjet qeveri-prokurori.