E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lëvizja "Mjaft!" nxjerr pasuritë kombëtare në ankand

Lëvizja "Mjaft!" organizoi dje simbolikisht një ankand për shitjen, në mes të bulevardit "Dëshmorët e Kombit", të pothuajse të gjitha qendrave e pasurive publike më të rëndësishme për zhvillimin e Shqipërisë. Pylli i Sodës, Kakomeja, Porto-Palermo, Syri i Kaltër, Gjiri i Lalzit dhe Kaskada e Vjosës "u shitën për 2 lekë" përpara selisë së Kryeministrit Sali Berisha, në të njëjtën kohë kur ky i fundit sapo ishte futur në zyrë. Në këtë formë, lëvizja "Mjaft!" denoncoi gjithë mënyrën e turpshme se si pushtetarët e sotëm po përdorin për dhënien e koncesioneve të ndryshme, apo për marrjen e vendimeve të dyshimta që pasohen nga shkatërrimi i pronës publike. Aldo Merkoçi, aktivist i lëvizjes, tha se "është e papranueshme që sot, në vitin 2008, shqiptarët nuk e dinë akoma një plan strategjik për zhvillimin e Shqipërisë: nëse në një vend konkret do zhvillojmë turizmin, industrinë apo bujqësinë?!". "Është gjithashtu e turpshme, shtoi më tej Merkoçi, që dëgjojmë çdo ditë ndonjë shit-blerje të tillë. Ka një mungesë të frikshme transparence për çdo vendim të shpejtë që qeveria po merr rrufeshëm gati çdo ditë". "Mjaft!" denoncoi përmes këtij aksioni, në fakt, të gjithë politikën shqiptare, edhe për mungesën e transparencës së financimit të partive politike. "Kemi dy të dhëna të sigurta: partitë nga njëra anë nuk bëjnë transparencën e financimit të tyre (të gjitha partitë), dhe nga ana tjetër biznese të caktuara, disa të lidhura edhe familjarisht me pushtetarët, po përfitojnë në mënyrë të dyshimtë nga prona e të gjithëve. Kjo sigurisht e rrit hapësirën e ndereve të ndërsjella biznes-politikë në kurriz të qytetarëve të thjeshtë", tha aktivisti i lëvizjes "Mjaft!". Me pak fjalë, sipas "Mjaft!", Shqipëria po trajtohet sot nga të gjithë politikanët si një biznes personal e si një truall ndërtimi për këdo që ofron "nderin" më të majmë…! Në sfondin e gjithë këtij "ankandi" të improvizuar, aktivistët e "Mjaft!" mbanin një baner ku shkruhej: "Shqipëria për 2 lekë".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›