E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: "Jo" shitje aksionesh shtetërore para zgjedhjeve

Lëvizja Socialiste për Integrim shprehu dje shqetësim për deklarimet e fundit të Kryeministrit. Ilir Meta i kërkoi shefin të qeverisë të reflektojë e të tërhiqet nga ideja për të marrë masa që synojnë privatizimin me shpejtësi të pasurive shtetërore. "Ne shprehim shqetësim për arsye se kjo përpjekje që synon të realizohet me shpejtësi, pikërisht tani kur jemi në fund të mandatit të kësaj qeverie, jo vetëm që do të lërë mjaft hapësira për abuzime dhe për korrupsion, theksoi Meta, por njëkohësisht kjo tentativë e qeverisë tregon edhe dështimet e saj në fushën e financave dhe të të ardhurave". Meta u ndal edhe tek ajo çka e cilësoi përpjekje për të mbyllur me një llogari afatshkurtër sa më shumë nga ato gropat e zeza që janë hapur me shumicë gjatë këtyre tri viteve në buxhetin e shtetit. "...prandaj ky është një vendim me karakter elektoral, i cili do të sjellë jo vetëm një dobësim të pozitave të shtetit në ekonominë e vendit, por njëkohësisht do të ndikojë për përfitime abuzive dhe jo transparente të grupeve të caktuara", nënvizoi Meta. Ndërkohë, vijoi ai, tashmë e dimë se është edhe një situatë e përgjithshme krize, ç‘ka mund të ndikojë edhe në shitjen e këtyre aksioneve nën vlerën optimale të këtyre aksioneve. Ky qëndrim i ish-kryeministrit Ilir Meta vjen menjëherë pas deklarimeve të Kryeministrit Sali Berisha. Ky i fundit, dy ditë më parë u angazhua për shitjen e aksioneve që kontrollojnë ende kompaninë celulare AMC. Duke theksuar faktin se kompanitë private ofrojnë garanci më të mëdha për zhvillim, Kryeministri premtoi transparencë të plotë të qeverisë gjatë të gjitha procedurave të të gjitha aseteve të fundit shtetërore që kanë mbetur pa shitur, ndërsa qeveria e tij ka hyrë në muajt e fundit të mandatit. "Do të privatizohen në mënyrë transparente aksionet që qeveria ka në sipërmarrje e kompani të ndryshme", tha Berisha. Kryeministri theksoi se qeveria në kuadrin e politikave të privatizimit është e vendosur të heqë dorë, nëpërmjet proceseve ligjore transparente, nga pronësitë e sipërmarrjet që duhet të privatizohen dhe nga ajo çka ka mbetur nga privatizimi. "Shitja e aksioneve që qeveria ka në AMC duhet të shoqërohet me shitjen në mënyrë transparente të aksioneve në të gjitha sipërmarrjet ku ne jemi aksionerë", tha ai. Çështja e shitjeve të kompanive shtetërore në fund të mandateve qeverisëse të një force politike ka qenë në vijimësi objekt i debatit publik. Disa herë në qeverisjen socialiste ishin drejtuesit e Partisë Demokratike që kritikonin publikisht tentativat për të nënshkruar marrëveshje shitjeje apo kredie në prag të zgjedhjeve parlamentare. Duke vënë gishtin edhe mbi emra të përveçëm, demokratët akuzonin se në këtë mënyrë rrezikohej të shpërdoroheshin fondet publike dhe krijohej mundësia për korrupsion. Një tjetër hamendësim ishte shpërdorimi që mund t‘u bëhej këtyre fondeve të përftuara, duke qenë se fushata zgjedhore ishte në nisje. Edhe në këtë rast sërish politika duket e vëmendshme për të mos lejuar që ky fenomen të ndodhë as në prag të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›