E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD zbulon skemën për votimin e kryetarëve të degëve

Zbardhen detajet e fushatës për zgjedhjet në Partinë Demokratike për degën Tiranë dhe Durrës. Megjithëse kandidati potencial për kreun e degës PD në kryeqytet, Gjergj Bojaxhi, është treguar i rezervuar lidhur me kandidimin e tij, deputeti Besnik Mustafaj ka dalë hapur se do të vazhdojë garën. Deputetët e Tiranës do të sjellin grupet e punës për 11 zonat e kryeqytetit dhe më pas grupet e PD-së në Tiranë do të zgjedhin delegatët që do të merren direkt me garën se cili do të jetë zëvendësuesi i Sokol Olldashit. Votimi i kandidatëve të propozuar nga kryesia e PD-së për postin numër një të kryeqytetit do të zgjidhet nga të deleguarit. Për të mos pësuar rrjedhje votash dhe për të anashkaluar grupet rivale brenda PD-së, Kryeministri Berisha do të merret drejtpërdrejtë me zgjedhjet e kryetarëve të degëve në Tiranë dhe Durrës. Ish-ministri i Jashtëm ka bërë të ditur se është duke hartuar një platformë për të fituar postin e kreut të PD-së së Tiranës dhe ka shprehur bindjen se do ta fitojë këtë post. Nga ana tjetër, kryesia e fundit e selisë blu ka skicuar edhe skemën sesi do të mbahen zgjedhjet për ndryshimin e krerëve të PD-së në Tiranë dhe rrethe. Tirana dhe Durrësi do të jenë nën vëzhgimin e rreptë të Kryeministrit Berisha.

Skema e zgjedhjeve

Deputetët dhe ministrat ndezin motorët për zgjedhjet e PD-së në Tiranë. Sali Berisha, Besnik Mustafaj, Lulzim Basha, Bujar Nishani, Leonard Demi, Gëzim Karapici, Ylli Pango, Majlinda Bregu, Safet Sula, Astrit Patozi, Edi Paloka, dhe Baki Shehu janë emrat që do të merren direkt me ngritjen e sesioneve që do të përzgjedhin delegatët e PD-së. Kongresi i Demokratëve do të përcaktojë më pas edhe emrin e kandidatit fitues për kryesimin e degës së Tiranës. E gjithë PD-ja është mobilizuar në Tiranë dhe Durrës, ku synon jo vetëm ndryshimin e strukturave të partisë, por edhe fitoren në zgjedhjet e qershorit 2009. Votimi për kryetarin e degës do të bëhet sipas parimit "një anëtar një votë".

Dega e Tiranës

Duket se në zgjedhjet e tanishme PD do të jetë ndryshe nga ajo e viteve më parë. Fenomeni "Mustafaj" ka treguar se dinamika e aksionit në Partinë Demokratike është zëvendësuar nga strategjia e mendimit politik. Gara ka filluar, megjithëse emri i fituesit është ende enigmë. Askush nuk mund të parashikojë se cili do të jetë ai që do të marrë në dorë frerët e PD-së në Tiranë. Madje edhe Kryeministri Berisha është distancuar nga preferencat e tij personale, duke kërkuar një garë të ndershme, që do të mbajë larg grupet rivale të PD-së. Mund të thuhet fare mirë se Mustafaj është sebepi i nxitjes së një gare të fortë në strukturat drejtuese të partisë që sot gëzon pushtetin, duke inspiruar në këtë mënyrë edhe figura të tjera të këtij formati brenda PD-së, që të jenë më aktivë për të konkurruar në çdo nivel drejtimi.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›