E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Me buxhetin e 2009-ës do të rrisim sërish rrogat e pensionet

Qeveria "mburret" me buxhetin elektoral. Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, në Këshillin e Strategjive është shprehur se buxheti për vitin 2009 do të jetë më i madhi në histori, me shumën prej 5 miliardë dollarë. Berisha tha se me këtë buxhet qeveria do të realizojë të gjitha premtimet e bëra. Berisha gjithashtu shtoi se përparësi do të ketë rritja e rrogave dhe pensioneve, por edhe sistemi i drejtësisë për dixhitalizimin e tij. Sipas tij, brenda tre muajve do të përfundohen të gjitha ligjet dhe nënligjet dhe do të krijohet një frymë e mirë për biznesin vendas dhe të huaj. Berisha shtoi se një vëmendje të madhe do t‘i kushtohet edhe ushtrisë që të plotësojë kërkesat për hyrjen e Shqipërisë në NATO. "Buxheti i jep mundësi qeverisë të realizojë rritjen e premtuar të pagave dhe pensioneve, një rritje unike në mbarë Evropën. Asnjë vend tjetër jo vetëm në Evropë, por edhe më gjerë, nuk ka bërë në 4 vjet dyfishim të pagave të mësuesve, infermierëve dhe mjekëve", tha Berisha. Në bazë të deklaratës së Berishës, rritje të tjera rrogash dhe pensionesh pritet që të miratohen përpara mbajtjes së zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Paga në administratë deri tani është rritur në masën 60%, përfshirë këtu edhe inflacionin. Është përafruar drejt dyfishimit edhe pensioni minimal. Kryeministri e vlerësoi politikën e qeverisë, në drejtim të rritjes së pagave dhe pensioneve, tepër efikase dhe jetike për përmirësimin e jetesës së familjeve shqiptare. "Nga kjo politikë kanë përfituar në mënyrë të ndjeshme 800 mijë familje shqiptare, të cilat kanë pasur një përmirësim thelbësor të buxhetit të tyre familjar", tha ai. Projektbuxheti i shtetit për vitin 2009 u prezantua dje nga Kryeministri Berisha, gjatë një takimi të përbashkët të qeverisë me Komitetin e Planifikimit Strategjik. Po ditën e djeshme, qeveria shqiptare dhe KfW nënshkruan marrëveshjet për ndërtimin e linjës energjetike Tiranë-Prishtinë dhe për linjën e unazës së jugut. Financimi i këtyre dy projekteve kap shifrën rreth 90 milionë euro. Gjithashtu përurohet edhe hapja e zyrës rajonale të Bankës Gjermane për Zhvillim, KfW, në Tiranë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›