E Diel, 1 Nëntor 2026

“Anketuesit bëjnë presion kur minoritarët deklarohen grekë”

Vangjel Tavo dhe Kosta Barka kanë pohuar se në shumë raste qytetarëve u kërkohen dokumente për vërtetuar kombësinë dhe ushtrojnë presion që të shmangin pikat ku flitet për etninë dhe gjuhën

Gjirokastër Nënkryetari i Parlamentit, Vangjel Tavo, dhe deputeti Kosta Barka kanë dënuar vendimin e organizatës OMONIA për bojkotim të procesit të regjistrimit të popullsisë dhe banesave, ose siç njihet ndryshe “Census 2011”. Ndërkohë ata kanë kërkuar nga ana e anketuesve që të krijojnë klimën e duhur për realizimin e këtij procesi, pasi janë vërejtur raste kur ata ushtrojnë presion te personat që vetëdeklarohen grekë.

Presioni i anketuesve

Në një deklaratë për shtyp V. Tavo dhe K. Barka japin edhe disa konstatime në lidhje me ecurinë e procesit të regjistrimit të popullsisë në përgjithësi. Mes të tjerash, të dy deputetët pohojnë se “kalimi i ditëve na shton shqetësimin se në hallkën bazë të tij, në atë të anketimit të njerëzve dhe thithjen e të dhënave, po vihen re fenomene që bien ndesh me kuadrin ligjor që rregullon censusin, klimën e kërkuar demokratike e bashkëkohore dhe vetë përmbajtjen e pyetësorit. Këto shkelje lidhen veçanërisht me pika delikate të censusit, por që përcaktojnë në një shkallë të madhe respektimin e të drejtave të njeriut, atë të vetëdeklarimit të kombësisë, fesë dhe gjuhës amtare”. Sipas tyre, “përveç presionit të ushtruar nga shoqata të ndryshme apo edhe faktorë të tjerë, anketuesit tejkalojnë në mënyrë të dukshme kompetencat e tyre. Kërkojnë dokumente vërtetuese për deklaratën e bërë për kombësinë greke. Ushtrojnë presion që të anketuarit të shmangin tërësisht këtë pikë ose të shmangin vullnetin e tyre për identitetin etnik e fetar dhe të deklarojnë atë që duan anketuesit. Përdorin mjete e mënyra që pyetësori të mund të manipulohet. Veprimet e kësaj natyre duhet të marrin fund në mënyrë të menjëhershme, për arsye se venë në pikëpyetje serioze rezultatin real të censusit. Ulin në maksimum kredibilitetin e shtetit dhe të shoqërisë shqiptare në respektimin e ligjeve të veta, sidomos në atë drejtim që ka të bëjë me çështje të të drejtave të njeriut. Shtojnë pengesat e vendit për integrimin në komunitetin e familjes europiane”, pohohet në deklaratën e përbashkët për shtyp të nënkryetarit të Parlamentit, Vangjel Tavo dhe deputetit Kosta Barka.

Qëndrimi ndaj OMONIA-s

“Duke qenë konstantë në qëndrimet tona në lidhje me pjesëmarrjen e minoritetit etnik grek dhe të minoriteteve të tjera në census, konsiderojmë të gabuar e të dënueshëm vendimin e lidershipit të OMONIA-s për bojkotimin e këtij procesi. Ishte një vendim i marrë apriori, pa u këshilluar me faktorë të tjerë relevant në minoritetin etnik grek në Shqipëri, një vendim në vijim të logjikës dhe taktikës për mbijetesë politike të këtij lidershipi, sipas parimit që më mirë të kemi probleme sesa t’i zgjidhim ato, ishte një vendim për të justifikuar paaftësinë e tij totale për të udhëhequr minoritetin etnik grek në procese të kësaj natyre”, pohohet në deklaratën e përbashkët për shtyp të deputetëve Tavo dhe Barka. “Ky qëndrim është me shumë pasoja për vetë minoritetin etnik grek. Vetëpërjashtimi nga procesi i censusit, (të kërkuar me këmbëngulje për 20 vjet me radhë), me pretendime të paqena dhe duke e paragjykuar atë, përbën një vetëflijim të interesave të larta të këtij minoriteti, në emër të interesave të ngushta të një grupi njerëzish në krye të kësaj organizate. Vendimi dhe thirrja për bojkotim, së bashku me dezinformimin intensiv të bërë nga ky lidership në lidhje me censusin, solli pështjellim në radhët e minoritetit grek dhe përditë po u jep ushqim qarqeve të ndryshme për pretendimet e tyre në lidhje me natyrën dhe madhësinë demografike të këtij minoriteti. Në këto rrethana ne ftojmë çdo anëtar të minoritetit etnik grek të bëjë detyrën e vet ndaj ndërgjegjes së tij etnike, duke mos iu bindur thirrjeve të atyre që duan të kundërtën”.

Bledar Shehu

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›