Rama: Tokat e lira për pronarët, tapi fermerëve
Aristir Lumezi
Kryetari socialist Edi Rama premtoi nga Orikumi i Vlorës se do t’u japë tapi të gjithë fermerëve që kanë përfituar nga ligji 7501. Këtë deklaratë Rama e bëri gjatë një takimi me banorë të bashkisë Orikum, kur prezantoi dhe programin qeverisës të socialistëve, ku u ndal kryesisht te çështja e legalizimeve.
“Ky proces u tejzgjat pa arsye dhe në mënyrë të paligjshme. Kjo gjë bëri që të trefishohen problemet e pronësisë. Ne e kemi lajmëruar qysh në krye të herës, që Sali Berisha është pa vizion për zgjidhjen e këtij problemi”, kujtoi Rama duke shtuar se është pikërisht kjo çështje e pazgjidhur, që kërcënon investimet publike dhe ato private. Premtimi i Ramës për këtë çështje është: “çdo pronë që është e lirë do t’i kthehet pronarit, çdo tokë që është marrë me ligjin 7501, do t’i jepet menjëherë me letër dhe vulë pronarëve të saj, që janë ata që e kanë marrë me ligjin 7501", u shpreh Rama. Në këtë përfundim socialistët sipas kreut të selisë rozë arritën pas një dialogu 2-vjeçar me njerëzit në mbarë vendin, ku çështjet e pronësisë kanë qenë fenomeni i hasur në çdo cep të Shqipërisë. Rama akuzoi kryeministrin Berisha se nuk ka pasur vizion në kryerjen e një procesi real të legalizimeve. “Ne kemi qenë qysh në krye të herës për legalizimin e të gjitha ndërtimeve pa leje, që janë rezultat i sakrificave e njerëzve të thjeshtë dhe të ndershëm, në një proces transformimi demokratik dhe në mungesë të shtetit. Por, e kemi paralajmëruar qysh në krye të herës, se vizioni i mbrapshtë i Sali Berishës dhe qeverisë së tij jo vetëm nuk do të sillte sukses në procesin e legalizimeve, por do të nxiste më tutje abuzimin me pronat dhe do të shtonte faturën e shoqërisë”, tha Rama. Kreu socialist premtoi një proces real legalizimi, por dhe zgjidhjen e çështjes së pronësisë në fshat. “Në çdo komunë e bashki ku ka tokë bujqësore, unë kam dëgjuar të njëjtën histori, historinë e ligjit që e ka dhënë qysh në vitin 1991 dhe të Maliqit, që nuk e jep që nga vitit 1991. Me votën e 28 qershorit, ne së bashku do të hapim një faqe të re në historinë tonë të përbashkët, duke filluar nga dhënia e certifikatave të pronësisë, të gjithë atyre shqiptarëve që disponojnë tokën në bazë të ligjit 7501”, u shpreh Rama para banorëve të Orikumit.