E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përplasje me armë në Tiranë, plagoset kalimtarja 23-vjeçare

Një vajzë e re ka mbetur e plagosur nga një përplasje e ashpër me armë në mes të Tiranës. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në orët e vona të dy netëve më parë, ndërkohë që policia ka mundur të arrestojë autorët e njërës palë dhe ka shpallur në kërkim palën tjetër. Policia deklaroi se seksioni kundër krimeve ndaj jetës dhe shëndetit, kryen arrestimin në flagrancë të pesë personave. Sipas të dhënave, në pranga përfunduan Armand Kashari, 20 vjeç, i arrestuar për "kanosje", "prishje të qetësisë publike" dhe "armëmbajtje pa leje", Ergys Kaso, 27 vjeç, Bojken Kaso, 23 vjeç, Eglind Bejko, 22 vjeç, dhe Dario Baruti, 22 vjeç, të arrestuar për "moskallëzim krimi". Nga të dhënat hetimore mësohet se arrestimi i tyre u krye sepse rreth orës 22.00‘ të dy netëve më parë, në rrugën "Vasil Shanto", pranë hyrjes së një pallati, Armand Kashari dhe Dario Baruti, pas një sherri banal në bilardo kanë goditur me grushte Arjan Doçin, 23 vjeç. Ky i fundit ka njoftuar më pas për këtë konflikt vëllain e tij Elvis Doçi, 31 vjeç, dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë qëlluar me pistoletë kundrejt Armand, Ergys, Bojken Kasos, Eglind Bejkos dhe Dario Barutit. Për pasojë të këtij konflikti me armë është plagosur në pjesën e këmbës Denada Stafa, 23 vjeçe, e cila ishte rastësisht në vendin ku ka ndodhur ngjarja. Policia tha se 23-vjeçarja ka marrë ndihmën e parë në spital dhe tashmë gjendja e saj shëndetësore është përmirësuar. Por, pas këtij konflikti, Armand Kashari ka shkuar në banesën e tij dhe ka marrë një automatik, duke qëlluar disa herë në drejtim të dy vëllezërve Arjan dhe Elvis Doçi, të cilët nuk janë plagosur duke u larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes. Në lidhje me autorët e dyshuar, Arjan dhe Elvis Doçi, nga të gjitha strukturat e hetimit të krimit të policisë së Tiranës po punohet për kapjen e tyre, tashmë të identifikuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›