Depresioni, vetëvriten një burrë dhe një grua
Dy persona i kanë dhënë fund jetës gjatë ditës së djeshme në kushte depresioni. Një 60-vjeçare nga Gjirokastra i ka dhënë fund jetës së saj duke u mbytur në ujërat e liqenit artificial të Viroit. Ngjarja është shënuar në orët e mesditës të së shtunës kur 60-vjeçarja Zaho Zeraj, është hedhur në liqen duke kryer aktin e vetëflijimit. Nuk dihen ende motivet që kanë çuar gruan të ndërmerrte një akt të tillë, por besohet se ajo ka qenë krejtësisht e pavetëdijshme gjatë momentit që ka ndodhur tragjedia. E gjithë skena është regjistruar në orën 11:30 të së shtunës dhe dëshmitarë të saj kanë qenë dy punëtorë të mirëmbajtjes së ambienteve të gjelbra në liqenin e Viroit, rreth 3 km në veri të qytetit të Gjirokastrës. Sipas dëshmitarëve okularë, ata kishin parë gruan të vinte në liqen aty nga ora 11 dhe pasi kishte kryer një shëtitje rreth e rrotull, është ndalur në pjesën lindore të liqenit artificial. Ajo ka hyrë në ujë deri sa është zhytur në thellësi duke u përpirë nga rrymat e forta dhe balta nënujore. Dëshmitarët, e kanë thirrur dhe i kanë kërkuar të mos hynte thellë, pasi ishte e rrezikshme, mirëpo gruaja nuk i ka marrë parasysh paralajmërimet e bëra nga ata, dhe është futur thellë në ujin e ftohtë të liqenit. Punëtorët e mirëmbajtjes, kanë lajmëruar menjëherë policinë, e cila ka mbërritur në vendngjarje me nxitim duke ndërhyrë për gjetjen e trupit. Pas një orë kërkimesh në ujërat e liqenit, policia ka gjetur kufomën e 60-vjeçares. Trupi pa jetë i gruas është përcjellë më pas në morgun e spitalit të Gjirokastrës. Burime zyrtare të policisë kanë konfirmuar se viktima ishte nënë e dy fëmijëve dhe jetonte në lagjen "Punëtori". Mendohet se depresioni ka qenë shkaku që ka çuar të moshuarën të vetëflijohet. Ndërkohë, në Tiranë, një tjetër person i ka dhënë fund jetës. Rreth orës 21.00, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4., u njoftuan se në rrugën "Halit Bega", në një banesë private, ka varur veten në ballkonin e banesës Adrian Rroko, 37 vjeç, banues në adresën e mësipërme. U kryen veprimet procedurale dhe nga deklarimet e familjarëve ka rezultuar se ky person kishte probleme mendore dhe në gjendje depresioni i ka dhënë fund jetës. Nga këqyrja e kufomës nuk ka rezultuar të kishte shenja dhune.