E Shtunë, 31 Tetor 2026

Djeg veten 31-vjeçarja e divorcuar

Fatkeqësitë me fëmijët e detyruan të divorcohej. Jetoi 6 muaj në një shtëpi me burrin dhe gruan e tij të re
TIRANË- Një 31-vjeçare i vë flakën vetes, pas depresionit të shkaktuar nga divorci. Majlinda Neli, 31-vjeç, i ka dhënë fund jetës, duke djegur veten në shtëpinë e babait të saj. Ngjarja ndodhi mëngjesin e djeshëm, rreth orës 07:00 në fshatin Priskë e Vogël në Tiranë, kur 31-vjeçarja është gjetur nga familjarët e saj mes flakësh. Ka qenë babai i saj, i cili ka mundur të shuajë flakët në trupin e së bijës, por nuk ka mundur t’i shpëtojë asaj jetën. Sapo janë shuar flakët, 31-vjeçarja ka dhënë shpirt, duke mos u shpëtuar plagëve të marra. Në vendin e ngjarjes mbërritën forcat e policisë, të cilët kryen këqyrjen e provave ndërsa nisën hetimet për të zbardhur shkaqet e kësaj vetëdjegie. Nga hetimet e para rezulton se Neli kishte kaluar në gjendje depresioni, pas divorcit nga bashkëshorti i saj. 31-vjeçares i kishin vdekur dy foshnje dhe kishte dështuar njëherë gjatë martesës së saj, që zgjati12 vjet. Ajo nuk mund të lindte më fëmijë, ndaj dhe kishte kërkuar divorcin. Ndërkohë që policia shprehet se po punohet për të zbardhur me saktësi rrethanat e këtij vetëflijimi.
Ngjarja
“Baba, të shtrova mëngjesin. Ulu dhe ha bukë”. Kanë qenëkëto fjalët e fundit që Majlinda Nelika thënë mëngjesin e djeshëm dhe më pas është larguar nga shtëpia, për t’u gjetur pak minuta më vonë mes flakësh. Mësohet se 31-vjeçarja, pasi ka përgatitur mëngjesin për babanë e saj ka dalë nga banesa dhe është larguar rreth 100 metra larg. Duket se gruaja kishte planifikuar vetëvrasjen larg “syve” të familjarëve të saj, ndaj dhe është përpjekur të fshihet. Por britmat e saj nga dhimbjet që i shkaktonin flakët e zjarrit janë dëgjuar nga motra 16-vjeçare e Majlindës, e cila ka dhënë alarmin. Më pas, kryefamiljari me shpejtësi është afruar pranë së bijës, e cila përpëlitej mes flakëve të zjarrit. Ai i ka hedhur disa kova ujë duke bërë të mundur shuarjen e zjarrit. Brenda pak sekondash, Neli ka ndërruar jetë pasi plagët që kishte marrë në pjesën e kraharorit dhe në kokë rezultuan vdekjeprurëse. Ndërkohë që familjarët nuk kanë pranuar që trupi i pa jetë i Nelit të transportohet në morgun e spitalit, ndërsa i kanë lënë kohë policisë të këqyrë kufomën. “Familja Neli vendosi të kryente ceremoninë mortore të 31-vjeçares rreth orës 15:00 të pasdites ndaj dhe nuk lanë kohë për ekspertizë në mjekësinë ligjore. Oficerët e policisë në vendngjarje sekuestruan rrobat e djegura të gruas si dhe prova të tjera, me anë të së cilave konstatohet vetëdjegia ”,- thanë burime zyrtare nga policia e kryeqytetit.
Martesa pa fëmijë
Martesa e dështuar, për shkak se nuk mund t’i falte fëmijë bashkëshortit të saj, kishte shkaktuar jo pak traumë te 31-vjeçarja, e cila i ka vendosur t’i japë fund vuajtjeve në mënyrën tragjike mëngjesin e djeshëm. Majlinda Neli u martua rreth 11 vite më parë me Arjan Xhepën. Gjatë kësaj kohe, ajo kishte lindur dy fëmijë, por asnjëri prej tyre nuk kishte mundur të jetonte më shumë se një muaj. Pak vite më parë, Neli mbetet shtatzanë për herë të tretë, por fati ka qenë sërish i zi. Fëmija i tretë nuk mundi të dilte në dritë pasi kishte vdekur që në barkun e saj. Kjo ishte dhe shtatzania e fundit e Nelit, e cila do t’i jepte fund dhe martesës së saj. Gruaja mësoi prej doktorëve se nuk mund të lindte më fëmijë. Por pavarësisht deklaratës së mjekëve, bashkëshortët tentuan sërish për t’u bërë prindër por më kot. E gjendur në këto kushte, Majlinda i ka “dhënë leje” bashkëshortit të martohej me një grua tjetër. Dhe kështu ndodhi. Rreth një 18 muaj më parë, Arjan Xhepa martohet me një grua tjetër, e cila duket se nuk bezdisej nga prania e Nelit, e cila qëndroi në të njëjtën çati me bashkëshortin e saj dhe gruan e këtij të fundit. Ajo u largua përfundimisht nga shtëpia e ish-burrit rreth një vit më parë, për të qëndruar me prindërit në fshatin Priskë e Vogël, për t’i dhënë fund jetës mëngjesin e djeshëm.
HETIMET
Policia: Dy pista për zbardhjen e vetëdjegies
TIRANË- Historia e martesës së Majlinda Nelit i është servirur policisë nga familjarët e saj. Këta të fundit deklaruan se kohët e fundit 31-vjeçarja kishte shfaqur shenja të rënda depresioni. Ndërkohë që policia po heton në dy pista paralele për të zbardhur shkakun e vetëvrasjes. “Gjendja e rëndë e depresionit, e shkaktuar nga martesa e dështuar është një nga pistat që po hetojmë, ndërsa paralelisht me këtë por hetojmë dhe një piste tjetër, atë të një konflikti të mundshëm mes 31-vjeçares dhe prindërve të saj”,- thanë burime nga policia. Mësohet se ish-bashkëshorti i kishte falur Nelit 5 milionë lekë të vjetra pas ndarjes, para të cilat janë shfrytëzuar nga prindërit e saj për restaurimin e banesës së tyre. Dyshohet se Majlinda Neli nuk ka qenë dakord për shfrytëzimin e parave të saj në rregullimin e banesës çka mund të jetë kthyer në “mollë sherri” mes saj dhe prindërve. Megjithatë kjo mbetet për t’u verifikuar, pasi familjarët e viktimës nuk e kanë pohuar një gjë të tillë.
Lutfi Neli, djali i xhaxhait të Majlindës rrëfen historinë e vetëdjegies së saj
“Majlinda nuk mund të lindte fëmijë, ndaj edhe u divorcua”
TIRANË- “Majlinda kohët e fundit ishte bërë me fiksime, por nuk na kishte paralajmëruar për ndonjë vetëvrasje të mundshme”. Kështu pohoi dje për “Shekullin” Lutfi Neli, djali i xhaxhait të 31-vjeçares Majlinda Neli, e cila u vetëdogj mëngjesin e djeshëm pranë banesës së prindërve të saj në fshatin Priskë e Vogël.
Lutfi, si ndodhi që vajza e xhaxhait tuaj i dha fund jetës në mënyrë të tmerrshme?
Ka qenë ora 7:00 e mëngjesit, kur Majlinda ka shtruar mëngjesin për babanë e saj dhe më pas ka dalë nga shtëpia. Nuk i ka treguar askujt se ku do të shkonte. Vetëm pak minuta më vonë, motra e saj më e vogël dëgjon ulërimat e Majlindës dhe shkon me shpejtësi. Ajo e sheh atë që po digjej dhe lajmëron menjëherë babanë e saj. Xhaxhai im shkon me shpejtësi dhe me kova uji shoi flakët e zjarrit, por Majlinda vdiq menjëherë.
Cilat janë motivet që e kanë detyruar Majlindën të vetëdigjet?
Ajo vetë nuk ka thënë ndonjë motiv, dhe as ne nuk dimë. Por Majlinda ka qenë e martuar dhe para një viti e gjysmë është divorcuar nga burri.
Arsyet e divorcit cilat janë?
Ajo vendosi vetë të ndahej, pasi nuk mund të lindte më fëmijë. Kishte lindur dy fëmijë, të cilët i kishin vdekur dhe një fëmijë e abortoi. Doktorët i thanë që nuk mund të lindte më fëmijë, ndaj dhe ajo i tha bashkëshortit të saj të martohej me një tjetër.
Çfarë ndodhi më tej me Majlindën?
Majlinda qëndroi edhe gjashtë muaj në shtëpinë e ish-bashkëshortit të saj, megjithëse ai u martua. Më pas ajo u shpërngul te shtëpia e babait të saj. Kohët e fundit ajo ishte bërë me fiksime, por nuk kishte paralajmërua për ndonjë vetëvrasje të mundshme.
Me kë jetonte në shtëpi Majlinda?Me prindërit e saj, motrën dhe vëllanë. Ndërsa dy motra të tjera janë të martuara. Bisedoi: K. Kotorri

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›