E Diel, 1 Nëntor 2026

Mashtrimi ; Arrestohen dy shtetas turq, i vodhën “Kurum”-it 150 mijë euro



Dy shtetas turq janë arrestuar nga policia e Elbasanit, pasi nëpërmjet mashtrimit kanë përfituar 150 mijë euro në kompaninë ku punonin. Bëhet fjalë për firmën turke “Kurum International”. Sipas hetimeve, rezultoi se për rreth 10 muaj ata kishin arritur që të përfitonin me anë të mashtrimit rreth 150 mijë euro nga firma turke “Kurum International”. Por, pas verifikimit të dokumenteve “rrengu” i tyre u zbulua. Administratori i firmës turke të çelikut, të vendosur në Elbasan, ka kryer denoncimin në policinë e qytetit, ku më pas u krye edhe arrestimi i dy personave të dyshuar. Në prangat e uniformave blu ranë dy shtetasit turq, Murat Gunderdi, 31 vjeç dhe Mustafa Turgul, 45 vjeç. Ata u shoqëruan në qelitë e paraburgimit, në pritje për të dalë përpara gjykatës.

Zbulimi

Para disa javësh, administratori i firmës turke ka kryer një denoncim në polici, sipas të cilit, në llogaritë e firmës që ai drejtonte kishte mangësi në vlerë monetare. Dyshimet e tij kanë qenë tek dy punonjësit e kësaj firme, të dy shtetas turq, Murat Gunderdi, 31 vjeç dhe Mustafa Turgul, 45 vjeç, të dy inxhinierë në këtë firmë. Sipas tij, në dokumentet që ishin dorëzuar dhe përgatitur nga të dy ata, kishte mospërputhje për sa i përket punës së kryer dhe lëndës së harxhuar dhe më pas llogarive të fitimit, të marra nga shitja. Nisur nga kjo, oficerët e Seksionit të Antikrimit Ekonomik-Financiar nisën hetimet, ku dhe pas punës së bërë, kryen edhe arrestimin e tyre. Nga kontrollet e kryera rezultoi se dy punonjësit e firmës kanë paraqitur dokumente të falsifikuara rreth situatës së punës në “Kurum International” përpara drejtuesve të kësaj firme. Në këtë mënyrë, nëpërmjet skemës së përdorur ata kishin arritur që të përfitonin dhe përvetësonin nga llogaritë e firmës rreth 150 mijë euro. Sipas hetimeve të kryera, mashtrimi i dy inxhinierëve turq kishte nisur që në muajin maj të vitit të kaluar, për të vazhduar më pas deri në mars të këtij viti, ku dhe u arritën që të zbuloheshin. Ata kryenin edhe “porosi” në emër të firmës për klientë të veçantë në këmbim të të hollave. Sipas policisë, mospërputhja e bilancit të kryer nga dokumentet e dorëzuara nga vetë ata, me gjithë përpjekjet e tyre duke falsifikuar dokumentet, bëri që ata të arrestoheshin. Të dy inxhinierët turq u shoqëruan në qelitë e paraburgimit, në pritje për të dalë përpara gjykatës së rrethit për të marrë masën e arrestit. Ata akuzohen për kryerjen e veprës penale të “falsifikimit të dokumenteve”, “mashtrimit” dhe “korrupsionit pasiv”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›