E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkesa; I paralizuar pas një atentati, Petrit Brahja kërkon lirinë e tij



Ka mbetur i paralizuar në 80% të trupit, të paktën sipas mjekëve francezë. Petrit Brahja, një prej dëshmitarëve për vrasjen e deputetit Azem Hajdari, si dhe autori i grabitjes së bankës në Bajram-Curri, ka kërkuar dje lirimin e tij. Madje, duke folur para gjykatës, Brahja ka vënë në dijeni gjyqtarin Bujar Krasniqi se ka pasur tentativa për eliminimin e tij. Pikërisht, për shkak të këtyre frikave, ai është shprehur se ka ardhur me skafandër dhe antiplumb në seancën e djeshme. Ndërkohë, të pyetur rreth këtij maskimi, policët u shprehën se ka vendosur skafandër në kokë, pasi gjuan muret apo hekurat me kokë. Megjithatë, pavarësisht pretendimeve të tij dhe avokatit që e përfaqësonte, gjykata vendosi të pranojë kërkesën e prokurores, e cila kërkoi që kjo kërkesë të shqyrtohet në Gjykata e Tropojës që e ka dënuar Brahjan, duke shpallur moskompetencën tokësore. Petrit Brahja është paraqitur në Gjykatën e Tiranës mesditën e djeshme, i ulur në një karrige paraplegjikësh dhe i shoqëruar nga doktori i burgut. I dënuar me 10 vjet burg në datën 30 mars të vitit 2004 nga Gjykata e Tropojës, për grabitjen e 500 milionë lekëve, 39-vjeçari ka shpjeguar se në spitalin e burgut ku edhe është duke qëndruar pas ekstradimit të tij më 25 shkurt të këtij viti, nuk ka asnjë prej medikamenteve të nevojshme për mjekimin e tij. Po ashtu, avokati mbrojtës i Brahjes, Asaf Hadëri, i ka bërë me dije gjykatësit të çështjes Bujar Krasniqi se klienti i tij është qëlluar nga persona ende të paidentifikuar, në vitin 2001, ku ka marrë me gjatë plumba, një prej të cilave i kishte dëmtuar shtyllën kurrizore, duke i shkaktuar një paralizë. Pavarësisht ndërhyrjeve, mësohet se Brahja në trupin e tij ka sërish mbetje metali. Që prej atij viti, sipas mbrojtësit, klienti i tij kishte marrë mjekime në Turqi dhe në Francë për disa vite me radhë. Në shtetin francez i dënuari Petrit Brahja ishte shtruar, duke pasur një kujdes të veçantë nga ana e mjekëve. Avokati Hadëri theksoi se pas arrestimit të tij, në interes të vendit tonë, Prokurori i Republikës Franceze kishte shpjeguar se i dënuari nuk mund të rrijë me masë sigurie, por duhet të ketë një kujdesie të veçantë për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore. Mbrojtja i theksoi gjykatës se klienti i tij ka nevojë për krevat që lëviz me telekomandë, për karrige të rrotullueshme të posaçme për të lëvizur, për punonjëse sociale që mund ta ndihmojë si në veshjen e tij deri në nevojat personale. Pas renditjes të të gjitha problemeve të mbrojtjes, i ka kërkuar gjykatës lirimin, si dhe përjashtimin nga pjesa tjetër e gjykimit të dënuarin.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›