E Shtunë, 31 Tetor 2026

Saga pikturike në lëvizje

Ekspozita e parafundit e Bashkim Ahmetit u hap në këtë gusht-shtator në Amerikë, në Nju Xhersi, ku ai rron e punon. Me 26 piktura. E fundit u hap në Gjirokastër këto ditë, nën kujdesin e bashkisë së qytetit, që e inkuadroi në Ditët e Aktiviteteve të Trashëgimisë Kulturore. Por ekspozita do të hapej, edhe po të mos organizoheshin këto Ditë. Autori kishte vendosur për të, madje kishte vendosur edhe për sallën. Nga 90 vepra që solli nga përtej oqeanit, ekspozoi 60.

Për sallën e ekspozimit, që thirret galeria "Gjin Zenebishti", piktori tha: "Gjirokastra ka sallën më të mirë në Shqipëri, është e dyta nga madhësia, pas Galerisë së Tiranës, nga karakteri dhe bukuria, temave historike u shtohet gjendja dhe arti kontemporan që mund të jetë po aq interesant sa është sugjestionues dhe më i përmirësuar në ndriçim.

Pas Gjirokastrës, ekspozita do shkojë të çelet në Tiranë, në Galerinë Kombëtare të Arteve, ku katër vjet më parë u hap, me jehonë të gjerë, ekspozita e tij "Vepra e fundit".

Shfaqja dhe Rritja

Bashkim Ahmeti, i brezit të viteve ‘70-të (lindur më 1949), është nga ato talente që shfaqen shpejt. Më shumë sesa duket, artisti shfaqet. Përkundër disa talenteve të tjera, që nuk u formësuan dot, Bashkimi eci, u rrit dhe u realizua, duke u ndeshur e fituar jo vetëm me kufizimet që vinte regjimi komunist mbi krijimtarinë, por edhe mbi kufizime të drejtpërdrejta politike që u përpoqën të vihen mbi të. Triumfoi mbi to falë cilësive të karakterit dhe besimit të madh në punën e në talentin e tij. Një nga shenjat e talentit është respekti për të, kur beson se e nxjerr margaritarin që ke në thellësitë e vetvetes. Në kohën e hapjes me botën, kësaj vuajtjeje iu shtua edhe hapësira e re, dimensioni europian dhe euroatlantik po të flasim me termat e gjeografisë politike. Me suksesin e ekspozitave nëpër botë, ai dëshmoi se një shqiptar mund të bëhet shumë lehtë europian.

Temat e gjithmonshme, formimi që jep motivet

Në vizitën e parë të përurimit e pyeta autorin: Disa vepra janë të mëparshme, si i ruan? I kopjon? Jo, më tha, janë të gjitha të reja, ekspozohen për herë të parë.

As unë ndoshta nuk e pata gabim; janë motivet që përsëriten, diku edhe format. Por, gjithçka me atë masë e me atë shije. Lajtmotivi është pjesë e formimit të një autori; edhe temat, edhe detajet janë pjesë e stilit dhe talentit.

Në këtë koleksion të fundit, tema e gjithmonshme është autoportreti, familja, Gjirokastra, vepra të Ismail Kadaresë, legjendat, polifonia, krejt folklori, temat historike. Ato janë mbajtur e ruajtur, por edhe janë zhvilluar e ndryshuar; në këtë ekspozitë tema historike që është zgjeruar është zgjeruar me Ali Pashë Tepelenën, por veçanërisht me Skënderbeun, figurë ku është mbledhur tema e mbretit, fronit, pushtetit, ëndrra mbretërore etj. Skënderbeu kalon prej një skaji në tjetrin, nga gjumi ose skenat lirike me Donikën në përmasat e Malit të Skënderbeut.

Një taban i vjetër i shëndoshë kulture, një lloj kalldrëmi i ngjeshur, lejojnë të zbulohet dhe të interpretohet lehtësisht nga historia, patriotizmi, letërsia, folklori etj.

Pjellë prej një toke të tillë të pasur kulturore, kjo pikturë është bërë më e pleksur dhe më qe kryqëzuar; lind prej këngëve popullore (murgu i vogël, bie shiu pika-pika, shtatë male kaptuar); synohen vetë gjendjet biblike (Mbreti dhe mbretëresha në mal, nga Moisiu në mal) shfrytëzohet muzika, si në rastin kur kërkohet e ruhet ritmi (gurët, malet, retë edhe kur peneli shkon si hark violine mbi pëlhurë (shtatë male me shtatë ngjyra). Imitimi i formave jetësore ngjan me mbledhjen e figurave poetike; prindërit dhe të ikurit e tjerë vijnë si shpirtra, bariu me gjënë e gjallë në zverk vizatohet me dy kokë e dy brirë. Burri dhe gjembi janë pikturuar prej formave të jashtme të ngjashme. Një botë plot polene, e gatshme për të marrë e për të lindë. As mitologjia është e papërkthyeshme, as jeta reale mbetet e pametaforizuar nga mjetet piktorike.

Përjashtimi, veçanësia

Prej vitesh, Bashkim Ahmeti është konsideruar një Përjashtim. Kjo u përligj. Ai arrin deri në një estetikë personale. Ajo që nuk është prekur kurrë në veprën e tij është kolori dhe gjendja piktorike, gjërat bazë që përbëjnë artin e tij. Është piktori i ngjyrave shpërthyese, por e vërteta sa natyra. Edhe kur deti Jon trajtohet me një blu diamante, edhe kur, në një orë tjetër të ditës bëhet i kuq prush. E njëjta nudo është njësoj e bukur kur është e kuqe, kur verdhet e kur kthehet e bëhet jeshile. Piktori shikon njësoj.

I adhuruar si peizazhist i këtyre toneve, e pyesnin: a do të kalojë në kompozim? Panoja e peizazhit u hap e u zgjerua dhe, bashkë me ajrin e natyrën, zu të mbledhë e të përfshijë histori, drama njerëzore, të thëna, bëma. Ai hyn ndër autorët, që subjektin e quajnë pjesë të rëndësishme të pikturës. Më shumë sesa drama e teatri, ku ka punuar si skenograf, këtë e ka gjetur vetë dhe ia kanë dhënë leximet e kërkimet vetjake. Realiteti është gjëja më fantastike dhe një piktori ai i thotë: eja, përkthemë në gjuhët e ngjyrës.

Ahmeti ishte ndër ata që kritikoheshin lehtë, sepse kërkonte, bënte ekstravaganca, sipas logjikës së dikurshme. Faza e pjekurisë së plotë ritregon dhe shpjegon gjithçka. Sa më shumë kërkon e pikturon, aq më tradicional bëhet. Kocka dhe palca kanë më rëndësi, mishi vihet e lihet kollaj. Në ekspozitën e fundit, kërkimi është shtyrë edhe më tej, në Mesjetë e Bizant. Temat, format e ngjyrat janë vënë në relatat e tyre; kishat, Onufri, Donika Kastrioti e vizatuar si ikonë. Një modernitet që ecën mbrapsht e shkon drejt traditës së hershme të piksur.

Një estetikë, që vendos në raporte të reja vetë marrëdhëniet mes traditës e së resë, që e kthen dhe e bën kërkimin bashkëkohor, pjekje dhe akumulim, real dhe realitet. Dhe i bën të bashkëjetojnë normalisht teknika të tilla si ato të kundër - perspektivës dhe pikëzimit, sfondet e arta dhe afresket, humbjet e raporteve reale të perspektivës, asimetrinë dhe njëherësh të qenit realist.

Sipas autorit...

Çfarë është ruajtur dhe çfarë është shtuar mbi artin tuaj të formuar këtu? Ku keni ndryshuar më shumë?

Shumë shpejt jam bërë i vetëdijshëm që, po qe se në artin tim do të ketë diçka të veçantë, ajo do të burojë prej KËTU - nga Gjirokastra.

A ishte e vështirë përfshirja e Nju Jorkut dhe Amerikës në tematikën tuaj?

Të nesërmen e mbërritjes në Nju Jork, pas mahnitjes dhe frikës që më shkaktoi, unë e vendosa që do ta pikturoj këtë qytet. Sprova dhe vështirësia është që ta pikturoj atë në mënyrën time.

Si është ritakimi me shikuesin e qytetit dhe vendit tënd?

Plot mall e dashuri. Kur miqtë e vjetër të pikturës sime më thonë që arti im ka pësuar ndryshime të forta, unë kujtohem se, në fakt, në tërë këto vite jam përpjekur të ruhem nga ndryshimet e forta.

Si e klasifikoni dhe shpjegoni pikturën tuaj?

Mbase edhe për arsye të largësisë, më pëlqen kur thonë "romantike" për pikturën time.

Dhe diçka plus për Gjirokastrën?

Për mua, Gjirokastra, më shumë se vendlindja, është një IDE e madhe, një enciklopedi e historisë, e kulturës, e ngjarjeve dhe personazheve, e bukurive, që i ka mbrujtur, shfaqur, ose i mban të fshehura në brendësi të hijeve të thella që e mbështjellin.

Kurajimi?

Kur Noli thoshte: "Mbahu nën-o, mos ki frikë/Se ke djemtë në Amerikë", Shqipëria dhe kombi shqiptar kishin çështje dhe halle tjetër lloj. Sot, ai është në orën e ringritjes më të madhe dhe ndihmat për të cilat ka nevojë janë krejt të tjera. Si shumë të tjerë, Bashkim Ahmeti iku duke e marrë atdheun me vete (Muzina, Borshi, Porto Palermo, Gucia; po deti Jon ka kacek e fut dot atë). Nuk duhet shuar, kurrsesi, veçanërisht vatra e parë e frymëzimit, Gjirokastra, prandaj vazhdon i hedh dru (Lisi në mal). Magjia i shton shpirtërimin, realiteti dhe përralla këtu janë njësoj.

Duke e shpurë vendin e tij atje, me mjetet e artit e familjarizoi me botën e metropoleve. Ja që vendi i tij rri atje, por ja dhe çudia më e madhe: vendi i huaj, i madh ardhka dhe u futka kollaj në artin e tij. Vendi dhe kombi kanë sot nevojë veçse për këtë prani dhe afishim. Ai është një nga ata, që e ndihmon fort këtë. Prandaj, një Faleminderit të madh.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›