E Diel, 1 Nëntor 2026

Tre politikanë, përballje me “gijotinën” e gjykatës

29/03/2011  Hidhet shorti për kërkesën e Ilir Metës, padinë e Ermonela Felaj dhe Fatmir Mediut

TIRANE-Tre padi penale, ku protagonistë janë tre politikanë të njohur pritet të marrin rrugën e gjykimin në Gjykatën e Lartë, pasi kjo e fundit ka përcaktuar dhe gjyqtarët që do shqyrtojnë këto çështje. Treshja e relatorëve Medi Bici, Bensik Ymeraj dhe Evelina Qiriako, do japë mendimin e tyre lidhur me çështjet penale që lidhen me kërkesën e zv/kryeministrit Ilir Meta, padinë penale për shpifje ndaj deputetes së PS Ermonela Felaj dhe padinë për plagosje të rëndë ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu. Pas depozitimit të kërkesës nga ish- zv/kryeministri Ilir Meta, i cili kërkon shpalljen si të papërdorshme si provë të video-përgjimit mes tij dhe ish-ministrit Dritan Prifti, Gjykata e Lartë ka përcaktuar trupën e gjyqtarëve që do të gjykojnë këtë çështje. Në njoftimin zyrtar të kësaj gjykate, bëhet me dije se kërkesa e ish-ministrit të Ekonomisë Meta do të shqyrtohet nga një kolegj i përberë nga gjyqtari Medi Bici, i cili do të jetë edhe relator i çështjes, si dhe anëtarëve Ardian Nuni, Aleksandër Muskaj, Gani Dizadari dhe Ardian Dvorani. Një kërkesë të ngjashme ka depozituar dhe ish-zv/ministri i Ekonomisë, Leonard Beqiri, i cili duket se është kapur “mat” në video-përgjimin e zbuluar nga eksperti amerikan, video kjo që ishte fshirë nga ministri Dritan Prifti. Për këtë padi, ende nuk është hedhur shorti se kush nga gjyqtarët e Gjykatës së Lartë do e shqyrtojë. Po këtë të hënë janë përcaktuar dhe trupi i gjyqtarëve që do të merret me shqyrtimin e padisë për “shpifje” ndaj deputetes socialiste Ermonela Felaj nga bashkëshorti i deputetes Rajmonda Bulku, Fatos Pashko, e cila do të ketë si relator gjyqtarin Besnik Imeraj. Një tjetër padi që do të shqyrtohet është ajo e ngritur nga një prej të plagosurve të shpërthimit tragjik të 15 marsit 2008 në Gërdec, Zyber Lela, i cili akuzon ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, për plagosje të rëndë, e cila do të ketë si relator gjyqtaren Evelina Qiriako. Kjo nuk është hera e parë që deputeti Mediu paditet nga të dëmtuarit e tragjedisë së Gërdecit. Ndaj tij shumë padi janë dorëzuar në Gjykatën e Lartë dhe Prokurorinë e Përgjithshme, por që deri tani asnjëra prej tyre nuk është regjistruar, duke u pushuar për mungesë të provave materiale. Ndërkohë që për përcaktimin e tre trupave gjyqësore gjykata ka aplikuar procedurën e shortit me gogla në prani të të gjithë anëtarëve të kësaj gjykate.

Dosja më e rëndësishme

Ajo që ka vëmendjen maksimale të opinionit publik është çështja e video-përgjimit Prifti-Meta, ku në rast se gjykata pranon kërkesën e këtij të fundit, detyrimisht Prokuroria e Përgjithshme duhet të pushojë hetimet, pasi çdo hap tjetër do të ishte i panevojshëm nëadministrimin e provave në këtë dosje.

Tre kërkesa paditë

• Kërkesa e Ilir Metës gjykohet nga Medi Bici

• Padia ndaj Ermonela Felaj gjykohet nga Bensik Imeraj

• Padia ndaj Fatmir Mediut gjykohet nga Evelina Qiriako

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›