Reklamat në anë të rrugëve, leja vetëm nga KRRT-ja
Qeveria ka vendosur rregulla të reja për dhënien e lejeve për reklamat. Disa ndryshime që i janë bërë ligjit “Për urbanistikën”, do të përcaktojnë rregulla të reja për reklamat që do të vendosen në anë të rrugëve kombëtare dhe dytësore. Sipas këtij ligji të ri, “leja për vendosjen e reklamave, në anë të rrugëve, jepet nga KRRT-ja e bashkisë, komunës apo qarkut, në përputhje me parashikimet e Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë, pas marrjes së autorizimit përkatës nga autoriteti që ka në përgjegjësi administrimi, rrugën ku kërkohet të vendosen reklamat. Reklamat duhet të jenë konform specifikimeve teknike të përcaktuara në Kodin Rrugor dhe në rregulloren për zbatimin e tij”. Më tej në ndryshimet që do t’i bëhen këtij ligji thuhet: “Inspektorati Ndërtimor e Urbanistik i bashkisë, komunës, qarkut ose INUK-ut i drejtohet, sipas rastit, sekretarive teknike përkatëse të KRRT-së ose KRRTRSH-së, me kërkesë të veçantë, për t’u shprehur, brenda një afati 30-ditor, për volumin shtesë të objektit, që ndërtohet jashtë kushteve të projektit të miratuar në lejen e ndërtimit. Në përfundim të afatit 30-ditor, nëse KRRT-ja ose KRRTRSH-ja, nuk shprehet me vendim, atëherë Inspektoratit Ndërtimor e Urbanistik të bashkisë, komunës, qarkut ose INUK-ut, i lind e drejta për të vazhduar procedurat për prishjen e objektit”.
Prishja e objektit
Shpenzimet e prishjes së objektit dhe të kthimit të truallit në gjendjen e mëparshme, realizohen në bazë të vendimit për zhdëmtim të dhënë nga inspektorati ndërtimor e urbanistik i bashkisë, komunës ose qarkut. Përjashtim nga rastet e prishjes bëhet kur inspektorati ndërtimor e urbanistik i bashkisë/komunës/qarkut çmojnë mundësinë e konfiskimit të objektit të kundërligjshëm, në favor të shtetit, sipas parashikimeve në kuadrin ligjor në fuqi, vetëm pas marrjes së miratimit teknik, sipas rastit, nga KRRT-ja ose KRRTRSH-ja. Subjekti që disponon mjete apo makineri që përdoren në fushën e ndërtimit është i detyruar të mos ofrojë shërbimin e tij, për persona fizikë apo juridikë të cilët nuk janë të pajisur me leje ndërtimi. Për këtë qëllim, subjekti që disponon mjete apo makineri që përdoren në fushën e ndërtimit, kërkon paraprakisht, nga ndërtuesi, paraqitjen e lejes së ndërtimit. Shkelja e detyrimit të parashikuar, kur nuk përbën vepër penale, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet sipas nenit 81, të këtij ligji.
Masat administrative
Për ato objekte të ndërtuara në anë të rrugëve jashtë ligjit, ky i fundit parashikon jo vetëm prishje por edhe ndëshkime të subjektit ndërtues me gjoba ose masa të tjera administrative, në rast se ndërtimi nuk përbën rrezik për rrugën. Sipas ligjit, në rast konstatimi të mosrespektimit të përcaktimeve të parashikuara, vlera e dënimit me gjobë përllogaritet në masën 5 për qind të vlerës së ndërtimit të kryer. Për shkelje të nenit 76/1, inspektorati ndërtimor e urbanistik pranë komunës/bashkiës/qarkut vepron si më poshtë: 1) Vendos dënimin me gjobë: a) Në masën 10.000.000 (dhjetë milionë) lekë, për vënien në dispozicion të mjeteve dhe makinerive vetëlëvizëse (transportierë të çdo tipi, makineri të çdo tipi për përgatitjen e betonit, makineri të çdo tipi për pompimin e llaçit e betonit, si dhe makineritë e çdo tipi që përdoren në procesin e gërmimit); b) Në masën 100 (njëqind) lekë/m2, për vënien në dispozicion të skelave, në varësi të sipërfaqes së mbulimit; c) Në masën 5 000 (pesë mijë) lekë, për vënien në dispozicion të veglave të punës. 2) Vendos sekuestrimin e mjeteve dhe të makinerive për një afat deri në 6 (gjashtë) muaj.
BOX////////////////////////////////
Rrugët lidhëse me autostradat dhe karburantet, si dhe ku ndërtohen
Sipas përcaktimit dhe klasifikimit të bërë në nenin 2, të “Kodi Rrugor të Republikës së Shqipërisë”, në rrugët e kategorisë “A”, autostrada, të kategorisë “B”, rrugë interurbane kryesore, dhe të kategorisë “C”, rrugë interurbane dytësore, nuk lejohen hyrje-daljet, përveç atyre të përcaktuara në projektin e rrugës. Ndalohet çdo lloj ndërtimi, me përjashtim të pikave të karburantit, në një distancë jo më të vogël se: 1) 30 metra, nga kufiri rrugor i rrugëve të kategorisë “A”; 2) 25 metra, nga kufiri rrugor i rrugëve të kategorive “B” dhe “C”; Pikat e karburantit vendosen në një distancë jo më të vogël se 10 m, nga kufiri rrugor i rrugëve të kategorive “A”, “B” dhe “C”. Në këtë kuptim, “kufi rrugor” konsiderohet fundi i pronësisë rrugore, referuar titujve të pronësisë ose brezave të shpronësimit sipas projektit të miratuar. Në mungesë të tyre, kufiri formohet nga vija e jashtme e hendekut të sigurimit të kanalit, kur ai ekziston, ose përkatësisht nga vija e sipërme/ e poshtme e skarpatës, nëse rruga shtrihet në terren të pjerrët. Për të gjitha ndërtimet përgjatë rrugëve urbane që ndërlidhin autostradat apo rrugët interurbane kryesore e dytësore (unazat e jashtme dhe/ose rrugët hyrëse në qendrat urbane), përpara miratimit të lejes së sheshit të ndërtimit, subjekti duhet të pajiset me formularin 1/1, të ligjit “Për urbanistikën”, të ndryshuar, së bashku me projektin teknik për hyrje-daljen e autorizuar, i cili miratohet nga enti përgjegjës për administrimin dhe mirëmbajtjen e autostradave dhe rrugëve interurbane kryesore e atyre dytësore.
Fuqizimi i internetit, Shqipëria do të lidh fibra optike nënujore me Italinë
Interneti në vendin tonë shumë shpejt do të jetë më i fuqishëm. Një kabëll nënujor i shtruar nga firma italiane “UNIFI Comunications” do të kalojë përmes detit Adriatik për të sjellë një linjë të fuqishme interneti 20-30 mega-bit. "Me linkun e ri që po krijohet, me lidhjen e re përmes kabllit nëndetar dhe lidhjes me pikat e aksesit të internetit në Milano dhe në Frankfurt, konsumatoret shqiptare nuk do të kenë më një furnizim deri në 2 mega-bit, por 20-30 mega-bit dhe çmimi i internetit besoj i ka të gjitha kushtet që në këto rrethana të reja të jetë më i lirë",- deklaroi ministri për Inovacion dhe Teknologjinë e Informacionit të Komunikimit, Genc Pollo. Sistemi i ri kabllor mes Italisë dhe Shqipërisë, së bashku me objektet tokësorë, të interkonjeksionit të Tiranës me shpërndarës të mëdhenj të telekomunikacionit në Evropën perëndimore, do të rrisë shumë sasinë dhe cilësinë e internetit. Projekti që do të lidhë Shqipërinë me fibra optike me gjithë Evropën dhe do ta pozicionojë vendin tonë si një nyje lidhëse dhe shpërndarëse të internetit në të gjithë Ballkanin. Shërbimi pritet të nisë gjatë 3 mujorit të parë të vitit 2013.
15 Korrik 2010