KRRT-ja miraton 31 leje ndërtimi dhe 13 leje shesh ndërtimi
Emanuela Sako
Këshilli i Rregullimit të Territorit të Tiranës jep leje për shesh ndërtimi apo ndërtime të ndryshme. Në mbledhjen e radhës të zhvilluar ditën e djeshme, Këshilli i Rregullimit të Territorit të Tiranës ka miratuar një sërë projektesh të propozuara nga Bashkia e Tiranës, ku përfshihen 31 leje ndërtimi, 13 leje shesh ndërtimi dhe disa legalizime. Për të marrë lejen për sheshe ndërtimi, qytetarëve iu është dashur që të kalojnë në një sërë procedurash të përcaktuara nga Bashkia e Tiranës. Procedurat që duhet të ndjekin aplikantët përfshijnë të gjitha të dhënat e pozicionimit të sheshit, të dhënat sizmologjike, planimetrinë, projektin e objektit, mjedisin etj. Po kështu, pranë Bashkisë së Tiranës, duhet që të dorëzohet dokumentacioni i plotë me të gjitha të dhënat. Ndërkohë që marrja e përgjigjes nuk ka një afat të caktuar kohor. Po kështu, morën rrugën e miratimit e një numër çështjesh apo projektesh të propozuara nga Bashkia e Tiranës, të cilat prisnin të merrnin zgjidhje nga KRRT-ja e qytetit. Anëtarët e KRRT-së miratuan edhe rikualifikimin urban të disa rrugëve dhe ngritjen e dy shkollave të mesme të përgjithshme. Gjatë mbledhjes, u miratua projekti teknik për rikualifikimin urban për rrugën “Lord Bajroni”, projekt - ideja për rikualifikimin urban të bllokut të Shallvareve, e cila kufizohet nga rrugët “Dëshmorët e 4 Shkurtit”, “Bulevardi Zhan D’ark”, rruga “Sami Frashëri” dhe rruga “Myslym Shyri”. Njëkohësisht u miratua platforma e konkursit ndërkombëtar për projektin e rigjallërimit të sheshit “Nënë Tereza” dhe sheshit “Italia”. Për këtë çështje Bashkia e Tiranës ka menduar hapjen e një konkursi ndërkombëtar, siç ishte rasti i sheshit “Skënderbej”, për të ndryshuar fytyrën e dy shesheve. Projektet duhet të ruajnë tradicionalen të ndërthurur me stilin modern, që i shkon një sheshi me ndërtimet që kanë përreth. KRRT-ja hapi dritën jeshile për projektin që parashikon ndërhyrje në infrastrukturën e dy blloqeve të banimit, përkatësisht në Bllokun nr. 61 dhe Bllokun nr. 31. Po kështu, u miratua dhe gjeti zgjidhje kërkesa e bërë nga Bashkia për miratimin e projektit të zbatimit për ndërtimin e shkollës së mesme të përgjithshme në rrugën “Irfan Tomini”. Ndërkohë që pritet që së shpejti të ndërtohet edhe shkolla e mesme e përgjithshme te “Bregu i Lumit”, projekti i së cilës u miratua.
KRRT-ja miratoi:
31 leje ndërtimi
13 leje shesh ndërtimi
U miratua projekti teknik për rikualifikimin urban për rrugën “Lord Bajroni”
U miratua projekt-ideja për rikualifikimin urban të bllokut të Shallvareve. Kufizuar nga rrugët “Dëshmorët e 4 Shkurtit”, bulevardi “Zhan D’ark”, rruga “Sami Frashëri” dhe rruga “Myslym Shyri”.
U miratua platforma e konkursit ndërkombëtar për projektin e rigjallërimit të sheshit “Nënë Tereza” dhe sheshit “Italia”.
U miratua projekti për ndërhyrje në infrastrukturën e dy blloqeve të banimit, përkatësisht në Bllokun nr. 61 dhe Bllokun nr. 31.
9 Qershor 2008