E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria përforcon masat e sigurisë për autoritetet e larta në Kosovë



Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të përforcohen masat e sigurisë për anëtarët e saj dhe zyrtarë të tjerë të lartë të institucioneve të Kosovës. Vendimi është marrë vetëm disa orë pas incidentit të natës së të premtes në shtëpinë e kryeministrit Hashim Thaçi. Policia ka bërë të ditur se sigurimi i shtëpisë së kryeministrit kishte vërejtur mbrëmjen e së premtes rreth orës 23.15 min së paku një person të dyshuar që po përpiqej të futej në shtëpinë e kryeministrit. Vetë kryeministri nuk ndodhej në shtëpi në atë kohë, por atje ndodheshin bashkëshortja e tij dhe i biri, të cilët njoftohet se nuk kanë pësuar lëndime. Qeveria e ka quajtur sulmin ndaj shtëpisë së kryeministrit “akt kriminal, që kalon kufijtë e çfarëdo urrejtje”. Në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp, zëvendëskryeministri Kuqi tha se si rrjedhojë e kësaj situate “të rëndë”, qeveria ka urdhëruar përforcimin e masave të sigurisë për shumë zyrtarë të lartë, por dhe për publikun e gjerë. “Kjo ngjarje shumë serioze tregon se ka ende persona të tillë të cilët nuk e duan shtetin tonë në të cilin sundon rendi dhe ligji, mirëpo askush të mos ketë iluzion se do të nënshtrohemi përballë kërcënimeve dhe akteve të tilla kriminale”,-tha Kuqi. Ai tha se ata provokojnë dhunën do të përgjigjen para ligjit, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve të mos bien pre e veprimeve destabilizuese. Hashim Thaçi mori postin e kryeministrit të Kosovës në fillim të këtij viti.

9 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›