Abuzimet me ndihmën ekonomike, rreth 6 mijë familje u larguan vjet nga skema
>Rreth 5700 familje në të gjithë vendin janë larguar nga skema e ndihmës ekonomike gjatë vitit 2008, pasi e përfitonin ndihmën në mënyrë abuzive duke i shkaktuar shtetit një dëm prej disa miliona lekë. Drejtori i ndihmës ekonomike në Shërbimin Social Shtetëror, Leonard Strazimiri bëri të ditur se numri më i madh i familjeve abuzuese në 2008, i përkiste qarkut të Elbasanit.
Nga kontrollet e kryera gjatë vitit të kaluar në zyrat e ndihmës ekonomike të pushtetit vendor në të gjithë vendin, u vërejtën parregullsi dhe në dokumentacionin e personave me aftësi të kufizuar. Strazimiri tregoi se numri aktual i familjeve që përfitojnë ndihmën ekonomike në të gjithë vendin është 93 mijë persona. Për vitin 2009, Shërbimi Social Shtetëror do të ushtrojë kontrolle intensive me qëllim shmangien e përfitimeve të padrejta nga skema dhe dhënien e saj për personat që vërtetë kanë nevojë. Për të përfituar ndihmën ekonomike kriteret vazhdojnë të jenë të njëjta, familjet duhet të jenë pa të ardhura ose të pamjaftueshme, përfitojnë jetimët e papunë mbi 25 vjeç, jetimët e moshës 18-25 vjeç, të cilët nuk janë vendosur në institucionet e shërbimeve shoqërore ose në kujdestari si dhe prindërit e fëmijëve trinjakë e më shume që i përkasin familjeve në nevojë.