E Shtunë, 31 Tetor 2026

MASH: Sanksione për libraritë që s’japin faturë tatimore

 

“Të gjithë blerësit duhet të marrin nga shitësi faturën tatimore për tekstet shkollore. Vetëm kështu ata do të mund të përfitojnë kompensimin. Librashitësit që nuk do të lëshojnë fatura tatimore apo do të lëshojnë fatura të pasakta do të kenë pasoja ligjore”, ky është reagimi i Ministrisë së Arsimit, pas problemeve të krijuara me shpërndarjen e teksteve. Sipas këtij dikasteri asnjë radhë nuk ka pasur dhe nuk do të ketë sivjet për të gjithë ata nxënës dhe prindër, të cilët do të tërheqin tekstet mësimore në kohë. “MASH i bën të njohur opinionit publik se në sajë të masave të reja të marra këtë vit, katër javë përpara fillimit të vitit shkollor, 36 librari të Tiranës janë furnizuar me 405 tituj tekstesh (nga 426 tituj që janë gjithsej) nga 30 shtëpi botuese”, sqaroi ministria. Ndërkohë sipas librashitësve, mungesat e teksteve janë kryesisht për arsimin parauniversitar. Gjithsesi Ministria e Arsimit garanton se fillimi i vitit të ri shkollor do t’i gjejë të gjithë nxënësit të pajisur me libra. “Para çdo shkolle është shpallur lista e teksteve për çdo klasë me tekstet alternative të zgjedhura prej shkollës, si dhe emri i librarisë ku do të furnizohen me këta libra. Që nxënësit dhe prindërit të mos bredhin më nga njëra librari në tjetrën, sivjet, çdo nxënës do t’i gjejë të gjitha tekstet e klasës së vet në librarinë pranë shkollës ku do të studiojë”, sqaroi ministria. Në dispozicion të prindërve dhe nxënësve është vënë edhe një numër telefoni për të denoncuar parregullsitë. “MASH fton të gjithë qytetarët që të njoftojnë në numrin e telefonit 04 22 25 859 për çdo shkelje të rregullave të vendosura e të përmendura më lart”, thuhet në deklaratën për mediat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›