“Çdo javë 2000 raste me helmime”
Fluks fëmijësh me helmime nga ushqimet e virozat. Vapa dhe mungesa e higjienës mbeten shkaqet kryesore. Pjesa më e madhe e të vegjëlve marrin trajtim në Pediatrinë e kryeqytetit dhe rikthehen në shtëpi. Në pavijon mbahen vetëm të helmuarit rëndë, apo që diagnostikohen me ftohje. Sipas Institutit të Shëndetit Publik, në këtë periudhë raportohen mbi 2000 raste në javë, pjesa më e madhe e të cilëve janë fëmijë nën 5 vjeç. Nga sa bëjnë me dije specialistët temperaturat e larta, favorizojnë rritjen e agjentëve infektivë në ushqime dhe mjedis shtëpiak. “Shkaktarët përfshijnë rotaviruset (deri në 25 për qind së të gjitha rasteve me diarre), E. Coli, shigela dhe më pak salmonela jotifoide, kampilobakter apo kriptosporidium”, pohojnë ata. Mjekët pediatër nga ana e tyre këshillojnë konsumin e lëngjeve dhe sa më shumë kujdes me higjienën. “Nuk duhet të konsumohen ushqime të ndenjura. Prindërit duhet të bëjnë sa më shumë kujdes me larjen e frutave e perimeve”, nënvizojnë bluzat e bardha. Një tjetër këshillë për të evituar ftohjen janë ekstremet e temperaturave. “Na vijnë shpesh prindër me fëmijë të ftohur për shkak të kondicionerëve që përdorin me temperatura minimale. U sugjerojmë që të mos kalojnë nga një ambient me temperatura të larta, direkt në dhoma me ajër të kondicionuar në maksimum. Temperatura e ambientit brenda nuk duhet të jetë më e ulët se 10 gradë krahasuar me atë që është jashtë”, bëjnë me dije mjekët.