PDK: Pronat dhe legalizimet,një dështim i plotë i Qeverisë
“Qeveria nuk duhet të linte pa përmendur edhe kontributin e PDK-së në arritjet e saj në 7 muaj qeverisje të këtij viti”. Ky është reagimi i PDK-së rreth analizës së qeverisë të bërë nga Kryeministri Berisha disa ditë më parë. Lidhur me këtë, PDK-ja e cilëson si dështim të madh të qeverisë faktin që ende nuk është zgjidhur çështja e pronës. Sekretari politik i kësaj partie, Lazër Stani, në një komunikim me mediat kritikoi qeverinë e Berishës për mospërmendjen e kontributit që ka dhënë PDK-ja në fushën e shëndetësisë. “Për shembull, në çdo raport ndërkombëtar janë dhënë vlerësime pozitive për reformat ligjore të iniciuara në fushën e shëndetësisë, por meqenëse kryeministri ka vendosur lënien e PDK-së jashtë qeverisë, ai nuk i përmendi këto arritje. Reformat kushtetuese e parlamentare, veç të tjerash fryt edhe i partive të tjera, përfshirë edhe PDK-në, kryeministri i personalizoi si arritje të tij, gjë që natyrisht nuk është e saktë”, tha Stani.
Sipas tij, Partia Demokristiane, e cila ndoqi me vëmendje bilancin mediatik 7-mujor të qeverisjes së djathtë dhe vlerëson si një dështim të plotë çështjen e kthimit dhe kompensimit të pronave, apo legalizimit të ndërtimeve pa leje. “Një dështim i plotë është mungesa e reformave dhe rezultateve konkrete në çështjet më të rëndësishme ekonomike e sociale, kthimi dhe kompensimi i pronave dhe ai i legalizimit. Përveç 5-6 tapive që u dhanë në fushatën e fundit elektorale lokale, ende nuk është dhënë asnjë dokument legalizimi, ndërkohë që po merren vazhdimisht vendime abuzive antipronë”. Në këtë kuadër, PDK-ja i bën thirrje kryeministrit të zgjidhë urgjent këto çështje të mbetura pezull, duke vënë përpara drejtësisë përgjegjësit e vërtetë të zaptimit të tokave në zonat turistike. “Nuk luftohet korrupsioni duke arrestuar punonjës të gjendjes civile apo nëpunës komunash në fshatrat e Shkodrës e të Kukësit. Abuzuesit e vërtetë nuk janë atje, por në bregdetin më të mirë të Velipojës, Durrësit, Vlorës, Sarandës dhe të Kavajës”, tha Stani. PDK i kërkon gjithashtu kryeministrit që të përshpejtojë procesin ligjor të kompensimit të ish-pronarëve, duke e zgjidhur përfundimisht problemin e pronësisë në Shqipëri, si një detyrim ligjor dhe premtim elektoral të maxhorancës.