E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrugët, Olldashi rrëzon akuzat e Erjon Braçes

 

Ministria e Transporteve ka hedhur poshtë të gjitha akuzat e ngritura nga deputeti i Partisë Socialiste Erion Braçe, lidhur me mosrealizimin e investimeve infrastrukturore. “Ky deputet që është me pushime edhe kur parlamenti është i hapur, deklaroi se në rrugën Lushnjë–Fier nuk janë dy korsi, por vetëm një”, ka reaguar zëdhënësja e kësaj ministrie Erla Mëhilli. Sipas saj, është lehtësisht e verifikueshëm fakti që dy korsi të rrugës janë hapur në të gjithë gjatësinë e saj, ndërkohë që po vazhdon në mënyrë intensive asfaltimi i dy korsive të tjera. Dy ditë më parë deputeti i Partisë Socialiste Brace tha për mediat se, rruga Gjirokastër–Tepelenë nuk ka përfunduar ende. Por edhe kjo akuzë është cilësuar si e pavërtetë nga Ministria e Transporteve. “E ftojmë zotërinë që plazhin ta vazhdojë deri në Sarandë dhe rrugës të konstatojë se segmenti Gjirokastër–Tepelenë është tërësisht i përfunduar. Me këtë rast, le të shkojë edhe deri në Kardhiq”, ka thënë dje për mediat Mëhilli. Realizimi në kohë i investimeve dhe kryesisht atyre rrugore është një ndër pikat më të debatuara mes pozitës dhe opozitës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›