E Shtunë, 31 Tetor 2026

Suksesi i Fqinjë-ve të Alfred Trebickës

Nga Sokol Guga

Komedia dramatike Fqinjët shkruar nga dramaturgu i mirënjohur Ruzhdi Pulaha, do të vijë në skenën teatrore me regji nga Alfred Trebicka. Stili, gjuha dramatike, karakteret, problematika, mesazhi, idetë që përcjell autori, por dhe ato që do të përcjellë realizimi skenik janë thellësisht kombëtare. Regjisori Alfred Trebicka sot është pa dyshim një nga njerëzit, i cili punon me pasion për teatrin, duke sjellë para publikut vepra të realizuara bukur dhe me vlera artistike, gjë të cilën publiku pret ta marrë dhe në këtë projekt teatror. Vepra është ngjitur në skenë në muajin mars dhe përshkruan me shumë realizëm një realitet konkret të bashkëjetesës së dy popujve, shqiptar dhe grek. Përmes situatave dramatike, tepër emocionuese dhe plot humor, autori sjell mesazhe dhe ide që gjithsecili i ka ndeshur, ndërsa nëpërmjet nënteksteve hedh dritë mbi shumë të vërteta historike dhe njerëzore. Më ka ngacmuar materiali dramaturgjik për këtë vepër. Mesazhi i veprës është që ne të shkarkojmë sa më shumë energji pozitive, qoftë në marrëdhëniet me njëri-tjetrin, qoftë marrëdhënia me fqinjët. Kur them energji pozitive, duhet të them se duhet të shpërfaqim sa më shumë qytetari, civilizim, nëse pretendojmë të bëhemi pjesë e familjes së madhe evropiane. Vepra i shikon të gjitha fenomenet, të gjitha energjitë negative nga disa individë që janë në të dy kampet, shqiptar dhe grek, por në të tërën kanë një frymë pozitive, kanë frymën e bashkëjetesës njerëzore, pohon regjisori i veprës. Në vepër do të interpretojnë 11 aktorë, emra të njohur dhe talentuar të skenës, të cilët nën drejtimin e regjisorit Alfred Trebicka premtojnë për shumë emocione. Mes aktorëve janë Violeta Trebicka, Marjana Kondi, Mehdi Malkaj, Adelina Muça, Dasara Xhangolli, Marsias Lila, Elvis Shuku, Gerti Ferra etj, ndërsa skenografia e veprës do të realizohet nga Ilir Martini. Regjisori Alfred Trebikca pohon se ambicia e këtij projekti shkon përtej kufijve shqiptarë, duke pohuar se veç Tiranës do të ngjitet dhe në skena të tjera teatrore dhe këtë herë premton ti sjellë publikut një vepër e cila vjen dhe në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë. Vepra mbështetet nga Ministria e Çështjeve Sociale dhe e Shanseve të Barabarta, si dhe nga Universiteti i Arteve, por dhe premierën do ta ketë në teatrin e këtij universiteti.
Ngjarjet zhvillohen në një fshat të Greqisë së veriut, në shtëpinë e një fermeri grek. Barba Kosta jeton me familjen e tij dhe kantinën e verës të cilën e ka dhe vinotekë edhe bibliotekë edhe historinë e familjes dhe jetës së tij. Ka punësuar një familje të re shqiptare në biznesin e tij. Dashuria e nipit Marko me Borën, motrën e Beharit (Lefterit), përbën ngjarjen shkakore që nxit zhvillimin dramaturgjik. Konflikti bazë është kombësia e dy të dashuruarve. Anthulla, nëna e Markos nuk pranon kurrsesi që i biri të martohet me një shqiptare, por dhe Bardha kunata e Borës nuk është dakord me këtë martesë. Konflikti bëhet shumë i fortë dhe në të njëjtën kohë krijon edhe situatë me shumë humor, por dy të rinjtë kanë një aleat shumë të fortë, Barba Kostën dhe Jaja Aspasinë, e cila e do Bardhën si vajzën e saj. Me ardhjen e prindërve të Bardhës, Vasilit dhe Shegës, vepra merr një zhvillim të ri, por pa anashkaluar dashurinë e dy të rinjve e cila vendoset në një situatë vërtetë të vështirë. Rrëfimi i Vasilit është një kulminacion dramaturgjik që i jep zgjidhje të gjitha marrëdhënieve në vepër. Aspasia gjen vëllanë e saj pas 50 vjetësh. Me finale dramatike dhe emancipuese të bashkimit të motrës me vëllanë, kurorëzohet dhe dashuria e Markos me Borën.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›