E Diel, 1 Nëntor 2026

Sindikata e Policise:Nishani te jape doreheqjenNga Sindikata e Shërbimeve Policore ka kërkuar dje dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani. Gjatë një deklarate për shtyp në lidhje me vrasjen e katër oficerëve të policisë në Durrës, kreu i S

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Sindikata e Policise:Nishani te jape doreheqjenNga

Sindikata e Shërbimeve Policore ka kërkuar dje dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani. Gjatë një deklarate për shtyp në lidhje me vrasjen e katër oficerëve të policisë në Durrës, kreu i Sindikatës, Valentin Macaj tha se aksioni për arrestimin e Dritan Dajtit është dekonspiruar dhe për këtë arsye ministri i Brendshëm duhet të mbajë përgjegjësi. Ai u shpreh gjithashtu se punonjës të policisë janë të përfshirë në grupe kriminale dhe për këtë arsye kërkoi ngritjen e një Task Force, me qëllim verifikimin e pasurive të uniformave blu.

Deklarata

Kreu i Sindikatës së Shërbimeve Policore, Valentin Macaj, u shpreh dje se, ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, duhet të kishte dhënë dorëheqjen fill pas ngjarjes së rëndë të ndodhur një javë më parë, kur katër oficerë të policisë u vranë gjatë përpjekjeve për të arrestuar Dritan Dajtin. Kjo, pasi sipas tij, aksioni për arrestimin e Dajtit është dekonspiruar de për këtë ministri Nishani duhet të marrë përgjegjësitë e veta, duke dhënë dorëheqjen. “Është anashkaluar përgjegjësia e drejtuesve dhe shitja e informacionit, ndaj ministri Nishani duhet të dorëhiqet. Kemi pritur që ministri Nishani në shënjë respekti për të rënët dhe familjarët e tyre, të japë dorëheqjen, për paaftësi menaxhuese të politikave të rendit dhe sigurisë publike. Dorëheqja është akt civil demokratik, sidomos kur bëhet fjalë për humbje jetë nga rradhët e ruajtësve të ligjit”, - tha Macaj gjatë një deklarate për shtyp. Ndërkohë, ky i fundit u ndal edhe në problemin tjetër që shfaqet sot në radhët e uniformave blu të policisë, që ka të bëjë me përfshirjen dhe bashkëpunimin e punonjësve të policisë në grupe kriminale. Për këtë arsye, kreu i Sindikatës së Shërbimeve Policore ka kërkuar ngritjen e një Task Force, me qëllim verifikimin e pasurisë së oficerëve të policisë. “Ka dyshime për përfshirje të policisë në grupe kriminale, ndaj propozojmë një Task Force për të kontrolluar pasuritë e tyre”,- u shpreh Macaj gjatë fjalës së vet.

Sakaq, Sindikata e Sherbimeve Policore, ka kërkuar që shteti shqiptar të vlerësojë fenomenin shqetësues të vetëvrasjes së policëve të burgjeve, që sipas tyre shkaktohet nga stresi në punë. Sipas sindikatës, që nga viti 2000 janë vetëvrarë të paktën 15 policë, për shkak të stresit dhe mbingarkesës në punë. Për këtë arsye, sindikata kërkon nga qeveria zbatim të plotë të ligjeve për shpërblimet e efektivave të policisë.

Kërkesa për sigurinë e jetës

Dy ditë më parë, Sindikata e Policisë ka kërkuar sigurimin e jetës për punonjësit e Policisë së Shtetit, duke u nisur nga vrasja e katër oficerëve të policisë në Durrës.

“Është e pafalshme që punonjësit e Policisë së Shtetit akoma të punojnë dhe të rriskojnë jetën e tyre pa kontrata sigurimi të jetës së tyre dhe kjo ndodh vetëm në Shqipëri”, u shpreh kreu i sindikatës së punonjësve të policisë, Sadetin Fishta. Sipas këtij të fundit, për qeverinë e është e pafalshme që, edhe pse vetëm gjatë këtij viti kanë humbur jetën në krye të detyrës gjashtë oficerë të Policisë së Shtetit, ajo nuk u ka siguruar atyre jetën. “Askush nuk është marrë deri tani me këtë problem, në një kohë që numri i të rënëve në krye të detyrës arrin në 238 punonjës policie, ku vetëm për këtë vit u regjistruan 6 dëshmorë. E asnjë prej tyre nuk ka përfituar siguracion jete, ndryshe nga shume profesione të tjera në vendin tonë”, shtoi gjatë fjalës së vet Sadetin Fishta. Kreu i Sindiktaës së Policisë tha se kjo ka qenë dhe një nga premtimet e qeverisë së kryeministrit Berisha, premtim ky që nuk është mbajtur deri më tani. Në fakt, edhe tre ditë më parë, gjatë një takimi me drejtues të Policisë së Shtetit, kryeministri Sali Berisha premtoi një rikthimi të ligjit për policinë dhe status të ri për oficerët e policisë së rënë në krye të detyrës. Gjatë fjalës së vet, Fishta tha se Sindikata e punonjësve të Policisë së Shtetit kërkon nga shteti vëmendje të veçantë ndaj problemeve që kanë punonjësit e kësaj të fundit. Ai kërkoi gjithashtu edhe pagë shtesë për oficerët e policisë, si dhe përmirësimin e kushteve në punë për punonjësit e Policisë së Shtetit.

Kërkesa e Sindiktaës së punonjësve të Policisë së Shtetit bëhet pas vrasjes së katër oficerëve të policisë, të cilët ranë në krye të detyrës, në përpjekje për të arrestuar një prej personave më të rrezikshëm, Dritan Dajti, teksa kreu i kësaj Sindikate ka shprehur ngushëllimin për familjarët e viktimave.

Kreu i sindikatës, Sadedin Fishta, u shpreh ndërkohë se, punonjësit e Policisë së Shtetit, pavarësisht ngjarjes së rëndë të ndodhur një javë më parë, do të vazhdojnë luftën e tyre ndaj krimit.

“Gjithë punonjësit e policisë përkulen me respekt para veprës sublime të tyre, duke u angazhuar solemnisht se do të luftojnë pareshtur krimin dhe rritur performancën e tyre profesionale, duke reformuar çdo strukturë policore, për të qenë të afta në këtë përballje me sa më pak humbje jete”, deklaroi Fishta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›