Ana e errët e gazetarisë Nga Xhovani ShytiNë një konferencë shtypi, të dhënë dje, paradite, midis të tjerave, Unioni i Gazetarëve të Shqiptarisë ka shpërndarë edhe një deklaratë nëpërmjet të cilës trajtohej gjendja në të cilën gjenden gazetarët shq
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Ana e errët e gazetarisë Nga Xhovani ShytiNë një konferencë shtypi, të dhënë dje, paradite, midis të tjerave, Unioni i Gazetarëve të Shqiptarisë ka shpërndarë edhe një deklaratë nëpërmjet të cilës trajtohej gjendja në të cilën gjenden gazetarët shqiptarë. E përmbledhur me pak fjalë teksti i deklaratës pasqyronte realitetin kritik të marrëdhënieve të punës, mungesën e autoritetit ligjor, nëpërkëmbjen e vlerave të integritetit e pavarësisë së gazetarëve, gazetave, gazetarisë e medieve. Por ndërkohë ai denonconte edhe indiferencën e institucioneve përgjegjëse shtetërore si edhe të atyre ndërkombëtare lidhur me situatën kaotike dhe fenomenit që përbën faqen e zezë të pushtetit mediatik shqiptar. Realisht, ajo çka denoncoi Unioni nuk ishte diçka e pa bërë më parë prej tij. E reja në konferencën e djeshme qëndronte tek publikimi i shifrave, nxjerrja e përgjegjësive institucionale konkrete dhe këmbëngulja e krerëve unionistë për të mos e ndalur vrapin në sipërmarrjen e vështirë të stabilizimit të marrëdhënieve në pushtetin e katërt. Mirëpo çfarë denoncuan krerët e Unionit? Çfarë fsheh në brendësinë e vet kjo faqe e zezë e pushtetit mediatik, i cili edhe pse kanë kaluar rreth njëzetë vjet nga dalja në post-diktaturë, në vend ta ushtrojë aktivitetin si pushtet i pavarur, vazhdon të funksionojë si në diktaturë?
Sipas krerëve të unionit, edhe pas jo pak ankesash, denoncimesh, bisedimesh e protestash marrëdhëniet midis botuesve dhe stafeve të tyre të punësuara vazhdojnë të qëndrojnë pothuajse të pandryshuara. Moskorrektësia në pagesat mujore, sigurimet shoqërore dhe kontratat kolektive janë kthyer në gangrenë, duke sjellë madje përkeqësim të situatës së mëparshme. Numri i redaksive që i shtyjnë pagat deri një, dy, madje edhe më shumë muaj, është rritur, ndërkohë që për nënshkrimin e kontratave kolektive, duke përjashtuar rreth dhjetë për qind të këtij komuniteti, për pjesën tjetër as që mund të bëhet fjalë. Ndërkohë është dëshpërues fakti tjetër, sipas të cilit, administratat e botuesve nuk denjojnë të informojnë rreth raportit të atyre që e ushtrojnë veprimtarinë në punë të zezë dhe punonjësve të siguruar. Një detyrim ligjor ky që nuk raportohet dhe nuk bëhet publik nga që mbi shtatëdhjetë e pesë për qind e kontribuuesve në sektorin e gazetarisë janë të pasiguruar, që do të thotë se punojnë në punë të zezë. “Nga të dhënat që disponon Unioni del se rreth gjashtëdhjetë për qind e medieve të këtij tregu gjatë gjashtë muajve të fundit u janë rikthyer moskorrektesave për pagat mujore të gazetarëve, paga që vonojnë nga dhjetë ditë në dy dhe tre muaj. Nga njëzet e katër gazeta të përditshme, gjashtëmbëdhjetë prej tyre në mënyrë të përhershme nuk respektojnë datat e dhënies së pagave të gazetarëve. Pagesat për sigurimet e tyre shoqërore janë të pa depozituara si kontribut pranë tatimeve dhe Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Rekrutimet dhe largimet nga puna nuk pasqyrohen në dokumentacionin e administratës së redaksive dhe rreth njëzet e pesë për qind e reporterëve të këtyre gazetave janë studentë që përdoren si elementë presioni ndaj komunitetit të reporterëve profesionistë”, vërente Unioni.
Por faqja e zezë e pushtetit të katërt shqiptar nuk përfundon këtu. Në raportimin e tij, rreth vlerësimit kritik të gjendjes reale, social-ekonomike, të komunitetit të gazetarëve që punojnë në tregun mediatik Unioni i Gazetarëve denoncoi dhe “indiferencën e qëllimshme të institucioneve shtetërore ndaj kësaj situate dëshpëruese. Inspektoriati Shtetëror i Punës, autoritetet fiskale të tatim taksave dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore, janë ata të cilët me mungesën e kontrolleve dhe ndërhyrjeve periodike, me kompleksin e shfaqur gjatë detyrimit ligjor për kontrollimin dhe verifikimin e këtij realiteti, kanë krijuar terren për shtimin e informalitetit dhe lulëzimin e punës në të zezë në medien shqiptare”.
Dhe, më së fundi, po dje Unioni i ka bërë thirrje qeverisë, dhe i është adresuar parlamentit të ri, të shpallur pas zgjedhjeve të 28 qershorit, që të rendisin në krye të punës reformën kundër informalitetit në mediet shqiptare. Ndërkohë, duke dashur të fusë në vallen e shfarosjes së kësaj faqeje të zezë edhe përfaqësitë diplomatike, unionistët kanë ftuar ambasadorin e BE-së dhe ambasadorin e OSBE-së në Tiranë, si dhe kontribuues të tjerë për mbarëvajtjen juridike në Shqipëri, të bëhen mbështetës efektivë të nismës “për mbylljen e këtij realiteti të zi dhe prapambetës, sidomos në fushën e legjislacionit dhe legalitetit partnerial në media”. Pasi politika dhe biznesi e kanë shtrembëruar, informalizuar dhe e kanë vënë nën gjunjë pushtetin e katërt, këtë kolonë të rëndësishme të shoqërisë kapitaliste, pa funksionimin e të cilit demokracia del e shtrembëruar, duke tentuar nga autoritarizmi despotik.