Politika e vlerave apo politika e hienaveNga Bledar H. PriftiPolitika konceptohet si “shpërndarja autoritative e vlerave” të një shoqërie. Për të promovuar, përfaqësuar dhe mbrojtur interesat e saj, një shoqëri ndërton institucionet e veta. Instituci
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Politika e vlerave apo politika e hienaveNga Bledar H. PriftiPolitika konceptohet si “shpërndarja autoritative e vlerave” të një shoqërie. Për të promovuar, përfaqësuar dhe mbrojtur interesat e saj, një shoqëri ndërton institucionet e veta. Institucionet mund të jenë politike dhe apolitike. Me përjashtim të shumë pak rasteve, në Shqipërinë tonë, institucionet janë kthyer në entitete politike dhe janë të lidhura me elitën e pushtetit, në mënyrë direkt ose indirekte. Gjithsesi, këto institucione në tërësi mbartin vlerat e kësaj shoqërie që i krijon ato. Kjo gjë është e vlefshme edhe kur këto institucione (strukturat dhe individët që i menaxhojnë) nuk janë të mandatuara nga një shumice e thjeshte apo shumicë konsensuale e shoqërisë, pasi pjesëmarrja dhe indiferentizmi janë vlera të një shoqërie, ashtu si mund të jene autoritarizmi dhe demokracia e saj. Jo më kot politologët studiojnë se përse komunizmi nuk ka pasur sukses në Perëndim, por ka pasur në Lindje dhe përse fataliteti dhe autoritarizmi është i kudondodhur në Azi, Amerikën Latine, Lindje e Mesme, dhe gjetkë.
Shqipëria e post-28 qershorit është e pushtuar nga një eveniment politik, i cili ka të bëjë me sulmet e orkestruara nga elita e pushtetit kundër kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama. Në një shkrimin të mëparshëm, i kam etiketuar këto sulme si “Kryqëzata anti-Rama” dhe si një përplasje elitash-- një përplasje e elitës së vjetër me atë të renë. Në vazhdimësi, unë e cilësoj “Kryqëzatën anti-Rama” si një produkt, jo i një politike vlerash, por si një produkt i një politike hienash.
Kjo politike hienash e post-28 qershorit nuk përfaqëson vlerat e shoqërisë sonë. Ajo vlerë që kjo politike nxjerr në pah është indiferentizmi politik, i cili e ka kthyer shoqërinë ne subjekt të kësaj politike. Kjo tregon se ky indiferentizëm politik ka krijuar një elite pushteti, që më shumë i ngjan një tufe hienash sesa një elite të mandatuar për të qeverisur interesat e shoqërisë që e ka zgjedhur ata. Dhe kjo politike hienash nuk pranon ose shkatërron këdo që nuk i përket familjes së saj. Viktimat janë shumë, duke nisur me Selamin dhe duke përfunduar me Ngjelën. Pasojat janë të shumta duke kulminuar me 1997 dhe Gërdecin, varfërinë, korrupsionin.
Viktima e tyre e radhës është projektuar të jetë Edi Rama, i cili duket sikur do e ketë agoninë më të gjatë se të tjerët. Politikat e hienave promovohen si nga partitë politike ashtu edhe nga media dhe analistët e saj. Por ku qëndron hienizimi i politikës shqiptare e post-28 qershorit?
Së pari, Edi Rama është një politikan ekzotik dhe jo produkt i mirëfillte i këtij ambienti politik. Në të shumtën, ai mund të konsiderohet si një shartim i politikës Shqiptare. Mbi të gjitha, ai nuk ka sjelljen dhe konturet e kësaj elite politikë, madje as edhe nuk ndan me ata të njëjtën filozofi politike. Duhet pranuar se hyrja e tij e fuqishme në politike dhe mbështetja popullore që krijoi profilin e tij politik, kërcënoi dukshëm interesat politike dhe ekonomike të elitës së vjetër të pushtetit. Ky kërcënim u bë edhe më evident në përzgjedhjen e kandidaturave për deputetë te Kuvendit dhe me demografinë që do të karakterizoje Kuvendin e ri. Fenomeni Rama nuk i përket thjesht të majtës. Ai është një fenomen që ka përfshirë të gjitha krahët e politikës, ku më shume e ku më pak. Numri i deputetëve të rinj të parlamentit të ardhshëm e evidenton këtë fakt, dukshëm, por edhe tregon arsyet reale pse elita e vjetër është e hedhur tërësisht në një ofensive e përmasave të një kryqëzate. A janë këta deputetë të rinj pjese e elitës së pushtetit? Unë do të thosha: Akoma JO! Dhe këtë e ka kuptuar më mirë se të gjithë elita e vjetër (“politikanët kokëbardhe”) të cilët e konsiderojnë kryqëzatën anti-Rama si fillimin e një kryqëzate kundër politikës dhe elitës se re. Pra, mbrojtja më e mirë e status quo do të ishte eliminimi i Ramës, gjë që do të ishte fillimi i një kryqëzate mbi elitën e re dhe të brishtë, produkt i fenomenit Rama.
Së dyti, hienizimi i politikës shqiptare të post-28 qershorit ka të bëjë me faktin se Rama nuk realizoi një fitore që shume prej nesh prisnim, apo që edhe ai premtoi, edhe pse faktorët mund të jenë të gjithanshëm. Bile, ai etiketohet nga elita e vjetër dhe media si humbës në një kohe kur pranohet nga të gjithë se rezultati midis krahëve politike është i barabarte (70 me 70) dhe kanë ngelur edhe tre rrethe të ankimuara në Kolegjin Zgjedhor. Kjo situatë e bën Ramën as fitues, por as humbës; ajo e bën atë thjesht të “plagosur” politikisht. Kjo gjë shprehet nga deklarimet paradoksale të partive të vogla të të dy krahëve. Paradoksi ekziston për faktin se partitë e vogla të majta deklarojnë se Rama dhe e majta humbi shansin për të qeverisur kurse partitë e vogla të djathta deklarojnë se ajo që humbi ishte e djathta dhe Berisha. Por këtyre dy grupimeve të elitës së re i bashkohet edhe një grupim tjetër në shërbim (qofshin të vetëdijshëm ose jo) të elitës së vjetër— kjo është media dhe analistët e saj. Këta të fundit flasin dita- ditës për dorëheqje të Ramës. Si u shpreh vete Rama, atyre u lejohet te nxitohen, por jo atij. Po lind pyetja se përse nxitohen analistët?!
Ata edhe mund te ishin duke pyetur tani; (1) Përse Meta nxitoi t’i shtrinte dorën Berishës pa dalë rezultatet përfundimtare zyrtare?
(2) Çfarë mund të fshihet pas kësaj marrëveshjeje?
Por ata i anashkalojnë këto pyetje dhe kërkojnë e promovojnë vetëm dorëheqjen e Ramës? A na lind e drejta të dyshojmë se ekziston një lidhje midis këtyre ngjarjeve dhe faktorëve, dhe se media është bëre pjesë e kësaj kryqëzate? Unë do të thosha, shkurt, PO! Tani vlen që të evidentohen interesat e ndërsjella që ekzistojnë brenda këtij grupimi të madh që promovon kryqëzatën anti-Rama. Po kush do ta evidentoje vallë?! Besoj se demokracia është një sistem që mbart në vetvete shume më shume vlera dhe mundësi nga ç’mund të dalloje elita e vjetër e pushtetit. Çdo gjë i duhet lëne kohës dhe gjykimit të popullit. E pakta që mund të bëjë një popull është që të krijojë një elitë politike që promovon, përfaqëson, dhe mbron interesat e vetë shoqërisë. Me pak fjalë, të krijojë një elite pushteti që të mbart vlerat e shoqërisë nga e cila ka dalë.
Edhe në përfundim te shkrimit, si në krye të tij, politika nuk është gjë tjetër veçse një “shpërndarje autoritative e vlerave” të një shoqërie. Të korruptuara dhe hienizuara, politika dhe elita shqiptare nuk përfaqësojnë vlerat e kësaj shoqërie. Kjo politike dhe elita e saj evidentojnë faktin se shoqëria shqiptare është politikisht indiferente. Është kjo indiferencë politike që ka bëre të mundur krijimin e një elite politike sa të korruptuar aq edhe finoke, sa elitiste aq edhe diabolike, dhe sa mospërfaqësuese aq edhe përjashtuese. Kryqëzata anti-Rama është simbol i një politike hienash, i një politike ku vlerat reale të përfaqësimit janë zëvendësuar nga instikti barbar i mbijetesës.
* Master në Shkencat Politike,
Florida, SHBA