E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria: Nikolin Jaka të dënohet me tri vite burg



Tiranë – Nuk kanë mundur të shpëtojnë pa u lagur 7-të të pandehurit e operacionit të policisë “Duar të pastra”. Prokuroria e Tiranës, kërkoi dje 19.5 vjet burg dhe 9.2 milionë lekë gjobë gjithsej, për të shtatë të pandehurit e akuzuar për korrupsion dhe shpërdorim detyre, shumica e të cilëve ish- zyrtarë të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, mes të cilëve dhe ish-zëvendësministri i Transporteve, Nikolin Jaka.
Hetimi
Të shtatë të pandehurit po gjykohen me procedurë të shkurtuar, në Gjykatën e Rrethit gjyqësor Tiranë. Prokurorët e çështjes paraqitën sot konkluzionet, duke kërkuar 3 vjet burg e 2 milionë lekë gjobë për Nikolin Jakën, ish- zëvendësministër i Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacionit. Përfaqësuesit e akuzës kërkuan 21 muaj burg dhe 420 mijë lekë gjobë për Bashkim Kamberin, ish- shefi i Sektorit Juridik dhe Prokurimeve, 2.6 vjet burg dhe 600 mijë lekë gjobë për Arjan Shetin, ish-drejtor i Drejtorisë Juridike, 6 vjet burg dhe 4 milionë lekë gjobë për Ilirjan Berzanin, ish- Drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve dhe me 2 vjet heqje lirie Xhevahir Muçogllavën, ish- Drejtor i Drejtorisë së Programimit dhe Koordinimit, si dhe Kryetar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, në Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve.
Abuzimet
Ndërsa për biznesmenët Skënder Bokçiu e Isuf Ukperaj, të cilët akuzohen për “korrupsion aktiv të personit që ushtron funksione publike”, u kërkua dënimi me nga 2 vjet heqje lirie dhe 1 milionë lekë gjobë secili. Hetimet ndaj këtij grupi përfshinë një hark kohor prej 6 muajsh, gjatë të cilit u grumbulluan prova dhe fakte të mjaftueshme për të vërtetuar akuzat e ngritura në adresë të tyre. Në bazë të hetimeve ata rezultojnë të përfshirë në veprimtari korruptive me vlera të konsiderueshme, kundrejt favorizimit të paligjshëm të shoqërive pjesëmarrëse në prokurimet publike të kryera në këtë institucion. Të 7 personat u arrestuan në shtator të vitit të kaluar, në një operacion të përbashkët të Policisë së Shtetit me njësinë hetimore Task Force, i koduar “Duart e pastra”. Gjashtë prej tyre akuzohen për veprat penale të “korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike" dhe “shpërdorim të detyrës”, ndërsa për Nikolin Jakën akuza ka ndryshuar, në “ushtrim i ndikimit të paligjshëm”.

Dje vendimi, Agim Musho u divorcua me Irena Selin

Tiranë - Gjykata e Tiranës i ka dhënë dje divorcin Agim Mushos. Personazhi jo pak i njohur tashmë mund të quhet i lirë. Pas gjithë këtyre viteve të zhdukjes së Irena Selit, gjykata e Tiranës e ka pranuar kërkesën për ndarje të Mushos. Historia e çiftit u bë publik pak kohë më parë. Musho u akuzua fillimisht nga të afërmit e viktimës se kishte ai gisht në zhdukjen e bashkëshortes. Mirëpo ndaj tij nuk u ngrit asnjë akuzë dhe pas disa kohësh ai iu drejtua gjykatës për të fituar lirinë e tij nga ana e gjendjes civile. Vendimi u dha dje nga gjyqtarja Fiqirete Mullsj.

22 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›