Spanja ska preferenca
Tani kemi mbërritur në aktin e fundit të këtij Europiani. Spanja do të jetë përballë Italisë në ndeshjen finale dhe dy prej lojtarëve të saj më të mirë, Fabregas e Sergio Ramos, e dinë se nuk bëhen parashikime. Fabregas nuk kishte preferenca mes Gjermanisë dhe Italisë.
“Nuk mendon se do të kishim preferuar ndonjë skuadër në mënyrë të veçantë. Kushdo që të ishte do të ishte një skuadër e madhe. Në këtë rast, është Italia. E pamë ndeshjen dhe italianët zhvilluan një pjesë të parë të madhe, pastaj gjermanët bënë ç’mos në të dytën. Të dyja janë skuadra të mëdha. Ishte e vështirë ndeshja në grup ndaj Italisë. Na duhet të ndalojmë dy sulmuesit dhe Pirlon. Baloteli është një lojtar i madh. Shënoi golin e parë si qendërsulmues i vërtetë dhe të dytin si lojtar i shkëlqyer në një ndeshje vendimtare. Nuk duhet ta lejojmë Italinë të kontrollojë ndeshjen”, deklaroi Fabregas.
Sergio Ramos mendon se Spanja e tij ka shansin e madh që të hyjë në histori me një tjetër fitore, ndonëse gjithçka mund të ndodhë.
“Është e qartë që po mendojmë për këtë. Duhet të jemi realistë për të dielën. Duhet të jemi sërish në një nivel të pathyeshëm sepse deri tani askush nuk ka fituar dot 3 tituj radhazi. Janë dashur shumë vite pune për të arritur deri këtu dhe duhet ta shfrytëzojmë këtë moment. Spanja ka hyrë që tani në histori, por synimi ynë është që ta fitojmë këtë Europian. Edhe nëse do të humbasim të dielën, gjë që mund të ndodhë, do të jemi sërish krenarë sepse jemi duke bërë gjithçka dhe i kemi bërë njerëzit tanë krenarë”, u shpreh Ramos.
Kush do ta fitojë finalen? Kampionia Spanjë apo sfidantja e fortë Itali? E diela duket krejtësisht e paqartë.