Përse jemi të zhveshur?
Pikat kyçe
1) Meshkujt janë zhveshur nga qimet më parë sesa femrat
2) Shpjegimet e deritanishme ishin të pasakta
3) Sot një hipotezë e re thekson se humbja e qimeve nuk ishte pasojë e ndryshimeve ambientale
4) Teoria është konfirmuar nga fosilet dhe gjenetika
Pjesa më e madhe e femrave shpenzojnë pothuajse 275 euro në vit për bukurinë vetjake dhe 30 për qind të kësaj shume për të eliminuar qimet sipërfaqësore të lëkurës. Jemi ndryshe nga paraardhësit tanë, të cilët kujdeseshin shumë për qimet. Dhe kishin të drejtë, sepse i mbronin nga të ftohtët dhe rrezet diellore, plagët e thella dhe disa sëmundje të lëkurës, që pikërisht për shkak të sasisë së tyre të rrallë janë bërë pjesë e pandarë e njeriut. Këto elemente të bëjnë të mendosh se sa të rëndësishme janë qimet për gjitarët, të paktën për ata që jetojnë mbi Tokë. Po cila është arsyeja që me kalimin e shekujve njeriu e ka humbur sasinë e madhe të qimeve në trup?
Gjithnjë të freskët!Gjatë dy shekujve të fundit hipotezat e hedhura për të gjetur një arsye mbi fenomenin në fjalë kanë qenë të ndryshme, por asnjëra nuk është vërtetuar shkencërisht. Mekanizmat e përzgjedhjes natyrore që na nxisin të zhvillohemi, funksionojnë kur ka një ndryshim, ndoshta rastësor, një avantazh që privilegjon personin i cili do të jetojë më gjatë dhe që do të ketë më shumë fëmijë. Por cili është avantazhi i lëkurës pa qime? Ka pasur nga ata (Thomas Belt, një bashkëpunëtor i Darvinit) që kanë menduar se është një mbrojtje më e mirë kundër parazitëve (por atëherë pse të parët tanë i kanë mbajtur?), të tjerë (biologu-filozof Thomas Huxley në vitin 1880) që i kanë dhënë meritë përzgjedhjes seksuale (meshkujt tërhiqen më shumë nga femrat pa qime), e të tjerë akoma si Elaine Morgan, të cilët kanë hedhur hipoteza se është një fazë ku kalon njeriu, gjatë së cilës ndeshet me këtë fenomen. Në fund (evolucionisti Stephen Jay Gould) ka imagjinuar një lloj zgjatjeje të fazës së fëmijërisë, gjatë së cilës rritet truri dhe... nuk rriten qimet.
Por sot, një teori tjetër e përhapur nga Peter Wheeler, universiteti “John Moors University” i Liverpulit dhe Nina Jablonski në departamentin e antropologjisë në “Pennsylvania State University” duket se po jep një shpjegim të qartë. Studiuesit theksojnë se i kemi humbur qimet për të vuajtur më pak të nxehtin. Në fakt, pa qime në trup, kemi një aftësi më të madhe shpërndarjeje të nxehtësisë. “Ka gjasa që lëkura jonë t’i ketë humbur qimet për të na mbajtur të freskët. Duke humbur ‘peliçen e trashë’ trupi ka filluar të djersitë më shumë dhe kjo e ka lejuar të qëndrojë i freskët edhe në ditët më të nxehta”, shpjegon Olga Richards, antropologe molekulare në Universitetin e Romës. E njëjta teori hedh gjithashtu edhe një hipotezë befasuese: mund të jetë e mundur që të qenët shumë leshatorë i ka dhënë mundësi trurit tonë të zhvillohet më tepër se ai i paraardhësve tanë, duke qenë se mes organeve tona të brendshme është ai që tejnxehet më lehtë.
MaratonëtSistemi i ftohjes së trupit të gjitarëve të tjerë nuk funksion shumë mirë. I yni është më efektiv. Madje është aq i mirë saqë Daniel Lieberman, studiues në Universitetin e Harvardit, thekson se te njeriu ka evoluar një sistem kaq i avancuar ftohje, saqë po të viheshim në garë kundër një kali në një ditë të nxehtë, do ta fitonim, sepse sistemi i ftohjes së kalit do të kishte rrezik të shpërthente. Në fakt, kuajt, ashtu si pjesa më e madhe e gjitarëve, e prodhojnë djersën fillimisht përmes gjëndrave dhjamore dhe apokrine, të cilat janë shumë pranë qimeve. Këto sekretojnë një substancë vajore (që ndonjëherë bëhet shkumëzore) që i mbulon. Kjo gjë, nëse nga njëra anë e ndihmon kafshën të ftohet, sepse e mbron lëkurën e tij nga rrezet diellore, nga ana tjetër i kufizon aftësinë për të larguar nxehtësinë. Me një nxehtësi të tillë, organet e brendshme të kafshës mund ngrohen më shumë.
Djersa e lëkurës sonë, është produkt i gjëndrave “ekrine” (kemi nga 2000 deri në 5000) të cilat janë larg qimeve dhe pranë sipërfaqes së lëkurës. Kjo gjë bën që djersa të arrijë menjëherë në pjesën e jashtme të lëkurës, ku avullon duke marrë me vete edhe nxehtësinë e trupit tonë.
Motori i parë i këtij zhvillimi mund të jetë “ndezur” pothuajse 3 milionë vjet më parë, kur planeti ynë pësoi një ndryshim klimatik i cili bëri që zonat e Afrikës Qendrore dhe Lindore (ku jetonin paraardhësit tanë) të thaheshin. Një pasojë tjetër ishte humbja e një pjese të madhe të pyjeve, në favor të kullotave dhe savanave. Në këtë botë të re, paraardhësit tanë u detyruan që të përshtateshin dhe të kërkonin ushqim, i cili u pakësua, duke përshkuar hapësira më të mëdha se më parë. Nga njëra anë kjo gjë i nxiti të shndërroheshin nga vegjetarianë në gjithçka ngrënës (konsumimi i mishit u dha atyre ndër të tjera, një sasi të madhe kalorish), ndërsa nga tjetra i detyroi të spostoheshin vazhdimisht për të kërkuar për të gjuajtur kafshë, për të mbledhur ushqim dhe për t’u shpëtuar grabitqarëve. Por e gjitha kjo i nënshtroi edhe ndaj një rreziku të madh siç është mbinxehja.
Lëkurë e fortëNë vitin 1994, antropologët Peter Wheeler dhe Nina Jablonski hodhën dy hipoteza: një aktivitet i madh muskulor që prodhon nxehtësi të brendshme trupore mund të ketë favorizuar zhvillimin e aktivitetit ekrin dhe humbjen e qimeve.
“Revolucioni i vërtetë mund t’i ketë ‘interesuar’ trupit tonë 1,6 milionë vjet më parë, kur u shfaq ‘Homo ergaster’ me përmasa të njëjta me ato të njeriut modern: i përshtatshëm për të ecur dhe spostimet e gjata. Me kalimin e viteve u verifikua një ndryshim në gjenin MC1R, përgjegjësi i pigmentit të lëkurës, që nga ngjyrë e hapur u bë i errët. Në këtë mënyrë, lëkura rezultonte të ishte më shumë e mbrojtur nga rrezet ultraviolet edhe pa qime”, shpjegon Richards. Në fakt, ka gjasa se lëkura e paraardhësve tanë mund të ketë pasur ngjyrë të hapur, siç është ajo e majmunëve aktualë. Vetëm kur humbën qimet u bë e errët: kjo gjë daton, falë gjenetikës, rreth një milion e 200 mijë vjet më parë. Ndërsa ndodhnin këto transformime, disa gjene që kontrollojnë karakteristikat e lëkurës filluan të prodhonin proteina që ndihmonin të ishte më rezistente ndaj kushteve të jashtme.
Po gruaja?Gjithsesi, kjo hipotezë nuk shpjegon ende me saktësi disa gjëra. Nëse për mashkullin, që merrej me gjueti, humbja e qimeve ishte një avantazh, për femrën, që nuk merrej me gjueti, humbja e qimeve ishte një problem i madh, sepse ishte e ekspozuar ndaj plagëve, të ftohtit të natës dhe stinës së dimrit.
#