Berat Festival 2010, panaire dhe ekspozita
Kanë vijuar gjatë ditës së shtunë në qytetin e Beratit aktivitetet social-kulturore, nën moton “Berati, Festival 2010”, pjesë e javës kulturore “Italia dhe Shqipëria. Dy popuj, një det, një miqësi”. Aktivitet e javës italiane, të nisura që në fillim të këtij muaji, kanë nisur që në orët e para të ditës së djeshme me një ekspozitë të piktorit Klement Zoraqi. çelja e kësaj ekspozite është bërë në galerinë e arteve “Edward Lear”, ku kanë marrë pjesë pushtetarë lokalë, si dhe atasheu kulturor pranë Ambasadës Italiane, Adriano Ciani. Më pas, përpara sheshit të pallatit të kulturës në këtë qytet është bërë hapja e panairit “Berati, prodhon”. Dhjetëra biznese të agrobiznesit në këtë qytet kanë paraqitur në formën e një panairi produktet e tyre në formën e një konkursi. Panairi i mbështetur nga Drejtoria e Bujqësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit në këtë qytet, Bashkia Berat, si dhe Ambasada Italiane, u krijoi dhjetëra bizneseve prodhuese në këtë qytet mundësinë për të paraqitur produktet e tyre, të cilat janë shitur më pas për pjesëmarrësit. Fëmijët e këtij qyteti kanë mundur që më pas të marrin pjesë në konkursin “Balona më e bukur”, ku buzë lumit Osum janë ngritur dhjetëra balona të fëmijëve të këtij qyteti. Një konkurs i lirë pikture është hapur më pas në sheshin përpara bibliotekës së qytetit, ku nxënësit e Liceut Artistik në këtë qytet kanë paraqitur punimet e tyre në natyrë, ekspozitë kjo që është ndjekur nga qytetarët beratas. Dashamirësit e qitjes janë bërë më pas pjesë e një aktiviteti të garës me pjatel, ku kanë marrë pjesë dhjetëra qitës të ardhur nga rrethet. Në një poligon privat në lagjen “Uznovë” të qytetit është mundësuar konkursi “Qitësi më i mirë”, aktivitet ky që është bërë pjesë e aktivitetit “Italia dhe Shqipëria, dy popuj, një det, një miqësi”.
#