Euroja, rreziku i një monedhe dikur të suksesshme
Fjala “krizë” vjen nga fjala greke “Krisis” dhe përcakton një pikë kthese në një sëmundje. është një nga fjalët e shumta që kemi huazuar nga grekët e lashtë. Sot pasardhësit e tyre modernë po na e rikujtojnë realisht se cili është kuptimi. Gjithçka ndodhi pikërisht kur nisëm që të përdorim me shumë kujdes, pas krizës së madhe financiare fjalën “rimëkëmbje”. Pikërisht atëherë kriza greke është duke kërcënuar ekonominë e botës, si dhe vetë ekzistencën e monedhës së dytë më të fuqishme të saj “euros”.
Euroja, 10 vjet më parë, iu duk të gjithëve një ide shumë e mirë. Europa kishte arritur një nivel të kënaqshëm integrimi si një bllok tregtar. Bashkimi monetar në këtë moment ofronte për një pjesë të madh shtetesh përfitime ndjellëse. Së pari, do t’i kishte dhënë fund lëkundshmërisë së shkallës së shkëmbimit të monedhave brenda BE-së, një fenomeni që kishte sunduar në kontinent që nga rënia e sistemit të Bretton Woods për shkallën fikse të shkëmbimeve në vitet ’70. Tashmë udhëtarët dhe bizneset nuk do të kishin më problemin e madh dhe bezdisës të shkëmbimit të monedhave nga një vend në tjetrin. Ndërkaq, pritej një shtim i transparencës në lidhje me çmimet e mallrave që do të përmirësonte cilësinë dhe sasinë e tregtisë. Një monedhë e vetme në Europë ishte një oportunitet i artë për tregtinë. Vendet europiane me probleme të mëdha të borxhit të brendshëm do t’i ngjanin modelit gjerman të një ekonomie me inflacion të ulët, ndërsa vetë gjermanët besonin se euroja do të ishte paksa më e dobët se marka, monedha e tyre e fortë. Veç të tjerash, bashkimi monetar kishte edhe një joshje gjeopolitike. Pas ribashkimit të Gjermanisë, francezët ishin të shqetësuar për gjermanët dhe një dominim të mundshëm të tyre në Europë. Futja e gjermanëve në “ujërat e përbashkët” të monedhës unike do të thoshte në një farë mënyre edhe një lloj kontrolli mbi ta dhe ndonjë ambicie të mundshme për ndonjë Reich të katërt. Por mbi të gjitha, monedha e përbashkët do të krijonte alternativën për një monedhë të re rezervë që do të ishte një sfidë e hapur ndaj statusit të deriatëhershëm të dollarit. E megjithatë, kur Presidenti i atëhershëm i Komisionit Europian, Jackue Delors, propozoi më së pari bashkimin monetar, ky propozim iu duk shumicës si një projekt i stërmadh dhe shumë ambicioz dhe për hir të së vërtetës pak i parritshëm. Edhe kur u aprovua kolona e tretë e Bashkimit Europian, Marrëveshja e Mastrihtit në vitin 1992, shumë ekonomistë mbetën skeptikë ndaj idesë. Ishte shumë e vështirë që të imagjinoje 11 vendet që në atë kohë përbënin edhe organizatën europiane që të linin pas të gjitha dasitë dhe të futeshin në vathën e një monedhe të përbashkët. Kundërshtarët e kësaj ideje vunë në dukje faktin se një politikë e unifikuar monetare në vend që të zbuste do të nxirrte edhe më në pah dasitë mes Gjermanisë që ishte një vend shumë produktiv dhe vendeve të tjera që nuk ishin aq efikase dhe të begata.
Por argumenti më i fortë kundër monedhës së përbashkët në atëkohë ishte se pavarësisht se po bëheshin bashkë monedhat e vendeve që përbënin Bashkimin Europian, politikat e tyre fiskale po liheshin tërësisht jashtë dhe të pakoordinuara. Të gjithë e dinin se kriteret e rrepta për hyrjen e një vendi në zonën euro si shkalla e deficitit buxhetor jo më e lartë se 3% e prodhimit kombëtar bruto, apo borxhi publik jo më shumë se 60%, nuk do të zbatoheshin në asnjë mënyrë në mënyrë strikte nga vendet pjesëmarrëse. Duke pasur parasysh një fakt të tillë, Britania e Madhe nuk preferoi që të bëhej pjesë e një bashkimi të tillë monetar. Një raport konfidencial i Bankës së Anglisë që qarkullonte në fund të viteve ’90 në vend bënte të ditur, duke u nisur nga rezultatet e një studimi, se nëse vendet që bëjnë pjesë në një sistem unik monetar nuk do të respektojnë rreptësisht rregullat e ruajtjes së sistemit të përbashkët, atëherë rezultati do të jetë kaotik dhe shkatërrimtar. Përse? Sepse Banka Qendrore Europiane e kishte të ndaluar që të shpëtonte financiarisht një vend me probleme të tilla deficiti buxhetor. Kjo bankë nuk lejohej që t’u jepte para një qeverie të caktuar. Shumë analistë, para periudhës së vendosjes së bashkimit monetar parashikonin që në rastin më të parë të krizës, monedha e përbashkët do të përjetonte një krizë të madhe. Rasti i Greqisë është një tregues shumë i mirë i gjithë frikës që ekzistonte në fillim. Për rreth 9 vjet pasi Greqia u bë vendi i 12-të anëtar i euros, më 1 janar të vitit 2001, parashikimet dolën të vërteta. Deri atëherë euroja ishte konsideruar një sukses shumë i madh dhe që do të vazhdonte të ishte i tillë përgjithmonë. Sigurisht që për sa u përket rregullave fiskale ato nuk u respektuan nga shumë vende, por gjithsesi, monedha ishte e fortë ende dhe mbizotëronte në tregjet financiare në Europë dhe në botë dhe nuk kishte thuajse asgjë për t’u shqetësuar. Tashmë jo vetëm europianët, por e gjithë bota po përdorte euron. Në vitet 1999 dhe 2003, bankat ndërkombëtare lëshuan më shumë bonde në euro se në dollarë. Vendet që vendosën të qëndronin larg Eurozonës nisën që të pyesnin veten nëse kishin marrë vendimin e duhur.
Por më pas në tetor të vitit 2009, në Greqi erdhi në pushtet pas zgjedhjeve të përgjithshme qeveria e re socialiste që pasonte atë të djathtë. Trashëgimia që ajo mori nga Karamanlisi, ish-kryeministri ishte katastrofale. Deficiti buxhetor ishte 12.6% e Prodhimit Kombëtar Bruto, por ndërkohë qeveria e kishte raportuar në organizmat kombëtarë 6%, pra kishte bërë një mashtrim shumë të madh. Më pas doli se Banka Qendrore Europiane ishte duke financuar në mënyrë indirekte më shumë se një të tretën e huave të mara nga grekët përmes linjës së kredive të emergjencave. Në këto rrethana të gjithë euroskeptikët rinisën analizat dhe parashikimet e tyre për katastrofën që po afrohej. Që nga ai moment të gjitha tregjet financiare nisën që t’i jepnin para Greqisë me një interes shumë më të lartë se zakonisht. Vendi nisi që të përjetonte një spirale negative financiare dhe çdo ditë situata po përkeqësohej me ritme të shpejta. Problemet pasonin njëri-tjetrin, mosbesimi rritej kudo dhe në përpjesëtim të drejtë me të rriteshin edhe përqindjet e interesit të huave ndërkombëtare ndaj Greqisë. Kjo e fundit sa vinte e po merrte tiparet e një shteti në prag të falimentimit. Si të mos mjaftonte doli se deficiti buxhetor që i ishte raportuar Europës nuk ishte as 12%, por 13%, pra situata ishte shumë më e keqe nga sa mendohej. Në këtë situatë të dëshpëruar, grekët kthyen sytë te Europa për ndihmë. Që në fillim ata hasën me rezistencën e gjermanëve që ishin kundra çdolloj ndihme financiare. Votuesit gjermanë në mesin e një krize recesioni që po kalonte vendi i tyre dhe pa parë ndonjë interes të drejtpërdrejtë te Greqia, nuk lejuan që grekëve t’u jepej një ndihmë financiare. Por sa më shumë që hezitonin gjermanët, aq më e madhe bëhej kostoja e paketës shpëtimtare.
Më në fund në prill u formulua një marrëveshje në bazë të së cilës grekët do të marrin 110 miliardë dollarë ndër të cilat 30 miliardë do t’i vinte Fondi Monetar Ndërkombëtar, ndërsa pjesa tjetër do të ishte një kontribut i vendeve të tjera të Eurozonës ndër të cilat Gjermania si ekonomia më e zhvilluar e kontinentit do të paguante edhe faturën më të madhe. Athina nga ana e saj u zotua për masa strikte për sa i përket shkurtimit të shpenzimeve duke marrë si zotim kthimin e deficitit në shifrën 3% deri në vitin 2014. Po a u zgjidh në të vërtetë problemi? Fatkeqësisht jo. Duket se kjo tragjedi greke ka ende shumë akte. Cilët janë skenarët? I pari do të ishte një dështim i shtetit grek. Të gjitha këto masa shtrënguese do ta fusin vendin në një recesion të thellë dhe në ulje të ritmeve të rritjes ekonomike çka do ta çonte vendin nga një problem i madh te një tjetër. Shkatërrimi i shtetit grek është njëra anë, pasoja tjetër është edhe më e rrezikshme dhe kjo ka të bëjë me efektin domino të situatës greke, pra futja në një situatë të tillë edhe e vendeve të tjera të eurozonës me probleme të deficitit buxhetor si Spanja, Portugalia apo edhe Italia.
Për sa u përket europianëve, ata e dinë tashmë se kur marrin një vendim për Greqinë ky vendim nuk ka të bëjë vetëm me fatin e një vendi të vetëm, por me fatin e një zone dhe një eksperimenti që për 10 vjet rresht u konsiderua i suksesshëm dhe që tani ndodhet në prag të dështimit.
#