Përse na duhet “Fausti”?
Nëse dëfrimi do të ishte me të vërtetë synimi i artit, atëherë mund të thuhet që në fillim se “Fausti” nuk i përgjigjet këtij parimi. Kush e merr në dorë këtë vepër, nuk ka për të gjetur tek ajo as edhe një detaj të vetëm, që të jetë krijuar thjesht për dëfrimin. E po kështu, në tërë historinë e letërsisë nuk gjenden vepra të vërteta artistike, që të jenë thjesht e vetëm dëfryese. Nuk është e tillë “Iliada”, nuk është “Komedia hyjnore”, nuk është as “Hamleti”, “Don Kishoti” apo “Lufta e paqja”. Madje, sa më pak kanë qenë të tilla veprat e vërteta artistike, aq më shumë i kanë qëndruar kohës, aq më fort kanë tërhequr vëmendjen e njerëzve të kohërave të mëvonshme.
“Fausti” është dhe një vepër e rrallë arti, nga e cila ne mësojmë si të ndiejmë moralisht ç’është e mira dhe ç’është e k eqja e si të dallojmë estetikisht të bukurën nga e shëmtuara. Shkurt, “Fausti” na paraqitet edhe si një shkollë e vërtetë edukate dhe një akademi artesh të bukura. Në këtë akademi dijeje dhe artesh të bukura, në këtë shkollë edukate, gjithkush është i lirë të marrë e të lërë ç’të dojë, por është e pamundur të mos gjejë diçka që ta tërheqë me dritën e mendimit, ngrohtësinë e ndjenjës dhe gjallërinë e përjetimit. Ngrehina dramatike e veprës dhe arsenali metrik i saj u përgjigjen plotësisht universit të ideve, që parashtrohen.
Shpëtim ÇUÇKA
Lexuesi mund të befasohet kur të shohë se me një pyetje të ngjashme hapet edhe vetë, si të thuash, sipari i “Faustit” (le të mbajmë parasysh që “Fausti” është një tragjedi, nga forma dhe nga përmbajtja): Çfarë kërkojnë njerëzit nga teatri, çfarë presin në përgjithësi ata nga arti?
Rreth kësaj pikëpyetjeje diskutojnë në “Prologun në teatër” tri figurat kryesore të një trupe teatrore: drejtori i saj, poeti, aktori. Me përjashtim të poetit, dy të tjerët ngulmojnë në mendimin se publiku kërkon nga arti vetëm dëfrimin. Dhe për këtë qëllim ia vlen, sipas tyre, të sjellësh në vepër mbarë gjithësinë, ia vlen ta shpiesh publikun “në qiell e dhé e në skëterrë”.
Nëse dëfrimi do të ishte me të vërtetë synimi i artit, atëherë mund të thuhet që në fillim se “Fausti” nuk i përgjigjet këtij parimi. Kush e merr në dorë këtë vepër, nuk ka për të gjetur tek ajo as edhe një detaj të vetëm, që të jetë krijuar thjesht për dëfrimin.
E po kështu, në tërë historinë e letërsisë nuk gjenden vepra të vërteta artistike, që të jenë thjesht e vetëm dëfryese. Nuk është e tillë “Iliada”, nuk është “Komedia hyjnore”, nuk është as “Hamleti”, “Don Kishoti” apo “Lufta e paqja”. Madje, sa më pak kanë qenë të tilla veprat e vërteta artistike, aq më shumë i kanë qëndruar kohës, aq më fort kanë tërhequr vëmendjen e njerëzve të kohërave të mëvonshme.
Ndërkohë, kushti tjetër i një arti për masat, ai i të paraqiturit të mbarë gjithësisë, ai i të shpënit të publikut nga qielli në dhé e nga dheu në skëterrë, pra, nga lumturia e kulluar te jeta e përditshme dhe nga jeta e përditshme te vuajtjet e amëshuara, te “Fausti” është përmbushur në një mënyrë fare origjinale. Dhe ky është pikërisht një ndër ato elemente themelore, që e kanë bërë këtë vepër nga njëra anë aspak të thjeshtë për t’u kuptuar, nga ana tjetër aq të nevojshme për të kuptuar historinë e njerëzimit.
Po, “Fausti” në thelb nuk i flet shijes së njeriut, por mendjes së tij. Dhe historia jonë mijëravjeçare njerëzore na mëson se pa mendjen nuk mund të hedhim as edhe një hap të vetëm përpara, as individualisht, as, aq më pak, shoqërisht. E megjithatë, “Fausti” i drejtohet me atë mënyrën e vet, në të vërtetë gjeniale, edhe shijes së njeriut. Së pari, sepse nuk ka bukuri njerëzore, që të mos jetë e krijuar nga mendja e njeriut. Së dyti, sepse një krijesë e vërtetë e mendjes njerëzore është patjetër e bukur, pavarësisht nëse ajo është një produkt material apo një krijim shpirtëror, nëse është një shfaqje e talentit të saktësisë shkencore apo një krijesë e fantazisë artistike.
*
Pyetja “Përse na duhet “Fausti?” nuk barazohet megjithatë vetëm me pyetjen e përgjithshme: “Çfarë kërkojnë njerëzit nga arti?” Ajo ka edhe të veçantën e saj, konkretësinë e vet. Përse na duhet sot një vepër e shkruar para dy shekujsh, e cila ka për personazhe kryesore njeriun e ditur dhe djallin? Aq më tepër që ekziston një mendim gjithnjë e më gjerësisht i përhapur se njerëzit e ditur janë të paktë, ndërsa djalli, sidoqoftë, është një sajesë ose, e thënë me figurë letrate, një metaforë.
Në “Prologun në qiell” ne gjejmë momentin e lidhjes së nyjës së tragjedisë. Kjo nyjë është e mishëruar në pyetjen: A është në gjendje njeriu të gjejë “gëzimet më sublime” mbi dhé dhe nëse po, si mund t’ia arrijë kësaj? Në të vërtetë, i tërë “Fausti” përsillet rreth disa pyetjeve-bosht: ǒështë jeta njerëzore? A është ajo një gëzim? Nëse po, a qëndron gëzimi i jetës te dëfrimi, madje, vetëm te dëfrimi?
Pikërisht këtu dhe për këtë çështje, për fatin e njeriut-Faust, për atë se si do të bëhet e gëzueshme jeta e tij, lidhin një bast perëndia dhe djalli. I pari beson se njeriu do të përparojë e do ta gjejë gëzimin, lumturinë falë parimit hyjnor. Dhe beson se në këtë synim jetik njeriut do të jetë i shtrënguar t’i bëhet mbështetje edhe vetë djalli. I dyti është i bindur se njeriu nuk mund t’i shpëtojë grackës së konceptimit djallëzor të gëzimit dhe do të kthehet kështu në një dëshmi të plotfuqisë të së keqes.
Vlen të ndalemi këtu paraprakisht te një hollësi me rëndësi, e cila mund të dallohet pa vështirësi gjatë leximit të veprës: në jetën dhe përjetimet e njeriut-Faust hyjnorja nuk ka aspak lidhje vetëm me fetarinë, vetëm me besën te perëndia, ashtu sikurse djallëzorja nuk ka lidhje vetëm me djallin teologjik të parë si antitezë e perëndisë. Dhe kjo është diçka logjike: jeta nuk ka treguar se njeriu që ka besuar te perëndia, e ka pasur të siguruar automatikisht lumturinë. Për më tepër, jo pak besimtarë, madje edhe shërbyes të fesë, kanë kryer veprime djallëzore, me pasoja deri katastrofike.
Dhe vlen të saktësohet si fillim që te “Fausti” me hyjnoren kuptohet, para së gjithash dhe kryesisht e mira, ndërsa me djallëzoren e keqja. Ajo që mbetet të bëhet më tej është të shihet se si përcaktohen në mënyrë konkrete në vepër edhe njëra, edhe tjetra, pra, ç’kuptohet te “Fausti” me të mirën dhe ç’mbetet të kuptohet me të keqen.
Nga çështja nëse arti është dëfrim, madje thjesht e vetëm dëfrim, u arrit kështu te çështja nëse mjafton që jeta e njeriut të jetë një dëfrim, madje vetëm dëfrim, që të quhet e gëzueshme, e lumtur. Pra, mjafton të lexohet “Prologu në teatër” dhe “Prologu në qiell” për t’u bindur që “Fausti” është një vepër me karakter të spikatur përgjithësues. Dhe në këtë mënyrë do të kemi zbuluar arsyen e thjeshtë e njëkohësisht të thellë se përse një vepër e tillë ka arritur ta kapërcejë kohën e vet duke ardhur deri te ne.
*
“Fausti” nuk është vetëm një univers botëkuptimor për nga gjerësia dhe larmia e ideve që trajtohen, përmenden apo thjesht vegojnë në të dhe që zbulohen apo shpalosen vazhdimisht në një dritë të re para nesh, sa herë që marrim të lexojmë a rilexojmë tërë veprën apo pjesë të caktuara të saj. “Fausti” nuk është as vetëm një vepër e tillë – sikurse nuk ka shumë në letërsinë botërore – që në çdo skenë, madje në çdo episod e në çdo faqe na ndihmon të kuptojmë jo thjesht të kaluarën, por edhe kohën që jetojmë. Shkurt, “Fausti” nuk është vetëm një lloj akademie e dijes, e parë kjo si dije jo vetëm enciklopedike, por edhe sistemore.
“Fausti” është dhe një vepër e rrallë arti, nga e cila ne mësojmë si të ndiejmë moralisht ç’është e mira dhe ç’është e keqja e si të dallojmë estetikisht të bukurën nga e shëmtuara. Shkurt, “Fausti” na paraqitet edhe si një shkollë e vërtetë edukate dhe një akademi artesh të bukura. Në këtë akademi dijeje dhe artesh të bukura, në këtë shkollë edukate, gjithkush është i lirë të marrë e të lërë ç’të dojë, por është e pamundur të mos gjejë diçka që ta tërheqë me dritën e mendimit, ngrohtësinë e ndjenjës dhe gjallërinë e përjetimit. Ngrehina dramatike e veprës dhe arsenali metrik i saj, që do të meritonin një trajtim të veçantë për t’u bërë të qartë në tërë kompleksitetin dhe madhështinë e tyre, u përgjigjen plotësisht universit të ideve, që parashtrohen dhe kërkesës për një shtjellim të tyre sa më të mirë.
Duke nisur nga “Prologu në teatër” e “Prologu në qiell” të gjitha skenat kanë një domethënie e një kadencim të veçantë dhe pavarësisht se sa arrijmë ne të rrokim domosdoshmërinë logjike të vijueshmërisë së tyre, ato na përcjellin në mënyrë të pakuptuar te njëra-tjetra, ashtu si na presin e na dorëzojnë në njëfarë kuptimi te njëra-tjetra sallat e veçanta të një muzeu madhështor duke na mbushur secila me ngarkesën e vet të veçantë ideo-emocionale. Ne mund edhe të humbasim për një çast fillin e asaj që lexojmë e përfytyrojmë, mund të mos jemi të vetëdijshëm se ku ndodhemi dhe përse, ashtu të mbartur, sikurse ndihemi, nga valët e mendimeve dhe përjetimeve të ngjallura prej skenave që shtjellohen e shtjellohen para syve tanë. Por përmes “pyllit” të ideve, mbresave e pamjeve që duket sikur nuk kanë të reshtur, “shtegu” i veprës na afron gjithnjë e më shumë te pika kulmore, ajo e zgjidhjes së fatit të Faustit.
E gjithë kjo skenografi është “pikturuar” me një kolorit teknikash poetike e metrike, të rrokurit dhe të shijuarit e të cilëve gjithashtu nuk na vijnë aq të lehtë në perceptim. Teknika poetike dhe metrike e Gëtes është në një ndryshim të vazhdueshëm, duke kaluar nga pjesë të buta me ritme e rima tingëlluese, siç është kënga e mbretit të Tulës, në vargje të përthyera e të rrëmbyera, tipike për poetikën gjermane (skena “Natë”, pjesa e fundit e monologut të famshëm të Faustit ose vv.501-509), në pjesë proze (skena “Ditë e zymtë – fushë”) dhe deri në skena të tëra me vargjet e gjata të metrikës greke (pjesa “Skena ndryshon tërësisht”), të cilat i kemi aq të njohura përmes gjashtëmbëdhjetërrokëshit naimian.
*
“Fausti” në përfundim të leximit na lë jo thjesht mbresën e një tragjedie, ndonëse fryma tragjike na shoqëron gjithë kohës, e as thjesht mbresën e një vepre artistike, sado madhështore kjo qoftë. Por si të gjitha veprat e mëdha e madhështore të artit, ai na fal një begati mendimesh, përshtypjesh e përjetimesh, që nuk mund të përmblidhen në një kategori të vetme të krijimtarisë shkrimore e artistike të njeriut. Në mbarim të “Faustit” ne ndihemi njëlloj si të kishim përpirë një vepër të mirë, të thellë e vërtetthënëse, ku janë gërshetuar filozofia, historia, muzika, piktura, arkitektura. Në mbarim të “Faustit” ne mbetemi të përthithur në mendime mbi jetën tonë dhe mbi kuptimin e jetës njerëzore. Dhe arrijmë të kuptojmë që për Gëten hyjnorja është puna, ndërsa djallëzorja është antipuna. Në mbarim të “Faustit” ne nuk jemi më ata që kemi qenë përpara leximit të tij.
Mjaftojnë këto që ne të ndihemi krenarë dhe përgjegjës për fatin e madh që jemi njerëz dhe që mund të frymëzohemi në jetën tonë nga veprat e mëdha të njeriut.
19 Tetor 2008