Çaste të ngrira
Rudina MADANI
Çaste të ngrira
E kam takuar vdekjen dikur, herët
teksa ngarkonte në shpinë
trupin e njomë të mikes sime të vetme
sikur ai gjahtari kunadhen e pafat.
E kam parë atë në fytyren e vogël aq të dashur
që ngriu në çast si ora kur i hiqet bateria
e pashë vdekjen gabimshëm
gabueshëm
gabimisht
siç e sheh gjithnjë fëmija.
Isha pra, tepër e re e me gjumë të pavrarë
e nuk dija ende se lutja është si çaji i kamomilit
si paracetamoli, apo si ulja në bar pas vrapit,
dija veç t'i mblidhesha nënës sime përmbas e përpara
siç i mblidhet për të mos humbur çorapja çorapit...
Ajo, lotët m'i fshinte
më tregonte diçka me engjëj, me qiej e me Zot
pastaj më pyeste me zë të ëmbël
nëse me flihej, më kish marrë uria a më pihej ujë
nëse më... më?...
ndërkohë që dielli, ky tradhtar i poshtër
rrezëllonte mes resh si të mos kish ngjarë asgjë...
Nuk dita të sillem denjë
Hakërreva, derdha lot të mëdhenj, u çorra, kërcënova
për t’u tërhequr më vonë diku në hije
me besimin e shkërmoqur
njëqind fluturash të verdha
që kërcenin nëpër ajër pirueta blasfemie....
Krevati
Në tre e diçka të natës i doli gjumi
ndërsa jashtë bëhej tetor
e nje erë kremoze joshte pa shumë mund
jo-të e fundit të gjetheve...
Mes saj dhe krevatit - burri,
si një digë i bën pritë lirive sikur ujërave të tepërta…
mes saj dhe burrit - krevati
22 vjet martesë e tre fëmijë...
Ajo e shtyn pak atë, ai s'ndjen
ajo përpiqet ta sistemojë në anën që i takon
përpiqet të vërë rregull në bollëkun prej burri të shpërndarë
ashtu pa trajtë në krevat, zaptueshmërisht,
por ndjen krahun e tij t'i rrethohet në bark
si peta e byrekut okllaisë ...
Në dy pëllëmbë është katandisur hisja e saj
dy pëllëmbë a diçka më shumë
ajo pretendon atë që i takon, ajo shtyn
shtyn... edhe një herë të fundit
mendjembushur se s'është kurrë vonë
të marrë çfarë i duhet
edhe pse jashtë bëhet tetor, jashtë një erë dinake
gjethet i josh drejt vetëflijimit.
mirëpo burri s'dëgjon, gjumin e ka të rëndë
si të ishte nën ilaçe apo si të ishte i pirë
vazhdon përhapjen mbi dyshek me këmbë e me duar
promovues i politikave të një integrimi të mirë...
Pritje
Kam pritur një shenje
si trëndafilat e korrikut presin shiun
si aktori pa emër rolin e parë prestigjioz
duke komentuar hamendjet e mia
dhe kohën kapriçioze të Limburgut...
Por të presësh
është si t'i biesh anash një pishine në një ditë të nxehtë
e të mos futesh në të
apo si të flasësh para një mikrofoni
që të premton përcjellje e s'të përcjell askund
është si të krenohesh me gjërat më të lakmuara
që s'iu shkove kurrë gjer në fund...
Turbullt
Ti nuk më flet më për Amerikën
e unë kam harruar të të pyes për të
Eshtë vetëm emri që i vumë ëndrrës së dikurit
është nje premtim i dhjamosur në ije e vithe
një pranverë me make–up të fortë
dhe me zogj që këndojnë gjithnjë në play-back
ti përton të ma zësh në gojë.
Më tregon se sheh në ëndrra shtëpinë e vogël
me dritare nga dielli
hurmat e rënduara me mjaltësim në hy-vjeshtë
dyqanin e bugaçeve në të hyrë të lagjes
nënën ulur tek hajati.
e pastaj hesht, hesht...
këtu kujtimet ngecin i zë lemza
sikur shiu i papritur i zë rrobat në tel.
Ti ul receptorin e shkon të tymosësh një cigare
nën këmbët e gjysmëbotës tjetër
që gjashtë orë më vonë ta çel ditën
e gjashtë orë më vonë ta mbyll natën.... duke paluar
nën sqetulla dy duart e mëdha që more me vete
e që ndonjëherë të padobishme e të lodhura të duken
si çeizi i vajzës fatpadalë...
Ishim tepër autoktonë për kësi lirish oqeanike vëllai im
që na ranë në stomak si buka në t’unt,
e tepër spontanë për kësi lloj programesh largimi
që lidhin me afate, që mposhtin, që mpakin
Ishim tepër naivë për erëra kaq të zgjuara,
që s'u lodhën hiç të na dominonin hapin....
prandaj unë s’të pyes më për Amerikën
e ti përton të ma zësh në gojë...
Thjesht
Ky i krahut ngrihet e përmbyset në profile të dyshimta
e distancat i bën prej sheqeri
zemrën në një grusht me gërma ia shtrydh
që të mos teret e të mos humbë nga sytë.
Si të isha lule e kashmirtë e dritës
më ndërton e më ç’bën ngadalë
duke improvizuar klimate pranverash marramendëse
ku rritem pa fjalë...
Por kur shkon, çastet e ngazëllimit
të numërueshme më bëhen me gisht
si ato kallëzat e fundit që gojës së kombajnës
i shpëtuan krejt rastësisht.....
Me sytë tek e kuqja
Atë e çmend e kuqja, e tërheq drejt vetes
si pylli i pafaj dorën e një piromani
Por kokën nuk e kthen, bën përpara
me dy-tri ide në duar
duke u kujdesur të mos përsëritet
e të mos humbasë rrugën.
E kuqja është aty
e ndezur dhe e thellë si rrënjët e një pusi
ajo e shmang, e eviton
sepse gjithnjë e më shumë i friket
sikur i friket fatit të lig lojtari i kumarit
teksa lëshon në fushën e gjelbër zaret
dhe i ruhet të kuqes si fëmija makinave
ndërsa ndërron papritur trotuaret...
19 Tetor 2008